Ekspozita “Pranvera Art” rikthehet në Muzeun Kombëtar
Gjini të ndryshme të artit si në pikturë, skulpturë, grafistë janë paraqitur në ekspozitën “Pranvera Art 2010” e çelur në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Kjo ekspozitë cilësohet nga organizatorët si një eveniment i rëndësishëm për sa i takon artit pamor shqiptar, pasi tradita e saj ka nisur që në vitin 1972, por për shkaqe ideologjike ajo u ndërpre dhe nuk u hap më. Pas kaq vitesh ajo vjen sërish pranë publikut. Skulptori Sotir Kosta tregon se si u realizua kjo ekspozitë, e cila mbledh rreth saj artistë të ndryshëm të artit pamor. “Kolegu ynë Llambi Bido, të cilit iu kujtua ekspozita e pranverës e viteve ’72, e cila nga regjimi totalitar u ndërpre sepse sipas tyre kaloi në ekstrem, dhe ne pëlqyem dhe e ideuam sërish këtë ekspozitë”, pohon artisti Bido. Në këtë ekspozitë janë mbi 70 punime,ndërkohë që janë 70 artistë, që kanë ardhur me dy punime. “Ka piktorë skulptorë artist, grafist, por ka një përzierje moshash kualitetesh, që nga më të moshuarit që kanë bërë emër gjatë karrierës së tyre deri të më të rinjtë. Jam përfaqësuar në këtë ekspozitë me portret të një Lumjani, të cilin e ka kohë që e kam realizuar, por jam përpjekur të ngulitem tek karakteri i tyre. Kam bërë një trajtim të skulpturës së hershme me tonën. Kjo ekspozitë ka dy vlera të mëdha, sepse ne i kthemi një tradite, e cila na shua provizorisht për një stinë të bukur si pranvera dhe vlera tjetër është që ne duhet të kemi sa më shumë pjesëmarrje në këto ekspozita, krahas ekspozitave individuale ose me grupe të ketë ekspozita masive dy herë në vit. Shumica e krijuesve e kanë pëlqyer dhe përkrahur këtë dhe duam që ne ta vazhdojmë këtë traditë”, vijon artisti. Disa nga artistët pjesëmarrës janë: Pashk Përvathi, Sotir Kosta, Adnan Veseli, Adrian Devolli, Agim Kadillari, Aleksandr Filipi, Anstas Konstadini, Andera Demçe, etj. Piktori Pashk Përvathi ndërkaq ka një ekspozitë të hapur në GKA. Sa i takon artit të tij ai njihet për tematikat që trajton. Ai ka krijuar disa cikle “tematike”. Peizazhet e tij me vjeshtë, me kuaj, me varka, me guraleca, tablotë tematike me një figurë etj. Ata që e kanë ndjekur ndër vite krijimtarinë e Pashkut kanë vënë re se si ka evoluar peneli i tij nga emocioni i drejtpërdrejtë prej natyrës.
“La canterina” dhe “Lo Speziale” vijojnë Stinën Koncertore Janar - Qershor 2010
Dy shfaqje krejtësisht të veçanta vijojnë Stinën Koncertore Janar - Qershor 2010, përgjatë datave 16 dhe 17 qershor, në skenën e Akademisë së Arteve. “La canterina” dhe “Lo Speziale” janë përkatësisht pjesët që do të zbresin për publikun shqiptar, interpretuar nga studentë të kësaj shkolle dhe nën regjinë, skenografinë e kostumografin e Nikolin Gurakuqit. Ndërkohë që këto dy shfaqje mbajnë emrin e kompozitorit të njohur Joseph Haydn dhe vijnë ndërkaq edhe në kuadër të shpalljes së këtij viti nën emrin e tij. Gjithçka vjen nën drejtimin e dirigjentit Dritan Lumshi, ndërkohë që koncertmaester është Enina Llozi dhe Elvis Peçi; konsulent artistik është prof. Burhan Spahiu dhe drejtor artistik është prof. Sokol Shupo. “La Canterina” është një intermezzo muzikore me dy akte nga autor i panjohur, ku personazhet dhe interpretet janë konkretisht: Gasparina, Arjola Bregu; Don Pelagiol, Klodian Kacani; Don Ettore, Blerta Zani; Apollonia, Anxhela Hote, Matilda Koçibelli, Shamsah Gega. Nga ana tjetër “Lo Speziale” është një dramë e gëzueshme me tre akte nga Carlo Goldoni në të cilën interpretojnë në rolin e Sempronio, Elson Braha; Mengone, Klajdi Xama; Grilleta, Marjeta Billo, Najada Lushnja; Volpino, Adela Hajredini, Fatjona Hasanbashaj.
16 Qershor 2010