Kristiano Ronaldos i mjafton vetwm shtylla
Portugalia dhe Bregu i Fildishtë luajtën një nga ndeshjet më luftarake deri tani në Kupën e Botës në ndeshjen hapëse të grupit G në “Port Elizabeth”, pavarësisht se takimi përfundoi pa gola.
“Elefantët” e Afrikës ishin dukshëm më të mirë, duke prodhuar një lojë me cilësi dhe ambicie, por ishte Portugalia ajo që pati dhe rastin më të mirë për të fituar ndeshjen kur gjuajtja e Kristiano Ronaldos goditi shtyllën në pjesën e parë. Lajmi më i bujshëm i ndeshjes kishgte të bënte me sulmuesin e fuqishëm të Celsit, Didier Drogba, që pavarësisht se rikthehej nga një rikuperim urgjent pas thyerjes së krahut, luajti 25 minutat e fundit në fushë duke frymëzuar bashkëlojtarët e drejtuar nga Sven Goran Eriksoni. Ndeshja nisi me një ritëm të shpejtë, nisur edhe nga synimi i të dyja skuadrave për t’i marrë njëra-tjetrës pikët e plota, duke pasur edhe Brazilin në “grupin e vdekjes”. Me profile të qarta sulmuese, portugezet më virtuozë me topin dhe afrikanët më atletikë në veprime, rastet nuk munguan për të dhuruar emocione në një stadium të nxehtë dhe me vuvuzelat e famshme gjithmonë në ritëm të plotë. Entuziazmi u rrit në maksimum në stadiumin “Port Elizabeth”, kur lojtari më i shtrenjtë në planet, Kristiano Ronaldo, goditi shtyllën në minutat e para të takimit me një gjuajte të fuqishme. Edhe Bregu i Fildishtë pati një rast të mirë, por gjuajtja e Ceik Tiote përfundoi më shtyllën horizontale. “Elefantët” prodhuar më shumë fuqi sulmuese, por rrezikshmëria gjithmonë e pranishme e Kristiano Ronaldos, frenoi disi lojën e Bregut të Fildishtë.
Në minutën e 65-të, “qershia” më e madhe e “tortës” së ndeshjes, Drogba hyri në vend të Kalu, por sulmuesi i fuqishëm i kampionëve të Anglisë nuk mundi të gjejë rrjetën.
Myler: “Nuk është faji i topit”
Sulmuesi i Gjermanisë, Tomas Myler, iu kundërpërgjigj ashpër deklaratave të Xhim Karager, sipas të cilit Gjermania është avantazhuar pasi e “njeh më mirë topin Jabulani”. Myler u shpreh qartë: “Nationalmanschaft” nuk është e avantazhuar nga fakti që e ka përdorur prej më shumë javësh topin zyrtar të Botërorit.
“Kjo nuk ndryshon asgjë. Një ndeshje fillon 0-0. Të gjitha ekipet kanë pasur mundësinë të përgatiten me ‘Jabulani’ përpara Kupës së Botës”, - tha Myler, autori i golit të tretë në fitoren 4-0 të Gjermanisë kundër Australisë.
Xhixhi Bufon vuan nga nervi shiatik
Portieri i Italisë, Xhanluixhi Bufon, i zëvendësuar me përfundimin e pjesës së parë në ndeshjen kundër Uruguait (1-1), vuan nga një dhimbje e nervit shiatik. “Mendova se do të kisha një problem më të rëndë, por bëhet fjalë vetëm për një dhimbje nga nervi shiatik. Shpresoj të rikuperohem brenda dy ditësh”, - tha Bufon. Trajneri i Italisë, Marçelo Lipi, flet për një “problem të vogël në shpinë”. : “Duke u kthyer për në dhomën e zhveshjes ai(Bufon) më tha se nuk mund të vazhdonte më. Ishte diçka shumë negative për ne pasi humb një ndërrim të mundshëm në këtë histori”.
Van Persi autokritik: “Nuk luajta mirë”
Edhe pse Holanda e nisi me fitore kompeticionin më të rëndësishëm në planet, atë 2-0 kundër Danimarkës, sulmuesi Robin van Persie, pranoi se ai vetë nuk ishte në diapazonin e skuadrës së tij.
“Nuk luajta dhe aq mirë, më duhet ta pranoj. Të shtunën kundër Japonisë besoj se do të jem ndryshe. Duhet që të rigjej nivelin tim në ndeshjet përgatitore”. Gjithsesi, sulmuesi holandez ishte origjina a autogolit të realizuar nga Simon Poulsen. “Më mungoi qartësia. Humba shumë topa”, - shtoi ai. Van Persi u zëvendësua në minutën e 77-të nga Ibrahim Afellay.
Lojtarët më të mirë të ndeshjeve
1. Silvi Tshabalala (Afrika Jugut)
Afrika e Jugut - Meksika 1-1
2. Diego Forlan (Uruguai)
Uruguai - Francë 0-0
3. Park Ji-Sung (Koreja e Jugut)
Koreja e Jugut –Greqi 2-0
4. Vinsent Enyeama (Nigeri)
Argjentinë – Nigeri 1-0
5. Tim Hauard (SHBA)
Angli-SHBA 1-1
6. Robert Koren (Slloveni)
Algjeri-Slloveni 0-1
7. Asamoah Gyan (Gana)
Serbi-Ganë 0-1
8. Lukas Podolski (Gjermani)
Gjermani-Australi 4-0
9. Uesli Shnajder (Holandë)
Holandë-Danimarkë 2-0
10. Keisuke-Honda (Japoni)
Japoni-Kamerun 1-0
11. Antolin Alkaraz (Paraguai)
Itali-Paraguai 1-1
16 Qershor 2010