E Shtunë, 31 Tetor 2026

Homazh/Ike, na le, Fatimkë e dashur

05-03-2013 / Nga Eden Babani

Tashti që po shkruaj këto rreshta për ty, e dashur Fatimkë, ti je duke hyrë në dyert e përjetësisë. Sot, në mëngjes, im vëlla, Fredi, bashkëmoshatari dhe shoku yt i fëmijërisë, më dha lajmin e hidhur. Fatimka na la. S’ka tre muaj që kulluan dy vjetët e parë nga ikja e Yllit tënd të dashur në botën e përtejme. Ty nuk t’ u durua. U ngute ta ndjekësh. Ishit lidhur pazgjidhshmërisht, ndaj s’mund të jetoje pa të. S’ mund t’ju ndante dot asgjë, e dashur Fatimkë, as vdekja... Sot e tutje, u pjekshi përjetësisht në atë botë, siç u bashkuat në botën tonë të përkohshme.
...Fundi i viteve ‘50. Gusht. Mëngjes i së dielës të fundit. Te kangjellat e oborrit tonë, në Skelë të Vlorës, dy vajza të reja as njëzetvjeçare. Ti, bijë e Shefki Zëmblakut, fqinjit denbabaden të rrënjëve tona korçare, dhe Soni, vajza e kushëririt tonë, dai Xhevdetit (Kapshtica). Sapo patët mbaruar pedagogjiken e Korçës, ju emëruan mësuese në rrethin e Vlorës. Me biografi të keqe, s’mund të vazhdonit shkolla të larta, por as të emëroheshit pranë familjeve. Dhe ju, me drojën e moshës, iu qasët mbështetjes së tim ati, Dr. Fiqretit. Mamaja ime, e mira Mynever, ju pa nga dritarja. Nuk ju njohu, sepse s’ju kishte parë qysh se mëkëmbeshit, duke u mbajtur pas murit bashkë me tim vëlla. Ishit rritur, tashmë, kishit mbaruar shkollën e mesme. Çupat, sikur i rrit njeri për flokësh, thonë në anët tona.
“Se ç’janë dy çupa, më tha mamaja. Shtyjnë njëra-tjetrën drejt portës, por asnjëra nuk troket. I njeh?” Ju njoha, sa ju pashë. Atë verë kisha qenë për pushime në vendlindje. Shëtisim mbrëmjeve bulevardit dhe pinim së bashku nga një birrë në Birra Korça, shoqëruar me kërnacka ose me bajame me kripë.
Që atë ditë, prindërit e mi ju hapën dyert e ju pritën si çupa të shtëpisë. Zaten mamaja ime u dogj për një çupë, por Zoti i dha vetëm tre djem...
Të shtunat dhe të dielat, shtëpia jonë mbushej plot. S’kishte javë të mos vije ti nga Drashovica dhe Soni nga Selenica, ku ishit emëruar. Edhe se unë isha ushtar ose student, edhe se Fredi ishte emëruar në Përmet, e mbushnit ju shtëpinë. Ishit ju që e merrnit përdore Zamirin gjashtë-shtatëvjeçar dhe e shëtisnit bregut të detit ose në bulevardin e bukur Vlorë – Skelë. Kur ktheheshim ne, unë e Fredi, shtëpinë sikur e zgjeronte njeri me duar. Kishte vend për të gjithë. Madje edhe për shokët tanë, dilte e tepronte. Atje u njohe dhe u lidhe me Yllin. Atje i vutë të parat piketa për familjen tuaj të ardhshme.
Ehu, sa kujtime më vijnë sot, Fatimkë e dashur. S’kam kohë, as fuqi t’i sjell ndërmend të gjitha. Por s’mund të rri pa kujtuar një episod me të shtrenjtin Ylli, dashuruar marrëzisht pas tej. Ishte mbrëmje korriku. Ti kishe shkuar për pushime në Korçë. Unë e Ylli rrëkëllenim një e nga një krikllat e birrës në  klubin e Plazhit të Ri. Aq shumë e kishte marrë malli për ty, sa nuk shijonte dot as fizarmonikën e Dolës, as këngën e ëmbël të valëzave të detit dyzet - pesëdhjetë hapa më tej, as vallen e tyre nën dritën e zbehtë të hënës. Mezi priste fundin e gushtit, që të ktheheshe ti nga Korça, për fillimin e vitit të ri shkollor. Dikur, më tha: “Fatimka është e denjë për luftë... Ne në ballë të barrikadës, ajo duke na furnizuar me municione...” Ishim të rinj asohere. Na frymëzonin heronjtë e Hygoit dhe pandehnim se fundi i regjimit do të vinte me barrikada...
Por jo, e dashur Fatimkë. Qysh nga ajo mbrëmje, do të kalonin dhjetëvjeçarë. Ju të dy do të përjetonit privimet e atij regjimi që do vdiste çdo ditë pak e nga pak, duke na shkaktuar të gjithëve plagë të pashërueshme. Tepër e re, ti do të sëmureshe nga zemra qysh dyzet vjet përpara, duke dhënë ditën mësim e natën duke qepur në makinë për fshatarët e Armenit. Erdhi një ditë e s’e përballove dot mbilodhjen. U largove para kohe nga puna. Jo më pak hidhësi gëlltiti edhe Ylli yt. Të shtunave pasdreke, të dielave dhe pushimeve verore, ai do të kërrusej ca nga ca, duke bartur me krahë karrocat e dheut prej kodrës së Centraleve, në bregdet, pranë Akademisë së Marinës. Donte t’i zhvaste kodrës një pëllëmbë vend, që të shtonte një gjysmë dhome ose që të mbillte një pjergull rrush për fëmijët që rriteshin. Erdhi një ditë dhe, edhe atë, e hëngri para kohe sëmundja, pa e lejuar t’i qasej siç dëshironte talentit të tij, ëndrrës së tij letrare, të cilën regjimi ia mohoi me cinizmin e vet djallëzor... 
Thonë se ata që duhen shumë, nuk jetojnë dot gjatë pa njëri-tjetrin. Për fatin tuaj të lumtur, sot e tutje, do të jeni pranë e pranë. Ne do ta ndiejmë mungesën tuaj për aq vjet sa na kanë mbetur.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›