Pollo: Nis regjistrimi i popullsisë mbi bazë etnie

Shtetasit do të pyeten edhe për besimin e tyre fetar
Qeveria nisi dje punën për regjistrimin e popullsisë në vend për herë të parë sipas etnisë dhe fesë. Ministri i Shtetit, Genc Pollo, i cili është edhe drejtuesi i këtij projekti, mblodhi dje Komisioni Qendror për regjistrimin e popullsisë dhe banesave (REPOBA), për të nisur edhe punën për procesin e regjistrimit i cili do të nisë në janar të vitit 2011.
Kjo strukturë e përbërë nga 12 ministra dhe specialistë të fushës miratoi dje edhe pyetësorin fillestar i cili do t’ju drejtohet të gjithë shqiptarëve. Në fjalën e tij, përgjatë mbledhjes Pollo e konsideroi procesin e regjistrimit të popullsisë si një proces me një rëndësi të jashtëzakonshme që i shërben mirëqeverisjes dhe jep një panoramë të plotë zhvillimeve sociale dhe ekonomike në vend. Sipas Pollos, për herë të parë përmban edhe pyetjen për përkatësinë etnike dhe fetare. “Risia e pyetësorit këtë vit në këtë pyetësor është që përmban, për herë të parë pas shumë dekadash, përkatësinë etnike dhe fetare”, deklaroi Pollo.
Nga ana tjetër, ministri i Shtetit theksoi se ky proces do të ketë një mbështetje të madhe dhe shumë profesionale nga INSTAT, ekspert të BE-së, si dhe agjenci të tjera ndërkombëtare. Projekti për regjistrimin e popullsisë është një projekt që sipas Pollos, ka një kosto të madhe financiare prej 15 milionë eurosh, por ai ka një vlerë të madhe për sa i përket mirorganizimit të politikave sa më të mira qeverisëse.
Nga ana e saj, qeveria shqiptare do të paguaj vetëm 5 milionë euro për procesin, sepse pjesa tjetër do të financohet nga organizata si IPA me 8 milionë euro, UNFPA me 1 milion, si dhe financime të tjera të UNDP dhe statistikat suedeze. Përfaqësuesit e qeverisë e konsiderojnë si domosdoshmëri një regjistrim të ri të popullsisë në vend, nisur edhe nga fakti që regjistrimi i fundit është bërë rreth 10 vjet më parë në vitin 2001.
Sipas tyre, domosdoshmëria vjen edhe nga fakti se tashmë kushtet politike, ekonomike dhe sociale në vend kanë ndryshuar, falë procesit të zhvillimit social-ekonomik të vendit. Lëvizja e vazhdueshme migratore e popullsisë nga zonat rurale drejt atyre urbane, por edhe në drejtim të vendeve të tjera ka sjellë normalisht edhe lëvizje demografike të mëdha dhe në ndryshim të të dhënave statistikore. Sipas ministrave, ky regjistrim do të jetë edhe një pikënisje për një sistem të qëndrueshëm të statistikave aktuale të popullsisë sipas vrojtimeve.
Regjistrimi që do të kryhet në 2011 konsiderohet nga qeveria si një investim i rëndësishëm afatgjatë në të gjithë sistemin statistikor të vendit për sa i përket kapacitetit dhe ndërtimit institucional. Po kështu edhe nga pikëpamja teknike, ministrat theksojnë se ky proces sjell si risi hedhjen e të dhënave nëpërmjet sistemit të skanimit, i cili konsiderohet si një nga teknikat me moderne për regjistrimet e të dhënave.
#