Në Shqipëri fëmijët mësojnë serbisht me roje të armatosur

Falë guximit dhe këmbënguljes së familjes Duleviç në Libofshë, të Fierit, ky është viti i tretë në të vetmen shkollë fillore serbe në vendin e shqiponjave. Për këtë mision edukativ, Ekrem Duleviç dhuroi shtëpinë e tij, që është transformuar për nevojat e shkollës, ku nxënësit mësojnë gjuhën dhe historinë e Serbisë me mësues që vijnë nga Shkodra dhe Tirana.
"Në mesin e shtatorit të vitit 2010, nisëm një kurs të gjuhës serbe që e mbanim vetëm fundjavave. Interesi ishte i madh dhe tani kemi hapur shkollën 9-vjeçare”, thotë Ekrem Duveliç, që është edhe president i Shoqatës së Bashkimit të Serbëve të Shqipërisë, transmeton Shekulli.
Por jo të gjithë fëmijët e fshatit serbo-shqiptarë, që ka rreth 420 shtëpi serbe, shkojnë në këtë shkollë, në oborrin e të cilës valëvitet flamuri serb. Kjo për shkak se ndaj tyre ushtrohet shantazh. Madje pasi këto praktika nuk patën sukses u kalua në kërcënime të hapur, ku mësuesit dhe familjarët e Duleviçit janë kërcënuar me vdekje.
“Ka pasur nga të gjitha llojet e presioneve - që nga kërkesat për heqjen e simboleve - flamurin serb dhe tabelën e shkollës – fëmijët e mi janë kërcënuar për vdekje nga anëtarë të Aleancës Kuqezi. Jemi detyruar që mësim ta zhvillojmë edhe gjatë natës, ku tek dera qëndron një roje i armatosur”, thotë Ekremi, i cili saktëson se situata tani është shumë herë më e mirë falë mirëkuptimit të shtetit shqiptar.
Libofsha e Vogël është pjesë e komunës Libofsha. Serbët e kësaj zone kanë emigruar në vitin 1924, të cilët u zhvendosë nga Novi Pazar dhe Tutina. Paraardhësit e tyre ishin serbë myslimanë. Shkolla në gjuhën serbe financohet nga Ministra serbe e Diasporës. Tani ambasada serbe në Tiranë po punon për ndërtimin e një shkolle të re në këtë zonë. Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Dobrila Kopriviça u ka dhuruar nxënësve të kësaj shkolle lap topë të gjeneratës së fundit ndërsa Paul Luçiç nga Shoqata e Pensionistëve Ushtarakë në Serbi, u ka dorëzuar atyre studimin e plotë të “Serbisë së Mrekullueshme”. /Indeksonline/