Natë e tensionuar në Shkup, bllokohen sërish rrugët

Objekti i një shqiptari në lagjen Radishan të Shkupit është djegur mbrëmë nga grupet maqedonase, të cilët sërish kanë bllokuar rrugët.
Dhjetëra të rinj, me kapele në kokë kanë qëndruar në rrugët kryesore të Radishanit, duke kërcënuar dhe kërkuar zbardhjen e vrasjes së pesëfishtë që ndodhi natën e së enjtes në afërsi të fshatit Smilkovc, informon agjencia e lajmeve INA.
Banorët shqiptarë që janë në dalje të kësaj lagje kanë kaluar natën nën frikë, për shkak të rrezikut nga sulmet e mundshme të huliganëve maqedonas.
Tensione ka pasur edhe në lagjen Butel, ku një grup huliganësh dhe protestuesish ishin nisur për të sulmuar shtëpitë shqiptare, por ato janë ndaluar nga policia.
Një banor i lagjes Butel theksoi për agjencinë e lajmeve INA se situata ka qenë e tensionuar dhe se natën e kanë kaluar pa gjumë, për shkak të rrezikut nga sulmet e mundshme të huliganëve maqedonas.
“Apelojmë që të ndërpriten këto skenare, sepse përndryshe rreziku mund të jetë me pasoja të mëdha dhe situata të dalë jashtë kontrollit. Turmat patën si shënjestër që të sulmojnë shtëpitë tona, por u evitua konflikti dhe qëllimet e tyre”, theksoi banori i Butelit, duke theksuar se janë dëgjuar edhe të shtëna.
Në fshatin Luboten gjithashtu mbrëmë ka mbizotëruar tensioni, ndërsa protestuesit sërish kanë vënë barrikada në rrugën që lidh fshatin me lagjen Radishan dhe Shkupin.
Në lagjen Draçevë në pjesën lindore të Shkupit sërish ishte vendosur një barrikadë me dhjetëra protestues maqedonas, të cilët kishin bllokuar rrugën që lidh Shkupin me fshatrat shqiptare të Karshiakës.
Kryetari i komunës së Studeniçanit, Fati Iseni ka konfirmuar për INA barrikadën e vendosur sërish nga banorët maqedonas të Draçevës, duke theksuar se me këto skenare po pengohet lëvizja e lirë dhe po nxiten tensione të panevojshme. Maqedonasit në Draçevë kanë theksuar se solidarizohen me bashkëkombasit e tyre të Radishanit për të zbardhur sa më shpejt vrasjen e pesëfishtë.
Grupe të të rinjve maqedonas janë parë edhe nëpër lagje të tjera të Shkupit, si Lisiçe, Kisella Vodë, në një pjesë të lagjes Gazi Babë, etj.
Nëpër rrugët e Shkupit kanë qenë të pranishme forca të shumta policie, të vendosura nëpër disa pika kontrolli. MPB ka vazhduar të mbajë të bllokuara disa akse rrugore që lidhin Radishanin dhe lagjen Butel.