E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kino Gara, një këngë për nënën

Artistë të komunitetit shqiptar në Manhatan të Nju Jorkut, miq dhe dashamirës të artit muzikor, janë takuar për të promovuar CD-në dhe videoklipin e këngëtarit të njohur Kino Gara. "Kujt ia fali mallin tim", dedikuar nënës, kompozuar nga Florent Boshnjaku mbi vargjet e Hivzi Krasniqit është prezantuar edhe falë bashkëpunimit të organizatës së gruas shqiptaro-amerikane "Motrat Qiriazi". Kino, i emocionuar, në fjalët e tij të para ka shprehur falënderim për të gjithë të pranishmit në sallë. "Kam menduar gjithnjë të kem një këngë për nënën që në ditët e para kur unë u largova nga ajo dhe në sytë e saj ndjej akoma lotët e ndarjes. Vitet në mërgim më shtuan më shumë mallin dhe dashurinë për të, sakrificat dhe netët pa gjumë na kanë mbështjellë me dashurinë e saj. Këngët janë frymëzimi im në këtë dashuri. Disa herë ato janë më shumë se jeta ime dhe në të kundërt jeta ime është më shumë se sa këngët e mia. Është bashkëshortja ime Linda, e cila më ka mbështetur në të gjithë këtë rrugë", është shprehur ai. Dr. Anna Kohen, presidente e organizatës së gruas shqiptaro-amerikane "Motrat Qiriazi", i dorëzoi Kino Garës mirënjohjen me motivacionin: "Për një kontribut të jashtëzakonshëm dhënë komunitetit shqiptar, gjatë gjithë jetës së tij, nëpërmjet artit muzikor".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›