Analistët: Bashkëpunimi Indi-Pakistan, sukses për Afganistanin

Pakistani dhe Shtetet e Bashkuara po punojnë për të forcuar sërish marrëdhëniet e tyre, ndërkohë që Uashingtoni përgatitet për të tërhequr trupat ushtarake nga Afganistani fqinj. Por disa analistë besojnë se faktori më i rëndësishëm për paqen në rajon janë lidhjet midis Pakistanit dhe Indisë.
Analistët në Uashington thonë se marrëdhëniet mes Pakistanit dhe Indisë mund të shndërrohen në faktorin më të rëndësishëm për të ardhmen e Afganistanit, dhe se Uashingtoni mund të luajë një rol më të madh në inkurajimin e një bashkëpunimi midis dy rivalëve, të cilët zotërojnë armë bërthamore.
Marrëdhëniet mes Islamabadit dhe Uashingtonit kanë qenë të ndërlikuara për vite me rradhë, dhe bashkëpunimi anti-terrorizëm mes dy vendeve u ndal pas një operacioni përtej kufirit të NATO-s në nëntor, i cili vrau 24 persona të personelit ushtarak pakistanez.
Ndërsa të dy palët kanë punuar për të rivendosur lidhjet pozitive, Shtetet e Bashkuara nuk kanë reaguar shumë ndaj kushteve të vendosura nga parlamenti i Pakistanit për rivendosjen e marrëdhënieve dhe rihapjen e rrugëve të furnizimit të NATO-s në Afganistan.
Kushtet përfshijnë ndalimin e sulmeve me anë të avionëve pa pilot mbi Pakistan dhe që territori pakistanez të mos përdoret për transportin e armëve apo municioneve në Afganistan. Uashingtoni nuk ka thënë nëse do t`i përmbahet ose jo këtyre rekomandimeve, por është shprehur se do të diskutojë qëndrimet politike me Islamabadin.