Analistët: Opozita përballë përmbytjeve
Cili është vlerësimi i Alfred Pezës, Lufti Dervishit, Andrea Stefanit, Skënder Minxhozit dhe Mimoza Dervishit
Qëndrimi i opozitës përballë situatës së përmbytjeve të shkaktuara në Qarkun e Shkodrës kthehet në një objekt debati publik. Opozita bën me faj mazhorancën për atë çka e cilëson keqadministrim të qëllimshëm me prapaskenë korruptive të kaskadës së Drinit, ndërsa shumica në pushtet akuzon pakicën për shfrytëzim të fatkeqësisë me qëllim krijimin e kapitalit politik. Por në fakt si mund të konsiderohet aksioni politik i Partisë Socialiste? A do të ndikojë ky zhvillim në ecurinë e debatit politik mes dy kampeve? Po në raport me bojkotin e opozitës çfarë zhvillimi mund të rrjedhë? Këtyre pyetjeve u japin përgjigje në një forum të organizuar nga gazeta “Shqip” disa prej analistëve më të mirë në vend.
Si e konsideroni aksionin politik të opozitës pas përmbytjeve në Shkodër?
Alfred Peza
Opozita shqiptare për situatën e përmbytjeve në Shkodër, po luan në thelb, as më shumë dhe as më pak, të njëjtin rol dhe funksion që luan dhe duhet të luajë çdo opozitë në vendet demokratike të botës së sotme. Për sa u përket detajeve të interpretimit që ajo po i bën këtij roli, kjo mbetet për t’u diskutuar rast pas rasti. Por, mund të vihen re të paktën, tri momente te të cilat, opozita duhet të ishte apo të jetë më aktive: Së pari, opozita duhet të tregonte në terren, një model sado modest, por më efikas ndihme, vullnetarizmi, solidariteti dhe bashkëpunimi me banorët e zonave të dëmtuara, në raport me modelin e qeverisë. Së dyti, ajo duhet të kishte thirrur me urgjencë një tryezë me ekspertët më të mirë në vend të hidrocentraleve, urbanistë, ekspertë të menaxhimit të territorit dhe ujërave, për t’i bërë një analizë të thellë dhe profesionale situatës dhe për të gjetur e treguar rrugët e daljes sa më të shpejtë prej saj. Por mbi të gjitha, për të hedhur piketat e një strategjie të re, e cila do të eliminonte rikthimin e situatave të ngjashme, në të ardhmen. Dhe së fundi, opozita duhet të reflektonte ndjesën e saj për gabimet e qeverive të majta në 20 vitet e fundit dhe të mund të jepte garanci dhe siguri, që ajo me mjetet politike që ka në dispozicion, nuk do lejonte as këtë mazhorancë dhe asnjë mazhorancë tjetër në përbërje të së cilës do të ishte edhe vetë, që gabimet njerëzore në fenomene të ngjashme, të përsëriteshin.
Mimoza Dervishi
Nuk e kuptoj pse bëhet kjo pyetje pikërisht tani. Sepse mendoj që është koha sot dhe për disa muaj, duhet të kërkojnë shkaqet e katastrofës në Veri. Forumet dhe debatet sidomos tani, por dhe pak më vonë kur të fillojë dëmshpërblimi i premtuar i qytetarëve të dëmtuar, duhet të kenë prioritet pikërisht pyetjet drejtuar mazhorancës, që kishte dhe ka në dorë përgjegjësitë e krijimit, por dhe të menaxhimit të një situate të tillë. Nuk mendoj që duke rënë niveli i ujit, media e mbaroi punën e saj, pavarësisht se është bërë traditë që shkaqet dhe pasojat e tragjedive lihen përgjysmë ose nuk preken fare. Por ndoshta është koha të reflektojmë që pikërisht kjo metodë pune ka ndihmuar në mënyrën e vet, që tragjeditë të përsëriten në këtë vend. Për mirësjellje po i përgjigjem dhe pyetjes tuaj: Opozita ishte dhe vazhdon të jetë korrekte në rolin e saj, që denoncon, vëzhgon dhe është avokate e popullit në raste të tilla.
Andrea Stefani
Mendoj që opozita ka bërë deri tani detyrën e saj. Ka kritikuar një qeverisje që me shumë gjasa është një nga shkaktaret kryesore të përmbytjes biblike dhe të paparë më parë në historinë e këtij vendi. Një kritikë që, përkundër tentativave të pushtetit për ta paraqitur opozitën si armike të popullit (veçanërisht atij të Shkodrës), nuk ka penduar edhe zhvillimin në aksionin dhe politikën e opozitës edhe të një përmase mjaft të prekshme të solidaritetit human me popullsinë e përmbytur tragjikisht dhe të ndihmës konkrete për të. Përveç bërjes publike të fakteve që ngrenë dyshime se e gjithë kjo tragjedi është rrjedhojë e një skenari të çoroditur të Kryeministrit për të rregulluar financat që vetë i ka çoroditur me aventurizmin e vet opozita, gjithashtu, nuk ka munguar të ngrejë dyshime, të përligjura edhe nga përvojat e hidhura të së kaluarës, mbi mundësinë e një politike populiste dhe mashtruese që qeveria mund të ndjekë lidhur me dëmshpërblimin e të gjithë të dëmtuarve. Premtimi i Kryeministrit është se të gjithë do të dëmshpërblehen “një për një”, por përvoja e derisotme me ndodhi të ngjashme është mjaft zhgënjyese. Përgjithësisht ne kemi të bëjmë me qeveri që nuk i dhemb shumë fati dhe prona e qytetarit. Sikundër thotë aktori mbret në dramën Hamleti, edhe mbretërit e politikës shqiptare “premtime bëjnë, por kurrë veprime”.
Skënder Minxhozi
Kam pasur rastin të shprehem dhe më parë se opozitës i duhet, për mendim tim, një qëndrim politik i jashtëzakonshëm në një situatë të jashtëzakonshme. Që nga janari i këtij viti në plan të parë ka dalë situata në veri të vendit dhe përmbytja në zonën e Shkodrës. Kjo do të kërkonte që e majta të shqyrtonte një rikthim në Kuvend, qoftë dhe i përkohshëm apo të pjesshëm, për të materializuar propozimet dhe kërkesat që ka paraqitur publikisht në funksion të kësaj drame kombëtare. Opozita ndodhet në pozicion mjaft të favorshëm pas asaj që ndodhi, pasi përgjegjësitë e qeverisë në këtë ngjarje janë të dukshme dhe të rënda.
Lutfi Dervishi
Veprimi i opozitës duhet gjykuar në dinamikën e aksionit të saj politik dhe duhet parë lidhur me qëndrimin e përgjithshëm që ajo ka ndaj mazhorancës në pushtet. Prej kohësh opozita ka humbur gjykimin politik. Një forcë politike bën gjykim të mirë politik kur di se kur duhet të vijojë betejën dhe kur të pranojë humbjen. Sa i përket përmbytjes, opozita, në ditët e para, megjithëse pak më shpejt dhe më mirë se media ishte e vonuar në reagimin e saj. është për t’u përshëndetur nisma dhe konkretizimin i ndihmës për banorët e zonave të përmbytura. Në reagimet e para opozita la të kuptohej se ndodhej në një barkë me të gjithë. Më pas ajo e shkallëzoi qëndrimin opozitar, por ka një ngërç që e ka kthyer prej muajsh më shumë në një grup presioni sesa në një forcë politike alternativë e mazhorancës dhe gjithmonë e gatshme për të qeverisur. Opozita me konferenca shtypi...
Si e parashikoni luftën politike pas krizës së re të krijuar nga katastrofa?
Mimoza Dervishi
Lufta politike do të thellohet dhe nëse kur kjo luftë filloi mendonim se kishim kohë përpara, tani pas kaq muajsh pa zgjidhje, nuk ka as kohë më. Opozita nuk mund të tërhiqet pa marrë rezultatet që do, sidomos kur ka përballë një pushtet që injoron çdo kërkesë të saj. Opozita duhet të gjejë mekanizmat për të ashpërsuar luftën e saj derisa ta bëjë pushtetin të dëgjojë. Situata e fundit është një pasqyrë e qartë e kësaj shurdhmemecërie. Në vend të shpjegojnë para njerëzve arsyet dhe përgjegjësitë për atë që ndodhi, pushteti po mundohet të devijojë mesazhin politik dhe mediatik, drejt faktit që nuk patëm viktima. Por s’ka asnjë argument bindës se cili ishte ky rol prej shpëtimtari i qeverisë. Ishte thjesht fati i atyre njerëzve të mjerë të zhytur në ujë që ditën të menaxhojnë veten. Për çdo vëzhgues normal të medias është e qartë që qeveria as nuk e paralajmëroi një situatë të tillë dhe as nuk ndërhyri në kohën e duhur për evakuimin, elemente që do t’i jepnin armën e fortë në dorë për t’u treguar njerëzve se meritat për shpëtimin e tyre i takojnë asaj. Shteti filloi të reagojë dhe bëri thirrje për evakuim kur fatkëqijtë e atyre zonave kishin hipur nga kati i parë i përmbytur në të dytin. Besoj që ata kanë falënderuar Zotin që nuk u mbytën dhe jo qeverinë.
Andrea Stefani
Nuk mendoj se një tragjedi si kjo, që për opinionin tim të bazuar në faktet e deritanishme është jo faj i Zotit, por i robërve të Zotit që na qeverisin, duhet të çojë në zbutjen e luftës politike. Tragjedia është një argument më shumë që mbështet kërkesën e opozitës për nevojën e largimit sa më të shpejtë të kësaj qeverisjeje, në mënyrë që të mos shkaktohen tragjedi të tjera. Duhet kuptuar se tragjeditë që i ndodhin Berishës në qeverisje njëra pas tjetrës nuk janë punë e një fati të zi, por rrjedhojë e një sistemi të shtrembëruar qeverisjeje. Ose më saktë e nxjerrjes jashtë loje të krejt sistemit të institucioneve të pavarura nga kulti arrogant i një lideri arrogant dhe Kryeministri e ka treguar edhe në raste të tjera tragjedish se është i papërgjegjshëm. Kam përshtypjen se nëse teknicienët do ishin lënë të lirë në vendimmarrje, jashtë presionit të Kryeministrit, reshjet sado të shumta nuk do të kishin bërë këtë kërdi që u bë. Logjika është e thjeshtë dhe e bazuar në fakte kokëforta. Mbështetës të Berishës thonë se janë përmbytur edhe tjetër herë në këto përmasa. Të pranosh një gjë të tillë do të thotë të pranosh se këto nuk ishin reshje të papara që bien 1 herë në 100 vjet. Përmendin si më të madhe edhe një përmbytje të ndodhur në vitet ’60. Por harrojnë se në ato vite nuk ekzistonte ende kaskada e digave mbi Drin. Kaskadat zakonisht i eliminojnë përmbytjet dhe nuk kanë vetëm funksionin e prodhimit të energjisë. Por ato të çojnë në përmbytje edhe më të rrezikshme kur konceptohen vetëm si një “lopë” që duhet mjelë për të kompensuar deficitet e qeverisë. Qeveria lejoi që të përmbytet një zonë, si asnjëherë më parë, duke pasur në dispozicion një kaskadë. Ky është ose kulmi i paaftësisë, ose kulmi i aventurizmit, ose kulmi i korruptimit. Mendoj se një nga drejtimet kryesore të politikës opozitare duhet të jetë që kjo ngjarje e dhimbshme të hetohet nga prokuroria duke mos lejuar presionet aq tipike të qeverisë “Berisha” mbi të, presione që sapo u konfirmuan edhe nga “Freedom House” një organizatë me prestigj për saktësinë në matjen koeficientin e lirisë së shteteve të ndryshme. Mendoj se thelbi i kësaj krize është jo injoranca, por mungesa e lirisë së institucioneve në vendimmarrje liri që mbytet nga një qeverisje gjithnjë e më despotike dhe e korruptuar që kërkon të imponojë me aventurizëm voluntarist, planet e saj duke dalë edhe mbi ligjet e natyrës dhe mendimin teknik.
Skënder Minxhozi
Parashikoj tone edhe më të larta mes dy kampeve, pasi interesat politike dhe qëndrimet konkrete që i ndanin pas zgjedhjeve PD dhe PS, janë “pasuruar” së fundi edhe me temën e përmbytjes. Në këtë mes shtohet edhe një element në dukje anësor. Ai i goditjes që opozita po jep te posti i ministrit të Ekonomisë, me qëllimin e lexueshëm për të futur në krizë të gjithë formulën qeverisëse. Ikja eventuale e Priftit, i cili ndodhet në një pozitë mjaft të ekspozuar, do të krijonte një situatë delikate brenda koalicionit PD-LSI, megjithëse besoj se Berisha do të rezistojë gjatë, para se ta prekë aleatin e tij të vogël.
Lutfi Dervishi
Ka një prirje në politikën shqiptare që në themel ka aksiomën “të bëj atë që nuk ja pret mendja kundërshtarit”. Me këtë “filozofi” politike është shumë e vështirë të bësh parashikim. Nëse do të ketë një zhvillim të ri cilësor në betejën pozitë-opozitë kjo do të jetë e kushtëzuar nga qëndrimi që do të mbajë PS ndaj Parlamentit. Në kushtet e një presioni në rritje asaj i mbeten dy opsione: 1. Të futet në Kuvend dhe të përpiqet të alternojë betejën në dy sheshe- në Kuvend dhe me protesta. 2. Të përpiqet të radikalizojë situatën me anë të protestave dhe të përpiqet të zvarrisë gjendjen deri në fillim të muajit mars në pritje të një vendimi për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve.
Alfred Peza
Lufta politike në Shqipëri, nuk mund të ndryshojë stereotipin e sjelljes së saj, për shkaqe kaq “minore”, sa kjo situatë e ditëve të fundit, në zonat e Lezhës fillimisht dhe të Shkodrës. Sepse ajo nuk është ndikuar për t’u sjellë cilësisht ndryshe, gjatë këtyre viteve pas rrëzimit të Murit të Berlinit, as nga ngjarje më të rënda se kjo që kanë ndodhur sidomos në vitet e vështira 1991- ’92, 1997- 1998, apo në zhvillime si ato të tragjedisë së 9 janarit, Gërdecit etj. Por, ngjarje si këto që përmenda dhe si kjo e përmbytjeve në veri, duhet të shërbejnë si momente solidariteti njerëzor dhe analizë e reflektimit për politikat zhvillimore në të ardhmen. Në këtë mënyrë, politika edhe në Shqipëri, do të jetë një instrument për të parandaluar zhvillime të tilla, dhe jo një “gomone” shpëtimi apo “zjarrfikëse”, për të improvizuar zgjidhje emergjence.
Janë shtuar zërat se tanimë opozita duhet t’i japë fund bojkotit. Si e gjykoni këtë zhvillim dhe a e shikoni të mundshëm kthimin e PS-së në Parlament?
Andrea Stefani
Ky ka qenë avazi i vazhdueshëm e pushtetit në gjithë këta muaj kur ka filluar kjo krizë politike. Zërat nuk janë shtuar. Janë pak a shumë po ata. Por sot është shtuar edhe një tjetër “argument”. Duan të thonë se pas tragjedisë “Atdheu” ka më shumë nevojë se përpara që opozita të shkojë në Kuvend. Ky është një tjetër manipulim sharlatanesk me gjoja thirrjen e Atdheut. Atdheu, qytetarët, kanë nevojë sot mbi të gjitha për një opozitë të fortë që t’i garantojë liritë, jetët dhe pronat nga një despotizëm në rritje. Dhe fatkeqësisht, është pikërisht ky despotizëm kokëfortë që nuk pranon të tolerojë asnjë nga kërkesat e opozitës, shkaku kryesor i qëndrimit të saj jashtë Parlamentit. Të bësh fajtore opozitën për bojkotin e zgjatur, është një qëndrim politik që fsheh një mentalitet bolshevik dhe që sipas të cilit fajtore janë vetëm opozitat, se janë opozitat që duhet t’i komportohen pushtetit dhe jo pushteti opozitave. Por është qesharake të sjellësh si argument për hyrjen në Kuvend të opozitës jo tolerancën e pushtetit, por një gafë të tij, një gafë që ka shkaktuar një tragjedi. Mendoj se ndryshimi i vendimit të opozitës për të ndërprerë bojkotin duhet të ketë si argument jo gafat tragjike të pushtetit, por ndryshimin e qëndrimit të tij refraktar deri më sot, lidhur me kërkesat e opozitës. Bojkoti është një formë demokratike dhe paqësore rezistence kundër një pushteti despotik dhe intolerant që sot e shpall opozitën armike të popullit ose mafie dhe të nesërmen e fton të bashkëpunojë. është taktika klasike e kulaçit dhe e kërbaçit e të gjithë despotëve. Duket se edhe europaralmentarë si, Doris Pack, dinë shumë pak për Shqipërinë dhe mendësitë politike këtu kur bëjnë gabimin ta shpallin bojkotin si antidemokratik. Ishin po këta që përshëndetën ndryshimet e Kushtetutës të cilat, e kanë lënë opozitën tashmë pa asnjë mjet efektiv presioni parlamentar. Sikur të mos ishin bërë ato ndryshime opozita sot do të ishte në Parlament. Pra kriza e sotme, më e gjata në këto vite tranzicion, është përqeshja historike e atyre ndryshimeve të 21 prillit 2008 që u përshëndetën, edhe nga njerëz si zonja Pack si “guri filozofik” që do sillte më shumë stabilitet. Disa nga këta europianë sikur nuk duan të kuptojnë se Kryeministri Berisha nuk është Karamanlisi që shkon vetë në zgjedhje të parakohshme kur e shikon se nuk ka zgjidhje tjetër për krizën. Berisha nuk shkon në zgjedhje të parakohshme edhe sikur të sakrifikojë shtetin. Ai e sakrifikoi shtetin për pushtetin në vitin ’97. Ai gjithnjë ka bërë një gjë të tillë. Edhe përmbytjet në Veri duket se kanë në rrënjë po të njëjtin motiv, sakrifikimin e shtetit (pra të popullit) për pushtetin. Opozita duhet ta vazhdojë bojkotin dhe të mos bëhet garniturë demokratike e një pushteti aspak liberal, derisa në qëndrimet e pushtetit të shfaqet ajo që s’është parë kurrë ndonjëherë, toleranca. Prandaj presioni duhet bërë jo që opozita t’i nënshtrohet pushtetit, por që pushteti t’i “nënshtrohet” opozitës, arsyes dhe ligjit.
Skënder Minxhozi
Në vazhdim të asaj që shpreha më lart, do të thosha një hyrje eventuale e opozitës në Kuvend në momentin aktual, do të kishte disa efekte pozitive për të. Së pari, ajo do të zyrtarizonte marrëdhënien institucionale me Parlamentin, do të kishim një grup deputetësh dhe jo më një grup gati-deputetësh. Së dyti dhe më e rëndësishmja, një përplasje në podiumin e Kuvendit në momentin aktual, i vlen dhe i intereson më shumë opozitës në këtë moment, sesa pozitës së dobësuar dhe pa argumente përballë përmbytjes biblike që ka ndodhur në Veri. Do të ishte e vështirë që qeveria t’i përgjigjej një goditjeje të koordinuar në Parlament nga ana e opozitës, lidhur me veprimet dhe mosveprimet e saj në javët e fundit të vitit 2009 në kaskadën e Drinit, ku në mënyrë të dukshme janë shkelur rregulloret dhe është menaxhuar keq një situatë e cila do të duhej të ishte shumë më e lehtë, nëse shteti do të ushtronte funksionet e tij me rigorozitet dhe profesionalizëm. Nuk ka një podium më të lartë dhe të dukshëm sesa ai i Kuvendit për ta bërë këtë, prandaj them se opozitës do t’i duhej një hap i tillë, i pamendueshëm pak ditë më parë.
Lutfi Dervishi
Zërat për kthimin e opozitës në Kuvend janë shtuar dhe edhe vetë brenda radhëve të PS-së. Këta zëra brenda barrikadës vijnë duke u rritur, sepse nuk shohin “dritë në fund të tunelit”. Nuk kanë një strategji të qartë. Deri më tani shihet se objektivi i vetëm i arritur është sensibilizimi brenda dhe deri diku jashtë se në “Shqipëri ka një problem”. PS po dëshmon se ka në dorë vetëm një skenar – “hap kutitë” dhe nuk është gati për skenarë të tjerë. Nëse vijon me këtë kurs çfarë do të ndodhë pas muajit mars? Po në prag të zgjedhjeve të ardhshme lokale? Nëse i shkon skenarit të radikalizimit, çfarë fiton PS dhe a është e gatshme të përgatisë një precedent për provokimin e zgjedhjeve përmes rrugës? çfarë do të thotë para zgjedhësve dhe opinionit publik një forcë politike që de facto nuk pranon rezultatin e zgjedhjeve dhe institucionet e dala prej tyre? Nëse shqetësimi numër 1 mbesin zgjedhjet çfarë analize ka bërë PS për zgjedhjet e fundit parlamentare? çfarë mësimesh ka nxjerrë dhe a është në gjendje të thotë sot se “ku pikon çatia e zgjedhjeve”? Sa e përgatitur është që të kontribuojë që zgjedhjet e ardhshme që nuk janë të larg të jenë “trouble free”? Pa një analizë për shkaqet e humbjes dhe një strategji dalje nga situata anëtarët dhe mbështetësit e saj do të fillojnë të pajtohen me mendimin se çfarëdo që të bëjnë nuk do të fitojnë ndonjëherë zgjedhje!Përmbytjet e ditëve të fundit ishin një shans tjetër që duket se do të jetë i humbur për t’u futur në Kuvend.
Alfred Peza
Për sa i përket politikës, ngjarje si kjo e Shkodrës, meritojnë të lexohen me syzet e Nastradinit, kur thoshte, se: “Pas të përpjetës, vjen e tatëpjeta”. Pra, edhe në këtë rast, pas çdo të keqe duhet të shohim nëse do të ketë diçka të mirë. E mira më e madhe që mund t’u vijë zhvillimeve politike të vendit në këto kushte ku ndodhemi sot, është që mazhoranca të reflektojë thellë në projektet e ardhshme zhvillimore të vendit, ndërsa opozita t’i japë fund bojkotit për t’u rikthyer në Parlament. Të dielën, PS mbledh Asamblenë e saj Kombëtare. Mbetet të shohim nëse do të kemi pas kësaj, një vendim që do të reflektojë dëshirën tonë për qetësimin e ujërave të politikës në Tiranë. Paralel me këtë, mbetet të shohim menaxhimin nga ana e qeverisë të procesit të menaxhimit për qetësimin e shpirtrave të banorëve dhe ujërave të Drinit në fushat dhe shtëpitë e Shkodrës.
Mimoza Dervishi
Nuk e gjej me vend as këtë pyetje, sepse nuk di të ketë ndodhur ndonjë zhvillim që ta bëjë opozitën të ndryshojë qëndrimin. Nëse me hapjen e digave ju imagjinoni hapjen e kutive, unë nuk e shoh dot kështu. Aty në ujë, nuk pashë fletë votimi, por vetëm njerëz të mjerë dhe bagëti të ngordhura. Ky keqmenaxhim situate tregoi që kjo mazhorancë e formuar vetëm politikisht nga joprofesionistë dhe njerëz mediokër, nuk di të menaxhojë shtetin që mbytet me reshje normale. Sa për zërat që thoni se janë shtuar kundër bojkotit të opozitës, nuk i kam dëgjuar, as në media, askund, as nga faktori ndërkombëtar, as ai vendas. Zërat janë, ata që janë, që kërkojnë të gjithë një zgjidhje. Nëse pyetja do ishte se a duhet ta lërë opozita bojkotin, duhet të dimë çfarë armësh do të ketë në dorë ajo për të menaxhuar zgjedhjet e ardhshme. Thelbi i luftës së opozitës bëhet që zgjedhjet mos vidhen dhe vota të lexohet siç hidhet. Pa marrë këtë garanci nuk shikoj pse duhet të ketë ulje tonësh apo ndërprerje bojkoti.
#