E Diel, 1 Nëntor 2026

Analistët: Zbutet Qeveria, do të bisedohen edhe temat “e padiskutueshme”

Me gjithë planin e prezantuar nga Qeveria e Kosovës se me Serbinë nuk do të diskutohet për çështje të brendshme të Kosovës, kjo shihet me dyshim nga analistë e parti politike. Analistët janë të bindur se veriu do të jetë pashmangshëm pjesë e diskutimit, ndërkohë i bëjnë thirrje kryeministrit t’i caktojë afatet karshi Serbisë.

Vetëvendosja, e cila u injorua nga kryeministri Thaçi gjatë takimit me liderët e partive të tjera, planin e qeverisë e konsideron vetëm si përgjigje ndaj platformës serbe të miratuar nga Kuvendi i Serbisë, raporton KTV

Megjithëse Qeveria e Kosovës është zotuar me qindra herë se veriu i Kosovës nuk do të diskutohet në asnjë rast as rrethanë me Serbinë, megjithatë ato deklarata tashmë janë zbutur.

Se temë qendrore e dialogut më 17 janar do të jetë veriu, kjo përforcohet vazhdueshëm edhe nga Brukseli.

Por Qeveria e Kosovës tashmë ka publikuar planin të cilin do t’ia paraqesë Serbisë në tavolinën e bisedimeve, nëpërmes së cilit i ka vënë vijat e kuqe se për çka do të bisedohet, e që insistohet se në asnjë rast nuk do të diskutohet për tërësinë territoriale të Kosovës, për kufijtë e njohur nga propozimi gjithëpërfshirës i presidentit Ahtisaari dhe organizimin e brendshëm të Kosovës.

Por ky plan i Qeverisë për lëvizjen Vetëvendosje është vetëm një përgjigje ndaj platformës serbe të miratuar nga Kuvendi i Serbisë.

Nënkryetari Shpend Ahmeti thotë se pashmangshëm veriu do të jetë temë e diskutimit.

Ndërkohë për analistin Ramadan Ilazi, deklaratat e kryeministrit dhe pikat e renditura në planin e Qeverisë të publikuar të hënën dallojnë dukshëm.

Analisti politik, Azem Vllasi, thotë se vijat e kuqe janë vënë prej kohësh, por megjithatë është rrëshqitur në tema që Qeveria i ka konsideruar të padiskutueshme me Serbinë.

Kërkesat e palës kosovare në tavolinën e bisedimeve më 17 janar në Bruksel sipas planit të hartuar nga Qeveria e Kosovës pritet të jenë –

- Fuqizimi i strukturave në Veri të Kosovës në pajtim me propozimin e Presidentit Ahtisaari dhe me Kushtetutën e Kosovës

- Largimi i strukturave të sigurisë së Serbisë nga veriu i Kosovës

- Krijimi i rrethanave për mbajtjen e zgjedhjeve të lira në komunat e veriut

- Krijimi i Komunës së re të Mitrovicës Veriore

- Regjistrimi i popullsisë dhe pronës në këtë pjesë

- Themelimi i fondit për zhvillimin e veriut të Kosovës, si dhe

- Arritja e një marrëveshjeje ndërkombëtarisht obligative për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, e cila do të garantohej prej BE-së, SHBA-së dhe shteteve të Quintit.

Takimi i së hënës mes kryeministrit Hashim Thaçi e liderëve të partive politike nga Vetëvendosje është quajtur takim bajraktarësh, ndërkohë kritika të mëdha kanë marrë partitë opozitare që kanë qenë pjesëmarrëse në takim.

Lëvizja e Kurtit ende nuk ka arritur t’i mbledhë nënshkrimet e nevojshme për një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, ku do të diskutohej rreth dialogut, megjithëse prej të hënës ata po presin nënshkrimet e kolegëve deputetë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›