E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ana njerëzore e Kryeministrit

Javën që shkoi, jo vetëm media italiane, por edhe ajo evropiane, madje edhe ajo amerikane, thuajse gjithë mediat e botës pra, u morën me Eluana Englaron, vajzën ose gruan italiane e cila në moshën njëzetvjeçare kishte pësuar një aksident të rëndë me makinë dhe ishte futur në koma vegjetative. Dhe shtatëmbëdhjetë vjet rresht ajo jetonte në atë gjendje. Më në fund pra, pas shtatëmbëdhjetë vjetësh, kur ajo ishte 37 vjeçe, ndaj saj u aplikua eutanazia; me kërkesën e prindërve dhe me vendim gjykate iu ndërpre ushqimi që e mbante gjallë dhe Eluana vdiq. Ishte një rast që i mallëngjeu që të gjithë dhe që ngriti edhe njëherë problemin e eutanazisë, që ndau politikanët në dy krahë e kështu me radhë.

Duke ndjekur emisionet pa fund për këtë rast, herë pas here ndiqja edhe ngjarjet që ndodhnin në vendin tim dhe nga të gjitha imazhet më ishte ngulur në tru pamja kur dhëmbët e hekurt e gjigandë të një ruspe i nguleshin një kolone të një shtëpie në Jalë dhe e kafshonin, e dërrmonin derisa shtëpia të bëhej skelet, pra të shkatërrohej. Ndërkaq, në anën tjetër të botës, pra në Itali, qarkullonte imazhi i ushqimit, i jetësimit të një njeriu në koma për shtatëmbëdhjetë vjet. Dy imazhe: nga njëra anë fije, tuba të hollë që ushqenin një trup në koma dhe nga ana tjetër dhëmbë gjigandë, të frikshëm, prej hekuri, që i nguleshin në trup një shtëpie të pambrojtur dhe gra që u binte të fikët, pra që binin në koma. Televizionet shqiptare kishin rimarrë edhe njëherë skandalin e Jalës, në të cilin, në emër të një studimi të Bankës Botërore, vjet u ndërmor një aksion i policisë ndërtimore mbështetur edhe nga policia e rendit dhe u shembën shtëpitë e banorëve të Jalës.

Edhe atëherë ne shihnim gra që u binte të fikët, dhëmbë ruspash që u nguleshin shtëpive të reja në Jalë, por në atë kohë nuk u morëm edhe aq me këto pamje makabre, sepse si mendjelehte që jemi u krodhëm në vise të tjera. Mirëpo këto pamje, ashtu si lajmi për Eluanën, morën dhenë dhe u vendosën edhe në faqen e FOX-News, pra bënë, siç thuhet në këtë rast, xhiron e botës. E gjithë kjo skenë makabre krimi ishte dhe është e lidhur me një emër. Investigimet e brendshme, por edhe ato nga jashtë, thonë se në këtë krim është përfshirë dhëndri i Kryeministrit shqiptar. Ndërkaq, shtypi i shkruar, gazetat më të rëndësishme në vend, kur ilustronin shkrimet investigative për këtë argument, i shoqëronin ato edhe me një pamje të familjes Berisha. Në atë pamje rreth një tavoline rrinë të ulur djali, vajza dhe dhëndri i Kryeministrit. I zoti i shtëpisë, po të nisemi nga ajo foto, duhet të jetë përballë tyre. Pra, imazhet janë këto dhëmbë hekuri që u ngulen në trup shtëpive të pambrojtura, gra që alivanosen, që gati bien në koma kur shohin se po u shemben shtëpitë dhe familja e Kryeministrit rreth një tavoline në një darkë familjare.

Po të bëjmë analizën fenomenologjike të këtyre imazheve, do të na duhet të kërkojmë dhe të shohin se si është projektuar krimi, pra si është marrë vendimi për t‘u shkatërruar shtëpitë, kur dihet se shtëpia në imazhin kolektiv shqiptar është projektuar si themeli dhe kuptimi i jetës. Do të ketë qenë dhëndri që ka marrë në telefon vjehrrin, pra Kryeministrin dhe i ka thënë unë jam gati të filloj apo... Ehë do të ketë thënë vjehrri nga ana tjetër dhe ka vazhduar: Mirë, mirë, se merrem unë dhe ka ngritur telefonin e ka dhënë urdhrin: Të shkatërrohen. Është shumë e vështirë megjithatë që të lexohen anët e padukshme të këtij krimi, por ajo që duket e lexohet tani është përmasa e tij. Natyrisht kjo është ana hipotetike e asaj që ne nuk e dimë. Ne dimë vetëm që pas dhëmbëve të frikshëm preh hekuri e gjigandë të ruspave ndodhet dhëndri i Kryeministrit shqiptar.

Mund të hamendësojmë gjithashtu se kur ai ndërmerr një aksion, pra kur i çon letër inspektoratit të ndërtimit, nëpunësit e mjerë të këtyre institucioneve bëjnë të pamundur që urdhri i dhëndrit të Kryeministrit të zbatohet me çdo kusht. Ndaj mobilizohen të gjitha llojet e policive. Mirëpo, si ka mundësi që me gjakftohtësinë më të madhe të mobilizohen policë, ruspa me dhëmbë gjigandë e të urdhërohen të shkatërrojnë shtëpi të pafajshme e të pambrojtura e të lihen ashtu si varre të hapura. Cila mendje mund ta bëjë këtë? Në fakt, edhe për varre është diskutuar këto ditë, po për varret e ushtarëve grekë, jo për varrezat e hapura si Gërdeci e Jala, për to ne shqiptarët nuk diskutojmë se ne jemi mendjelehtë, ne harrojmë shpejt. Si ka mundësi që një Kryeministër të marrë guximin e të prishë shtëpi të pambrojtura, simbologjinë e imazhit ekzistencial të shqiptarëve.

Në fakt, për disa kohë në imazhin e një pjese të shqiptarëve, ndër të cilët bën pjesë edhe autori i këtyre radhëve, ishte krijuar përfytyrimi se Berisha përfaqëson liderin nacional-romantik me përmasë njerëzore, se është simbol apo kampion i virtytit, ndërkohë që, për një pjesë tjetër të shqiptarëve, ai ishte krejtësisht e kundërta. Sot, duke parë veprimet e tij, pra urdhrat dhe dhëndrin e tij që përfshihen në një krim të tillë makabër, me ose pa dashje, shqiptarët që kanë besuar në Kryeministrin simbol të virtytit duhet t‘u kërkojnë ndjesë atyre që e kishin kuptuar që më parë se ai ishte simbol i antivlerave. Mirëpo rasti i Jalës ka edhe një përmasë tjetër. Supozojmë se qëllimi i dhëndrit të Berishës ka qenë i drejtë dhe largpamës, pra supozojmë se pas këtij qëllimi nuk fshihej etja provinciale e familjes kryeministrore për të zaptuar troje e për të ndërtuar fshatra turistikë, siç thotë një pjesë e medias. Në qoftë se ishte bërë gabim, atëherë Kryeministri me përmasa njerëzore duhej ta kishte korrigjuar menjëherë fajin dhe ta kishte rregulluar skenën e krimit.

Ai, me autoritetin e tij dhe me përmasën njerëzore, duhet t‘u kishte kërkuar falje banorëve dhe të kishte bërë të pamundurën që t‘i kishte dëmshpërblyer ata. Ky do të ishte një Kryeministër me përmasë njeriu. Mirëpo, kështu, për fat të keq, nuk mund të ndodhë më me Kryeministrin e vendit tim, sepse tani po vjen marsi dhe më 14 mars ne do të na duhet të kujtojmë edhe njëherë 26 viktimat e Gërdecit, pra një tjetër krim dhe një tjetër tragjedi për të cilën është e vërtetë se faji nuk është kolektiv, por përgjegjësia është e një njeriu të vetëm, e Sali Berishës, sepse ajo ndodhi kur në krye të këtij vendi ishte ky Kryeministër, që bashkë me dhëndrin urdhërojnë ruspat që të kafshojnë shtëpitë e pambrojtura të fshatarëve në Jalë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›