Kuçi s`përjashton një tjetër ndërhyrje në veri

Zv.kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi është shprehur i shqetësuar në lidhje me arrestimet e fundit të qytetarëve të Kosovës në territorin e Serbisë. Në një emision televiziv Kuçi theksoi se këtë shqetësim qeveria e Kosovës e ka ngritur edhe te faktori ndërkombëtar.
Këto arrestime të qytetarëve të Kosovës nga policia serbe, sipas Kuçit, janë politike dhe po bëhen për qëllime të fushatës zgjedhore.
“Ne nuk mundemi të bëjmë shumë kundër këtyre arrestimeve politike që po bën Beogradi, ajo çka ne po bëjmë është ngritja e këtij problemi para bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Kuçi.
Sa i përket vrasjes së Selver Haradinajtë në lagjen te “Tre Rrokaqiejt” në Mitrovicë, zëvendëskryeministri Kuçi se akti terrorist po hetohet.
Ai tha se EULEX-i nuk është sa duhet aktiv rreth asaj që po ndodh në veri, por sipas tij, kjo venë edhe për shkak se ky mision ndërkombëtar ka vështirësi, sepse shpesh pret vendimet nga Bruksel,i të cilat janë politike. Por ai thotë se Kosova ka nevojë për ndihmën e misionit EULEX dhe KFOR.
Sa i përket dialogut për veriun e Kosovës, zëvendëskryeministri Kuçi tha se për këtë nuk do të bisedohet me Beogradin, por me qytetarët e veriut, të cilët nuk kanë bërë krime.
Përsa i përket mundësisë për një aksion të Policisë së Kosovës të ngjashëm me atë të 25 korrikut 2011, kur Policia e Kosovës u vendosë në pikat kufitare në Jarinë e Bërnjak, Kuçi tha se një ndërhyrje e tillë nuk përjashtohet, kur është në pyetje shtrirja e rendit dhe ligjit në atë pjesë.
Zëvendëskryeministri Kuçi shpreson se këtë do të bëjnë në koordinim me forcat e KFOR-it dhe EULEX-it, dhe se këto misione në të ardhmen do të jenë më dinamike sa i përket shtrirjes së rendit dhe ligjit edhe në atë pjesë të Kosovës, por ai nuk preferon shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme në veri.