E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sonte jam vetëm rikthen Petrovcin në Metropol

Në vazhdën e aktiviteteve të Pranverës së Frankofonisë në datat 2 dhe 3 prill, ora 20:00, regjisori kosovar Enver Petrovci do të rikthehet në skenën e Teatrit të Metropolit, me dramën e tij tashmë të njohur Sonte jam vetëm, të cilën ai e ka shfaqur para pak

 kohësh në kryeqytetin shqiptar. Autor i kësaj vepre është dramaturgu i njohur francez Andre-Pol Antoan. Interpretojnë Niada Saliasi dhe Ilir Tafa, dy aktorë të rinj. Regjisorin Petrovci, e kemi parë të angazhuar në disa shfaqje teatrale, por edhe në shumë role filmash për të cilat ka marrë shumë vlerësime. Këtë herë në Tiranë ai erdhi si regjisor dhe u prezantua me dramaturgun e njohur francez, Andre-Pol Antoan (1892-1982) dhe veprën e tij dramatike Sonte jam vetëm. Duhet thënë se kjo shfaqje nisi suksesin e saj që vitin e kaluar, kur u shfaq për herë të parë për publikun kosovar dhe në dy skena të ndryshme: në teatrin e Babës dhe në teatrin Dodona. Publiku arriti të kuptojë se kjo shfaqje nuk mund të shikohet vetëm nga një aspekt, por ajo është e ndërtuar në disa rrafshe dhe kap dimensione të ndryshme dramatike duke u nisur nga drama njerëzore, vetmia e individit,  po ashtu ajo na vetëdijëson për rolin e dashurisë në jetën e përditshme dhe roli i dashurisë në ndërtimin e balancës shpirtërore. Në këtë dramë bëhet fjalë për një aktore shumë të bukur, 26 vjeçare, e martuar me një doktor (psikiatër), por ajo nuk është aspak e kënaqur me të, të cilin e ka denoncuar para tri ditësh në polici dhe tashmë ai gjendet në burg. Një natë ajo është e vetme në shtëpinë e saj luksoze, është shumë e vetmuar, e mërzitur, e frikësuar, bisedon me një shoqe të saj në telefon, e cila mundohet disi ta qetësojë dhe ti gjejë dikë që ti bëj shoqëri. Dramaturgu, skenaristi dhe regjisori i njohur francez Andre-Pol Antoan, duke lëruar zhanre të ndryshme të prezantimit të premisave të tij artistike, i nisur nga teatri dramatik dhe ai muzikor për të arritur tek filmi, e ndoqi shtegun e pafund drejt zbërthimit të enigmës së pa zbërthyer të jetës njerëzore, bërthamën e pyetjes jetike: Si të kalohet nata? Për ta zbërthyer këtë enigmë janë shkruar romane, drama, janë bërë opera dhe filma. Në rastin e shfaqjes Sonte jam vetëm ne ballafaqohemi me njerëz të cilët, sado që duket se nuk dinë çfarë bëjnë ata, janë të vetëdijshëm se ajo që bëjnë nuk është në rregull por, ata duan të bëjnë diçka, përndryshe po u gjunjëzuan para atyre sfidave atëherë do të ishin të humbur.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›