E Shtunë, 31 Tetor 2026

shkurt, policia

Elbasan

Vdes aksidentalisht 21-vjeçari Krraba

Një 21-vjeçar ka vdekur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, si pasojë e një aksidenti automobilistik në aksin rrugor Elbasan–Fabrika e Çimentos. Burime të policisë bënë të ditur se 21-vjeçari Mirian Krraba, lindur e banues në fshatin Balëz e Poshtme të Komunës Bradashesh, student në Fakultetin e Inxhinierisë në Tiranë, ka gjetur vdekjen në spitalin rajonal si pasojë e aksidentit të ndodhur 4 km në dalje të qytetit të Elbasanit, në aksin rrugor Elbasan–Fabrika e Çimentos. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se 21-vjeçari ka qenë pasagjer në një mjet të tipit “Benz” me targa Elbasani, ku drejtuesi i mjetit, si pasojë e shpejtësisë së madhe, ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në një kanal 20 metra larg rrugës automobilistike. Aktualisht, drejtuesi i mjetit ndodhet i shtruar në spitalin kirurgjik jashtë rrezikut për jetën. Pas kurimit, ai do të shoqërohet në polici, pasi akuzohet për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.

Mamurras

Përplaset me trenin, aksidentohet kryebashkiaku i Mamurrasit

Kreu i Bashkisë së Mamurrasit, Dedë Ndreca, është aksidentuar paraditen e djeshme me makinë pranë stacionit të trenit. Sipas policisë, makina e Ndrecës, e cila drejtohej nga shoferi i tij personal, është përplasur me trenin e linjës Tiranë-Shkodër. Menjëherë pas aksidentit, Ndreca është dërguar në spital ku ka marrë dhe ndihmën e shpejtë. Sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e tij është jashtë rrezikut për jetën. Policia shkoi menjëherë në vendngjarje dhe tashmë po punon për zbardhjen e motiveve të aksidentit automobilistik.

Tiranë

Gjenden mjete policie në autobus, pranga 35-vjeçarit

Në orët e vona të së premtes duke u gdhirë dita e djeshme, konkretisht rreth orës 01:00, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë ushtruan një kontroll në rrugën “Hasim Vokshi”, në autobusin me targa TR 1059 M, në pronësi të shtetasit Shefqet Geca, 35 vjeç, lindur në Has dhe banues në Tiranë. Gjatë këtij kontrolli, shtetasit Geca iu gjetën dhe iu sekuestruan një radio policie dhe një shkop gome, të cilat i posedonte ky shtetas. Pasi u kryen veprimet procedurale, materialet i kaluan Prokurorisë, për veprën penale të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve të ftohta”, parashikuar nga neni 279 i Kodit Penal.

Policia

Tentojnë vjedhjen e dyqanit të shtetasve kinezë, prangosen

Policia e kryeqytetit vuri dje në pranga shtetasit Nurian Nina, 28 vjeç dhe Pëllumb Nina, 26 vjeç, pasi u kapën në flagrancë nga Patrulla e Përgjithshme e Policisë së Komisariatit Nr. 4, duke tentuar të vidhnin një dyqan në “Rrugën e Dibrës”, në pronësi të një shtetaseje me shtetësi kineze. Sipas burimeve policore, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një levë xhiro makine, një kaçavidë, një çekiç dhe një dryn i thyer, i cili u gjet në derën e dyqanit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale të “vjedhjes së mbetur në tentativë” në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 134/2 dhe 25 të Kodit Penal.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›