Analistët: Nëse ngrihet, Komisioni Hetimor duhet të ndjekë parimet e Kodit Zgjedhor

Analisti Artan Hoxha, komenton bisedimet politike të PD-së dhe PS-së për ngritjen e komisionit hetimor zgjedhor. Hoxha tha se seancën e fundit plenare u duk sikur po arrihej zgjidhja dhe deri diku filloi arsyeja për të arritur një konsensus. Sipas tij, në parim socialistët u paraqitën sikur ishin të papërgatitur për ofertën e Berishës. “Oferta e Berishës është perceptuar nga PS-ja e pamundur” - tha Hoxha. Sipas tij komisioni i hetimit do të ndjekë parimet e kodit zgjedhor, duke nënvizuar se kodi është miratuar me konsensusin e të gjithëve. Ai tha se Berisha pranoi që opozita të ketë shumicën në komision, por PS-ja ende nguron. Hoxha ka theksuar se ngritja e komisionit hetimor është zgjidhje për të dyja palët. Hoxha tha se mazhoranca i bëri tolerime opozitës. Berisha i shtoi një pikë tre pikave të Xhafës, por Ruçi u mundua ta rrezojë pikën e katërt të Berishës.
Por sipas Hoxhës ndonëse të premten në orët e para të mëngjesit, nuk u arrit të miratohej komisioni hetimor, e rëndësishme është se seancë parlamentare u arrit që të vazhdojnë bisedimet, që janë lënë në seancën e ditës së hënë.