E Diel, 1 Nëntor 2026

Ankohet Adelajda: Bjordi, sa i bezdisshëm që është!

Dita e djeshme, ka vijuar e qetë për 14 banorët e shtëpisë së Big Brother. Ata kanë qenë pjesë e diskutimeve, tema e të cilave ka qenë e ndryshme duke nisur nga martesa, fëmijët e deri te simbolet e identiteti kombëtar. Ata u janë përkushtuar të gjithë punëve të shtëpisë. Secili është angazhuar për të qenë pjesë e këtij "aktiviteti të ditës". E vetmja e pakënaqur me punët ka qenë Adelajde. Më pas, për pjesën më të madhe të kohës vajza nga Kavaja, është ngacmuar me batuta me Bjordin. Edhe pse është dukur si një lojë nga ana e të dyve, Adela më pas, ka shkuar në dhomën e rrëfimit për t‘u ankuar. Qetsori ka mall për familjen, më shumë për djalin e tij. Njësoj si ai ndihet edhe Erjola. Ajo është ulur e vetme në oborr e ka nisur të këndojë e përmalluar një këngë fëmijësh. Ndërsa Lirita i ka dhuruar Bikës një stil për flokët. Ndryshimi nuk ka kaluar pa u vënë re. Aida ka folur me Mimozën. Si një shoqe e mirë, ajo ka folur haptas me të duke i thënë se nuk është mirë që është pozicionuar në shtëpi, që nuk merr pjesë në debate dhe gjithë sa ndodh brenda shtëpisë. Sipas Aidës, Mimoza duhet të jetë më tepër aktive. Në një moment të ditës, të gjithë së bashku ata kanë kënduar himnin kombëtar në kuzhinë.

Neë Bika 2009!

Lirita ia ka marrë dorën tashmë stilimit të flokëve të Republikës. Ajo, si një parukiere e vërtetë, gjatë krehjes, i ka dhënë edhe këshilla për modelin Republikës së pakënaqur me flokët e saj. "As kështu nuk më shkojnë, as të shkurtra nuk më shkojnë! Më mirë i kisha të gjata!" Look-u i Bikes, që ka tërhequr vëmendjen e banorëve që nuk e kanë lënë pa e komplimentuar, është "pagëzuar" nga Lirita si "Neë Bika 2009".

Më ka marrë malli për djalin!

Qetsori që duke hyrë në shtëpinë e Big Brother, ka lënë jashtë gruan dhe djalin e vogël, duket qartë se e ndien shumë mungesën e tyre. "Më ka marrë shumë malli për djalin!", u ka thënë ai Bjordit, Dritanit dhe Adit, të ulur në divanet në zonën e ndenjes. Ai ka filluar t‘u demonstrojë atyre gjestet e djalit, që zgjohet gjithmonë herët e ngaqë do ta zgjojë dhe të atin e kap atë nga veshi, i fut gishtin në sy apo hundë, pa u dorëzuar derisa ta zgjojë.

Erjola i këndon së bijës

Edhe Erjolës, po ashtu si Qetsorit, kuptohet menjëherë sesa shumë i mungon e bija 4-vjeçare. Teksa rrinte ulur e vetme në oborrin e shtëpisë, fytyra e saj nuk mund ta fshihte mallin që ndjente. Ajo ka filluar, në fillim me vete e pastaj me zë, të këndonte këngë fëmijësh, këngë që mesa duket ia këndonte të bijës në shtëpi. Dukej si një mesazh që ajo i dërgonte së bijës, që mami është me ty, mami nuk të ka harruar.

Banorët bëjnë punët e shtëpisë

Pasi janë zgjuar dhe veshur, për pjesën më të madhe të banorëve të shtëpisë, dita ka filluar me punë. Ata u janë futur atyre me një vrull të vërtetë. Adi, Pavlini, Erjola e Zhuljeta kanë fshirë e kanë larë ambientet e ndryshme të shtëpisë, Lirita ka pastruar në kuzhinë. E vetmja e pakënaqur me punët që i kanë rënë për pjesë ishte Adelajda. Asaj i caktuan të fshijë pluhura nëpër shtëpi, punën të cilën ajo e urren. "Më mirë të fshijë e të lajë gjithë shtëpinë, ka thënë ajo, sesa të marr pluhurat!"

Bjordi ngacmon Adelajden!

Gjatë gjithë mëngjesit të djeshëm Bjordi dhe Adela kanë luajtur si "macja me miun". Ata kanë shkëmbyer batuta gjatë gjithë kohës duke i hedhur kunja njëri-tjetrit. Ajo e ka ngacmuar për shqipen jo të mirë që ai flet e për çdo gjë tjetër që ai bënte apo thoshte. "Sa i bezdisshëm që je!", i ka thënë ajo, sigurisht me shaka. Pastaj me të është bashkuar Republika dhe së bashku ato kanë vazhduar të ngacmojnë Bjordin, pa lënë jashtë edhe komentet për veshjen e tij. "Ky është stil! - ka thënë ai. Ju nuk kuptoni!"

Martesa është një hap serioz!

Një diskutim mjaft interesant ka nisur mes Adit, Bjordit dhe Republikës. Gjithçka ka filluar me pyetjen e Bjordit drejtuar Adit, me të cilën ai donte të dinte pse ai nuk ishte martuar. "Nuk jam martuar, sepse nuk kam pasur terezi!", ia ka kthyer ai. Adi ka vazhduar duke thënë se ka qenë shumë hallakat, ndërkohë që martesa është një hap serioz. Fillimisht, sipas tij, e para gjë që duhet bërë është ndërtimi i një ekonomie të sigurt, më pas, martesa kërkon seriozitet dhe përkushtim. Ai ka vazhduar duke thënë se miqtë e tij, që janë martuar, u ka rënë "hija e burrit", janë bërë më seriozë, ndërkohë që atij nuk do t‘i pëlqente kjo, ai nuk do të donte kurrë të rritej. Diskutimi ka vazhduar me vështirësinë e të ruajturit të familjes, të cilën brezat e sotëm nuk e shohin më si të shenjtë. "Por në martesë nuk ka gili-vili!" ka thënë ai.

Mimoza vjen nga një tjetër kulturë!

Bjordi u ka shprehur sot banorëve disa opinione të tij në lidhje me Mimozën. Ai ka thënë se ajo i duket shumë e vogël dhe kjo është një vështirësi për të që është mësuar që të gjithë miqtë, shokë apo shoqe, t‘i ketë të paktën 3 vjet më të rritur se vetja. Gjithashtu edhe të dashurat. Ai i ka treguar Republikës se vetëm një të dashur ka pasur më të vogël se vetja, të tjerat jo. "Pastaj ajo vjen nga një tjetër kulturë!", ka thënë ai. Mbase për vajzat këtu është shumë e lehtë që të kuptohen me të, sepse në fund të fundit janë rritur në Shqipëri, ndërsa për atë që nga një vend tjetër është akoma dhe më e vështirë.

Adelajda ankohet për Bjordin

"Vërtet shkove në dhomë të rrëfimit? - ka pyetur Republika Adelajden që ka pohuar. "Po pse duhet të shkojë kur ajo që bëri Bjordi ishte thjesht një shaka?!- ka vazhduar Republika. Adela i ka shpjeguar se ai është bërë i bezdisshëm dhe se kjo gjë është e përditshme. Bjordi e ka marrë me të qeshur dhe ka filluar ta ngacmojë. Adela edhe pse "e revoltuar" nga sjellja e tij ka vazhduar të ngacmohet me të duke e gjuajtur edhe me jastëk.

Nuk më pëlqen si je pozicionuar!

Duke e nisur bisedën me "Unë të kam shumë xhan!", si për ta bindur Mimozën për qëllimet e saj dashamirëse, Aida ka vazhduar t‘i thotë se nuk i pëlqen aspak pozicioni që Mimoza ka marrë brenda shtëpisë së Big Brother. Sipas saj, ajo është asnjanëse, jo në kuptimin që nuk është palë me asnjë, por në atë të mosmarrit pjesë në diskutime nga ana e saj. "Jam e urtë, ë?!"- I ka thënë Mimoza, që nuk i ka marrë për keq vërejtjet e Aidës, apo të paktën kështu është dukur.

Banorët këndojnë himnin kombëtar

Të mbledhur në kuzhinën e shtëpisë duke pirë kafe e duke diskutuar për simbolet dhe identitetin kombëtar, banorët janë ndjerë papritur patriotë dhe kanë filluar të këndojnë himnin kombëtar. E para e ka nisur Zhuljeta, e ka vazhduar Arjoni e më pas të gjithë grup, të gjithë njëzëri, kanë kënduar himnin shqiptar "Rreth flamurit të përbashkuar".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›