E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, FDBK: S`janë shqiptarët autorë të vrasjeve në Smilkovc

Fronti Demokratik për Bashkim Kombëtar (FDBK), një lëvizje politike e dalur nga formacioni ushtarak AKSH ka theksuar se vrasja e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit nuk është vepër e kryer nga shqiptarët.

“FDBK me përgjegjësinë më të lartë moralo-politike, deklaron se, vrasja makabër e 5 (pesë) të rinjëve sllavo-maqedonas nuk është vepër e shqiptarëve, sepse shqiptaret, gjatë gjithë historisë së luftërave të tyre për liri dhe pavarësi kombëtare, asnjëherë nuk kanë vrarë pas shpine, siç kanë bërë të tjerët ndaj tyre”, thekson kjo lëvizje politike që drejtohet nga veprimtari Gafurr Adili nga Kërçova.

Sipas deklaratës së kësaj lëvizje, kjo vrasje makabër do të jetë vepër vetëm e qarqeve serbo-greke.

“Qarqe të cilat dëshirojnë që përmes skenarëve të tillë të realizojnë qëllimet e tyre ekspansioniste mbi krijesën artificiale pa emër dhe edhe pa mbiemër (IRJM-në), të cilës vetëm serbo-greket, dhe asnjëherë SHQIPTARËT, jo vetëm nën IRJM, por as edhe Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, nuk ia kanë kontestuar as emrin, dhe as identitetin shtetëror e kombëtar, siç ka bërë dhe vazhdon të bëjë Greqia, apo Kisha Autoqefale, si Serbia”, thekson FDBK.

Kjo lëvizje kërkon që në hetimet për zbardhjen e vrasjes të kyçen struktura inteligjente dhe hetimore ndërkombëtare, pasi siç thuhet në organet e larta shtetërore dhe hetimore në Maqedoni kanë ndikim të madh segmentet serbe.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›