E Shtunë, 31 Tetor 2026

Podgorica: Ambasadat me Kosovën, drejt hapjes

Diplomaci

Vendimi për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës mund të merret deri në fund të kësaj jave, shkruan në numrin e djeshëm gazeta e Podgoricës "Vijesti", duke u mbështetur në burimet e afërta me kreun e shtetit. Gazeta pohon se dje është mbajtur një mbledhje e kreut më të ngushtë të udhëheqjes së shtetit malazez, në të cilën kanë marrë pjesë Presidenti Filip Vujanoviç, kryeparlamentari Ranko Krivokapiç, Kryeministri Milo Gjukanoviç dhe ministri i Punëve të Jashtme Milan Roçen. Dy ditë më parë, po kjo gazetë shkruante se Kryeministri Milo Gjukanoviç me gjasë më 21 janar do të vizitojë Uashingtonin ku do të takohet me sekretaren e Shtetit Hilari Klinton dhe me zv.presidentin Xhozef Bajden. Siç kishte mësuar gazeta "Vijesti" njëra ndër temat kryesore të takimeve të Gjukanoviçit me zyrtarët e lartë amerikanë do të jetë edhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën. Gazeta pohon se vendosja e marrëdhënieve diplomatike nuk do të thotë automatikisht edhe dërgimin e ambasadorit në Prishtinë. Sipas gazetës në fjalë, shkëmbimi i ambasadorëve mund të ndodhë gjatë muajve ose vitit në vazhdim. Qeveria e Malit të Zi ka njohur pavarësinë e Kosovës më 9 tetor të vitit 2008.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›