Analisti Bugajski: Maqedonasit s’duan ta ndajnë pushtetin me shqiptarët
Për njohësin e çështjeve të Ballkanit, Janush Bugajski, ngjarjet e fundit në Maqedoni, tregojnë se një pjesë e maqedonasve, nuk duan të ndajnë pushtetin me shqiptarët. “Mendoj se pas këtyre ngjarjeve qëndrojnë konflikte më të thella dhe mungesa e pranimit nga një pjesë e maqedonasve për të ndarë pushtetin me komunitetin shqiptar. Kjo gjë po rrit tensionet siç dëshmojnë ngjarjet e fundit, por tani janë në prag edhe zgjedhjet lokale dhe ky do të jetë një test i vërtetë për vendin”, thotë për A-S analisti Janush Bugajski. Ai i shikon ngjarjet në Maqedoni të lidhura edhe me problemet ekonomike dhe atë të integrimit dhe jo tek Marrëveshja e Ohrit. “Marrëveshja e Ohrit është zbatuar, për t’u treguar të drejtë me qeverinë. Shumica e saj, si përfshirja e shqiptarëve në poste të rëndësishme politike, çështja e gjuhës, çështja e forcave të policisë, përfshirja në forcat e policisë. Shumica e Marrëveshjes së Ohrit është vënë në zbatim. Mendoj se problemi qëndron se në Maqedoni ekzistojnë disa probleme të tjera veç kësaj. Kushtet ekonomike janë të pandryshueshme, në fakt, po përkeqësohen. Maqedonia ka mbetur në vendnumëro në lidhje me anëtarësimin në NATO apo BE për shkak të konfliktit të emrit me Greqinë. Zhgënjimi te të rinjtë. Diçka të tillë e shohim te përplasjet që ndodhën vitin e shkuar dhe ato që ndodhën sivjet. Mendoj se të gjithë këta faktorë nxjerrin në pah ndasitë e thella mes dy komuniteteve, të cilat nuk mund të zgjidhen thjesht me një marrëveshje. Me fjalë të tjera, bëhet fjalë për dy popullsi të veçanta, dy grupe të veçanta etnike që ekzistojnë brenda një shteti. Mënyra më e mirë për t’i asimiluar do ishte procesi i anëtarësimit në BE, proces i cili ka ngecur”, shprehet Bugajski. Ai konfirmon se në Maqedoni ekziston shqiptaro-fobia. “Po, do thoja se ekziston, si në shumë shtete, shqiptaro-fobia dhe paragjykimi ndaj shqiptarëve, po, besoj se ekziston. A është vetëm faji i qeverisë? Besoj se qeveria mund të japë një shtysë për shtimin e shqiptaro-fobisë duke ngritur çështjet nacionaliste. Me fjalë të tjera, ta përqendrojë vëmendjen në ripretendimin e të shkuarës historike për maqedonasit sllavë ose maqedonasit e hershëm, sesa të krijojë një trashëgimi të përbashkët me shqiptarët për shtetin e Maqedonisë. Sa më shumë ta përdorësh nacionalizmin e një grupi etnik, aq më tepër do e armiqësosh grupin tjetër etnik dhe ka të ngjarë që do ketë konflikte mes tyre”, thotë Bugajski.
...