E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analiza, dyfishohen rastet e vetëvrasjeve në vend



Janar-qershor, 88 viktima vetëm nga vetëvrasjet

Depresioni, hidhet nga kati i gjashtë 47-vjeçari

Rënie e krimeve të rënda, rritje e zbulueshmërisë së krimeve. Goditen grupe kriminale dhe arrestohen pjesa më e madhe e tyre, një arritje kjo e policisë në bashkëpunim edhe me Prokurorinë. Rënie e kultivimit të drogës, ndërkohë që Shqipëria shihet si një vend tranziti për heroinën e kokainën drejt vendeve perëndimore, aktualisht me shifra në ulje. Dhe, me gjithë këto rezultate vërtet të kënaqshme për Policinë e Shtetit, ngeli një pikë e dobët, ku pavarësisht masave parandaluese, këto dy vepra penale janë kthyer në një fenomen shqetësues për policinë, vetëvrasjet dhe dhuna në familje. Madje, vetë kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, e pohon një fakt të tillë shqetësues, duke shtuar se vetëvrasjet aktualisht janë dy herë më të larta në numër se vrasjet. Për muajt janar-qershor kemi 44 vrasje, ndërkohë që për të njëjtën periudhë kohore numërohet dyfishi i akteve vetëvrasëse, konkretisht 88 raste. Gjatë paraqitjes së statistikave për gjashtëmujorin që kaloi, Prençi u shpreh se “mbetet shqetësues shkaktimi i vetëvrasjes. Për këtë periudhë janë evidentuar 73 raste të vetëvrasjes dhe 15 raste të tentativës për vetëvrasje”.

Vetëvrasja e 47-vjeçarit

Fenomen mjaft shqetësues, ndërkohë që është gati e pamundur të parandalohet nga policia si kategori vepre penale. Vetëm në 48 orët e fundit, numri i personave të vetëvrarë shënon 4, ndërkohë që këtij numri iu shtua mëngjesin e djeshëm edhe një tjetër. Shkak për të gjithë është deklaruar depresioni. Kështu, mëngjesin e djeshëm, një 47-vjeçar nga Tirana ka vrarë veten, duke u hedhur nga kati i gjashtë i pallatit ku banonte. Fakti konfirmohet nga policia e kryeqytetit, e cila deklaroi se Bilal Brahimllari, i lindur në Fier dhe banor në rrugën “Komuna e Parisit”, në Tiranë, është hedhur rreth orës 3 të mëngjesit nga ballkoni i apartamentit ku banonte, ndërkohë që familjarët e tij ishin në gjumë. Nga grupi hetimor i pranishëm në vendngjarje bëhet e ditur se personi në fjalë vuante nga depresioni prej 18 vjetësh, ndërkohë që mendohet se edhe aktin fatal e ka ndërmarrë në kushte të tilla.

Vetëvrasjet

Vit pas viti, statistikat e policisë shënojnë një rritje të ndjeshme në rastet e vetëvrasjeve. Kështu, referuar statistikave zyrtare të Policisë së Shtetit, nga viti 2005 deri në vitin 2007 kemi një rritje prej 18 rastesh, pra 10-18 raste çdo vit. Ndërkohë që 88 akte vetëvrasëse kemi vetëm 6-mujorin e parë të vitit 2008, teksa numërohen edhe më tepër vetëm për muajin korrik, ky i papërfshirë në statistikat 6-mujore. Aktet vetëvrasëse janë kryer me mënyra dhe mjete të ndryshme, siç mund të përmenden vetëvrasjet me armë zjarri, raste të pakta më armë të ftohta, fostoksinë, duke u hedhur në zjarr apo dhe nga lartësi, si ballkonet, dritaret apo sheshpushimet e pallateve.

Detaje

217 vetëvrasje të kryera me mjete dhe mënyra të ndryshme gjatë vitit 2005

231 vetëvrasje të kryera në mënyra dhe me mjete të ndryshme gjatë vitit 2006

235 vetëvrasje të kryera për vitin 2007

88 vetëvrasje të kryera në 6-mujorin e parë të vitit 2008

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›