Agim Sulaj nominohet për "Grand Prix" në Bruksel
Artisti shqiptar, Agim Sulaj, merr pjesë këto ditë në një tjetër konkurrim ndërkombëtar. "Press Cartoon Europe" (Karikatura Evropiane e Shtypit), ka zgjedhur 50 veprat më të mira mes karikaturave të publikuara në shtypin evropian përgjatë vitit 2008. Agim Sulaj ka marrë pjesë në konkurrim me dy punime të botuara në shtypin italian gjatë 2008-ës, njëra në "La Stampa" dhe tjetra "The Economy" (Ekonomia) vepra e nominuar për çmimin e madh, është publikuar në gazetën "Corriere di Romagna". Karikatura prezanton në mënyrë alegorike krizën ekonomike përmes lojës me një gazetë të shqyer nga kriza. Të gjithë autorët e gazetave më në zë të Evropës iu nënshtruan një analize të gjatë dhe të detajuar gjykuese, duke përzgjedhur vetëm veprat që përfaqësonin më mirë e më qartë problemet më të rëndësishme sociale e politike të Evropës gjatë vitit 2008. "The Economy" e Sulajt ka qenë një ndër to. Z. Karel Anthierens, presidenti i "Press Cartoon Europe", ishte ai që e ka njoftuar artistin shqiptar për kualifikimin e fazës së parë. Ceremonia e ndarjes së çmimit të madh, i cili shoqërohet edhe me një shumë prej 10 mijë eurosh, do të mbahet në datën 18 shkurt. Ndërkohë që me 50 veprat më të mira do të organizohet një ekspozitë në Festivalin e Karikaturës në Knokke Hesist në datën 27 qershor. "Kushdo qoftë vendimi i jurisë për çmimin e madh ‘Grand Prix 2009‘ në Bruksel, unë përsëri jam i nderuar e i vlerësuar dhe me pjesëmarrjen, që njëkohësisht shpreh edhe vlerën e karikaturës sonë kombëtare", shprehet Sulaj, ndërkohë që pret ceremoninë e çmimeve.