E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anagnosti imazhe te pashfaqura

Një muaj kushtuar karierës së regjisorit Dhimitër Anagnosti është bërë shkak jo vetëm për të rikthyer nostalgjinë e filamve të tij, por edhe për të shfaqur materiale të cilat nuk u lejuan të preknin ekranin e kinemasë. Bëhet fjalë për dokumentar kushtuar heronjve të luftës i cili i cilësuar si tepër modern për kohën nga përdorimi i efektit të rrahjes së zemrës së një fëmije, fjeti për 36 vjet në raftet e Arkivit të Filmit. Drejtuesja e arkivit, Elvira Diamanti ka vendosur të projektojë këto materiale  në “Muajin e Anagnostit”.

"Javën e dytë që është 'Lulëkuqe mbi murre' është një dokumentar tjetër që nuk është parë ende, ka qenë i ndaluar sepse është dukur si dicka shumë moderne. Ndërsa java tjetër do të jetë filmi 'Dueli i heshtur' dhe vetë regjisori dëshiron ta mbylli me 'Përrallë nga e kaluara", tha Elvira Diamanti,  drejtore e Arkivit të Filmit.

Nisma e organizimit të një muaji do të sjellë artistin më pranë publikut, jo vetëm me rikthimin e filmave, por edhe me takime e biseda me të. "Duke qenë se në janar Dhimitër Anagnosti ka një përvjetor, është 75-vjetori i tij i lindjes, ne menduam që gjithë muajin janar tia kushtojmë Dhimitër Anagnostit si një nga figurat më të shquara të kinemasë shqiptare. Do të ketë një bashkëbisedim, qoftë dhe me studentë të kinemasë, qoftë dhe me kineastë të rinj ose të vjetër, pse jo. Le të jenë këto javë dhe një lloj debati mbi kinemanë", tha ajo. Organizimi i një muaji kushtuar një kineasti, apo artisti do të kthehet në një traditë nga Arkivi i Qëndror i Filmit për të kujtuar meritat e karierës së tyre.

Aurela Papadhima

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›