Muntaz Dhrami: Ngushëllohemi me veprën e Hadërit
Muntaz Dhrami është një nga skulptorët që puna e ka lidhur edhe në miqësi me Shaban Hadërin. Kanë realizuar bashkë vepra të rëndësishme. Humbjen e tij e konsideron si humbje të artit shqiptar, ndërsa shprehet se si artisti Hadëri do të vazhdojë të jetojë në psikologjinë e popullit.
Zoti Dhrami, ju keni qenë bashkautor në disa vepra monumentale.
Ne kemi punuar për vite të tëra bashkë me Shabanin dhe Kristaq Ramën në disa vepra të rëndësishme si “Nëna Shqipëri”, “Monumenti i Pavarësisë”, “Relievi i 1920-s” dhe vepra të tjera. Ndarja nga jeta e Shaban Hadërit është një humbje e vërtetë për familjen shokët, kolegët dhe miqtë që i ka pasur të shumtë. Por është një humbje edhe për artin shqiptar, sepse Shaban Hadëri në krijimtarinë e vet është një shtyllë në veprat e skulpturës sonë monumentale. Humbja e tij është më e ndjeshme dhe më e dhimbshme, sepse ai vazhdonte të ishte në vitalet.
çfarë përfaqësonte Shaban Hadëri për skulpturën shqiptare?
Kohët e fundit sëmundja ia prehu hovin për t’u marrë gjatë me skulpturë, ndërkohë që me krahun e majtë ai punonte piktura në vende të ndryshme, në Kosovë, Holandë dhe e kultivonte shumë bukur ngjyrën. Vepra e tij është e vyer edhe në gjininë e portretit, në kompozimet e ndryshme skulpturale. Krahas veprave monumentale që kemi bërë së bashku, ka një krijimtari shumë të begatë personale që është në fondamentin e veprave të skulpturës tonë realiste. Shaban Hadëri është nga themeluesit e shkollës sonë të artit, nga atelieja e tij kanë dalë shumë artistë me zë në artin tonë bashkëkohor.
Ju keni qenë një nga miqtë e afërt. Si ishin kohët e fundit të tij?
E kam ndjekur në sëmundjen e tij, i kemi qëndruar pranë, por ai nuk ishte në gjendje të artikulonte të gjitha bisedat që donte. Lëngimi i gjatë nuk i bëri mirë. Jeta ka ligjet e veta, kur humbet një artist është e dhimbshme, por edhe ngushëlluese, sepse ai rron me veprat e tij në psikologjinë e popullit.
Rasti i fundit kur u dëgjua fjala e tij ishte në heqjen e monumentit “Pesë Heronjtë e Vigut”. Si e priti këtë vendim?
E përjetoi dhimbshëm. Ishte një goditje që e uli shumë moralisht, i rrinte mendja në trajtimin që iu bë veprës monumetale të “Pesë Heronjve të Vigut”. Por periudha të tilla i kanë këto zullume, koha do t’i vërë gjërat në vend.
#