Analiza 9-mujore, ministri i Shëndetësisë: Luftë korrupsionit
Nëntë muaj pas marrjes së postit, Ministri i Shëndetësisë deklaron se sistemi ka pësuar reformim të thellë. Duke analizuar këtë hark kohor, ai tha se në institucionet shëndetësore janë ulur ndjeshëm rastet abuzive, apo niveli i korrupsionit. “Ideja shumë e shtrembër që mjeku nuk më kërkoi para, megjithatë unë diçka dhashë, duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë”, tha Vasili. Ai shtoi se shërbimi shëndetësor shqiptar në diagnostikimin e patologjive tek pacientët është mjaft i saktë, duke u krahasuar edhe me vendet e rajonit. “Ne sot kemi në tavolinë qindra raste të sëmurë të diagnostikuar në sistemin publik shqiptar, të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore në vende të ndryshme, nuk kemi asnjë rast të një diagnoze të vënë në Shqipëri, e cila del e ndryshme në një vend tjetër”, tha Vasili. Një nga reformat me të rëndësishme gjatë kësaj periudhe është ajo e sistemit të referimit, e cila prej nëntorit 2009 ka filluar të zbatohet në spitale. Ministri i Shëndetësisë u ndal në rritjen e nivelet të mbulimit vaksinal. “Shqipëria vazhdon të ruajë një sistem të survejancës së sëmundjeve ngjitëse nga më të mirët në rajon, duke bërë kështu që dhe në këtë çështje të jetë lider, por njëherësh t’i kursejë para taksapaguesve shqiptarë, të cilat në të kundërt do të paguanin patologji të rënda”, tha Vasili.