Topalli: Do të nis zëvendësimin e deputetëve të PS-së

“Do të mbledh Këshillin e Rregullores e do t’u drejtohem parlamentarëve”
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, ka deklaruar dje se së shpejti ajo do të ndërmarrë masat për të zëvendësuar deputetët e Partisë Socialiste, nëse ata nuk paraqiten edhe në afatin e kërkuar 6-mujor që mbyllet në mars. Në një intervistë për radion “Europa e Lirë”, kreu i Kuvendit deklaroi se “Parlamenti do të mbledhë Këshillin Legjislativ dhe Sekretariatin e Rregullores dhe të Imuniteteve, të cilët do të bëjnë verifikimin e datave, të afateve që shkruhen në Kushtetutë dhe do të vënë në dijeni KQZ-në”. Më tej ajo ka shtuar se shumë shpejt do të kontaktojë me të gjithë deputetët, të cilëve do t’u kërkojë të paraqiten në vendin e tyre të punës.
“Gjatë këtyre ditëve, unë, për shkak të angazhimeve të tjera, nuk kam komunikuar me deputetët, por shumë shpejt unë do t’u kërkoj atyre që të fillojnë të punojnë”, deklaroi kreu i legjislativit. Duke argumentuar aksionin e saj politik, Topalli ka deklaruar se “Shteti funksionon në bazë të ligjit të tij themelor, që e ka emrin Kushtetutë. Ajo që shkruan Kushtetuta, ajo duhet të zbatohet dhe të aplikohet që në ditën e parë, pa asnjë dyshim, pa asnjë hezitim. Po të mos e bënim këtë, atëherë ne s’do të ishim shtet, ne s’do të ishim shtetarë dhe ne s’do ta meritonim karrigen në të cilën jemi. Kështu që në këtë aspekt, Kushtetuta vetëm duhet të respektohet”.
Opozita ka bërë të ditur se nuk do të paraqitet në Kuvend dhe do të vazhdojë bojkotin derisa mazhoranca të plotësojë kërkesat e saj, pra të hapë kutitë e votimit. Drejtuesit e Partisë Socialiste, por edhe të partive të tjera të opozitës kanë bërë të ditur se askush nuk mund të zëvendësojë deputetët e së majtës, pasi ata janë zgjedhur me votën e popullit. Në intervistën për “REL”, Topalli i ka bërë thirrje kreut të PS-së, Edi Rama, “të mos i pengojë më deputetët që të ushtrojnë mandatin e tyre, të mos pengojë më deputetët për të respektuar dhe nderuar kontratën që ata kanë me qytetarët socialistë, që i kanë votuar dhe besojnë te kjo forcë e madhe politike.
Pa dyshim, unë jam e sigurt se në momentin që ata do të kthehen në Parlament, ne do të kemi shumë punë për të bërë bashkë. Ata do të gjejnë shumë hapësira, ato që jep ligji, Rregullorja, Kushtetuta dhe natyrisht elasticiteti i Kryetarit të Kuvendit, për të respektuar fjalën e opozitës, sepse opozita fjalën ka.
Unë besoj se ne, së bashku, do të miratojmë dhe Ligjin për Gjykatën Administrative, që është një ligj jashtëzakonisht i rëndësishëm, në mbështetje të biznesit dhe në penalizmin e arbitrariteteve, që kanë qenë jo të rralla gjatë gjithë kësaj periudhe, edhe në raport me privatin, edhe në raport me biznesin”.
#