E Diel, 1 Nëntor 2026

Kasaruho, shkrimtari që “përktheu” jetën e vet



Romani i tij i fundit, “Ikje nga trilli i perëndive” është bërë sebep që autori, Amik Kasoruho, publicist dhe njëri ndër përkthyesit më të mirë shqiptarë – të shkelë në Kosovë. Ai ka qenë mysafir në ditën e fundit të panairit të librit “Prishtina 2010”, me ftesë të shtëpisë botuese “Buzuku”, që ka sjellë në shqip romanin e tij. Në një bisedë për një të përditshme kosovare, Kasoruho zbulon rrëfimin prapa “Ikje nga trilli i perëndive”, të botuar fillimisht në italisht. Thotë se me të, ka dashur t’i tregojë botës, e në mënyrë të veçantë vendit ku jeton tash gati tri dekada, Italisë, se si ka qenë historia e shqiptarëve. Përderisa atë e ka sjellë në shqip për një arsye të fortë: gjenerata e re të mos e harrojë historinë që fshihet prapa këtij romani. I njohur si përkthyes i veprave të njohura botërore (“Kodi i Da Vinçit” të Dan Broën, seria e sagave për magjistarin Harry Potter të J. K. Roëling, janë vetëm disa prej tyre) Kasoruho kësaj radhe ka vendosur të “përkthejë” jetën e vet në romanin e fundit. “Ikje nga trilli i perëndive”, mban peshën e fatit të një njeriu, të cilin e burgosin në moshën 17-vjeçare, duke i mohuar rininë. Ky është vetëm një detaj autobiografik i Kasoruhos që ka zënë vend në “Ikje...”. Kasoruho (78) do të arrestohej në vitin 1949 kur ishte vetëm 17 vjeç, bashkë me një grup të rinjsh adoleshentë, mes të cilëve edhe një vajzë dhe e dënuan me 10 vjet burg me akuzën “se ka dashur të përmbysë me dhunë pushtetin popullor”. Kur e arrestuan dhe i pushkatuan babanë e tij, në shkurt të vitit 1951, së bashku me 22 intelektualë dhe njerëz të shkolluar për të ashtuquajturën “bombë në ambasadën sovjetike”, Amik Kasoruho ishte vetëm 20 vjeç. Pas tre vjetësh, ia pushkatuan edhe nënën. Më pas do të internohej në rrethinat e Leshnjës ku familjen që krijoi pas daljes nga burgu, ia dëbojnë për 25 vjet të mundimshëm në Gosë të Kavajës. Dhe në fund, ikja nga Shqipëria.
Të gjitha këto ai i ka hedhur në letër. “Ikje nga trilli i perëndive” ai thotë se është “përkthim i jetës së vet”. Por jo vetëm kaq. “Çdo njeri që ka jetuar në ato kohë në Shqipëri ka një tregim të tij në këtë roman. Është jeta dhe historia e secilit shqiptar që ka jetuar kohën e asaj periudhe të tmerrshme për shqiptarët”, thotë Kasoruho. “Është një përkthim i vetvetes”, shton ai duke mos dashur që ta kujtojë aq shumë këtë periudhë.
Njeriu që solli në shqip veprat e Franc Kafkës, Luigi Pirandellos, Vicente Blasco Ibanez, Tracy Chevalier, Isabelle Allendes si dhe ia ofroi lexuesit italian veprat e Fatos Kongolit, Azem Shkrelit, Pirro Mishës – thotë se përkthimi dhe shkrimi nga uni i tij nuk dallojnë shumë. “Edhe kur përkthej, edhe kur shkruaj, punoj me të njëjtën ndjejnë. Kur përkthen edhe ti je një autor, apo ndryshe, një lloj autori i atij libri për popullin tënd”, thotë Kasoruho. Ai ndalet tek përkthimi i “Harry Potterit”. Dhe për këtë ai ka një arsye.
“E veçanta e këtyre librave ka qenë se shumica e lexuesve kanë qenë fëmijë ose adoleshentë, dhe është shumë e zorshme, por edhe kënaqësi që t’u japësh atyre më të mirën, më të thjeshtën, por me imagjinatë të bukur që ato romane kanë”, thotë ai.
Por ka diçka që autorit te “Çmimi i një ëndrre”, “Ankthi gjysmë shekullor - Shqipëria e Enver Hoxhës”, “Një fluturim tepër i gjatë në një orë udhëtimi”....nuk mund t’ia falë përkthimi i një vepre – rrëfimi në veten e parë. Për këtë ai thotë se me romanin e tij të fundit “Ikje nga trilli i perëndive” nuk i ka thënë të gjitha. “Do të rikthehem përsëri. Ne kemi histori të cilat duhen treguar. Duhet ta përkthejmë secili veten”, thotë Amik Kasoruho.

Adrian Paci ekspozon për herë të parë në Zvicër
Video të reja dhe piktura të frymëzuara nga Pier Paolo Pasolini janë në qendër të ekspozitës "Motion Picture(s)" e cila prezanton për herë të parë artistin shqiptar, Adrian Paci në Kunsthaus Zürich. Veprat paraqesin momente kryesore të njerëzimit dhe përmbledhin pasojat e konflikteve dhe shkatërrimit social. "Electric Blue" është një punë e re në video krijuar posaçërisht për ekspozitën në Kunsthaus. Është titulli i një seriali televiziv erotik prej atij që ka qenë kanali shtetëror i Jugosllavisë, një nga pak zbavitjet e mundshme në komunizëm. Vepra, prodhuar në bashkëpunim me Kunsthaus Graz, është realizuar në qytetin e lindjes së Pacit, Shkodër. Këtë vend ai e ka përdorur më parë për prodhimin e videos "Turn on", e cila u shfaq më 2005 në Bienalen e Venecias.Te "Electric Blue" ai tregon historinë e një burri që përpiqet të fitojë diçka për mbijetesën e familjes ndërkohë që vendi kishte hyrë në kolaps në prag të rënies së komunizmit, më 1990. Por videoja, 15 minuta e gjatë, është më shumë se një dokument historik. Ajo merret me tema të rëndësishme për njeriun: me dështimin dhe pasojat e luftës dhe shkatërrimit social tek njerëzit; me dëshirën për t'i shpëtuar varfërisë; me dashurinë, seksin dhe pasionin. Adrian Paci (lindur më 1969) fillimisht është shkolluar si piktor. Për këtë arsye kuratorja Mirjam Varadinis zgjodhi për ekspozitën e tij të parë në një muze zviceran një pikturë të re , "Secondo Pasolini" (2010), e cila e zhvendos mediumin e filmit në pikturë. Për këtë vepër në përmasa të mëdha Paci në të vërtetë ka zbërthyer filmin e famshëm "Racconti di Canterbury" (1972) të Pier Paolo Pasolinit duke shkëputur kuadro të veçanta dhe duke i pikturuar ato. Ky pozicion - ndërmjet imazhit filmik dhe kuadrit të ngrirë, filmit dhe pikturës - është karakteristikë për veprën e Pacit. Ai ka krijuar punë të ngjashme ku i referohet më herët në karrierën e tij Pier Paolo Pasolinit, dhe është e logjikshme që kërkimi i ri i artistit në pikturë dhe film të ketë në plan të parë regjisorin e njohur, i cili i referohet në filmat e tij pikturës së Rilindjes Italiane. Ekspozita paraqet edhe punë më të hershme të Pacit "Albanian Stories" (1997) dhe "The Last Gestures" (2009), video instilacioni i tij me katër pjesë. Aty është prekur largimi i nuses nga familja prindërore, një ritual i rrënjosur në kulturën shqiptare. Në fakt, Paci nuk është aq i interesuar për paraqitjen e një realiteti të veçantë të vendlindjes së tij se sa në tiparin e ritualit të gjesteve që përmban ky zakon.

16 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›