E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analistët kundër partisë së re të Krasniqit

Formimi i një partie të re politike është njëri nga opsionet që ka në mendje kryekuvendari Jakup Krasniqi. Se a do të ndodhë kështu, sigurisht që mbetet të shihet menjëherë pasi që të përfundojnë zgjedhjet e brendshme të PDK-së, të cilat sipas Krasniqit, lënë shumë për të dëshiruar.

Analistët politik në vend, kanë qëndrime të ndryshme rreth deklaratave të Kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, mirëpo të njëjtit e shohin si gabim formimin e një partie të re nga ai.

Analisti Bajrush Morina, thotë se, Jakup Krasniqi duket se është ndër zyrtarët më të sinqertë dhe më të padurueshëm në PDK, i cili ka zgjedhur të ruajë shëndetin e tij personal që të nxjerrë përjashta "të keqtë" e mbledhur në parti.

“Ne të gjithë jemi dëshmitarë se Jakup Krasniqi është zyrtari që ka folur me fjalorin më të ashpër kundër privatizimit dhe ai ka pasur përqasjet më të mëdha me deputet të PDK-së. Jakup Krasniqit ia kanë sharë nënën në telefon madje "publikisht" dhe natyrisht se ai nuk mund të rrijë në një parti me ata që ia shajnë nënën. Ai megjithatë është zyrtar që ka një pikë identiteti dhe morali politik”, ka thënë Morina.

Mirëpo pavarësisht kësaj, Morina thotë se Krasniqi është një politikan i harxhuar.

“Personalisht mendoj se megjithatë Jakup Krasniqi është një politikan i harxhuar i Kosovës. Ai është marrë me politikë (me LDK ) para luftë me UÇK gjatë lufte dhe tash e 13 vjet me PDK pas lufte. Ai ka një shembull "të keq" të ndarjes nga "tuba e dhenve" siç është rasti i Nexhat Dacit”, ka deklaruar Morina, duke shtuar se, këtë shembull Krasniqi duhet ta ketë parasysh.

Për shkak të sfidave të shumta të Krasniqit që i ka kaluar në jetë dhe për shkak të moshës e shëndetit të tij, Morina i dëshiron një “pleqëri" të qetë politike, e jo një sfidë të re politike.

E në anën tjetër, analisti Muhamet Mavraj, duke iu referuar njërit prej opsioneve të kryekuvendarit Krasniqi për formimin e një partie të re politike, thotë se ndoshta më e favorshme, se sa partia e re, për Krasniqin, në sytë e opinionit publik do të ishte sikur të lëshonte ndonjë deklaratë pajtuese, sepse në skenë ende ka shpirt pajtues.

Mavraj këtë e bazon edhe tek afrimi që kanë bërë së fundi Thaçi e Haradinaj.

“Është shumë më e mençur, sipas meje, sikur të jepte ndonjë ide larghedhëse për unifikimin e subjekteve të caktuara, punë që askush s’po e thotë as s’po e nis. U pa që vendi s’ka nevojë për numër kaq të madh partish”, ka deklaruar Mavraj.

Ai kërkon më shumë urtësi në gjykime. “Historia shqiptare dhe ballkanase ka treguar se fraksionet kanë perspektivë të vogël, prandaj asnjë figurë të asnjë partie nuk i kisha rekomanduar fraksionimet e mëtejme”, ka thënë Mavraj, duke shtuar se, në PDK e duan Krasniqin dhe ai aty e ka vendin.

Jakup Krasniqi, kohëve të fundit ka qenë në qendër të ofendimeve nga zyrtarët e partisë së tij. Kjo u pa qartë edhe në bisedat e përgjuara telefonike të cilat u publikuan para pak javëve. Formimi i partisë së re nga Krasniqi, varet nga zhvillimet politike dhe ato përbrenda partisë më të madhe në vend. / Valdrin Krasniqi/ Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›