Mohon akuzën, gjykata lë në burg Ben Çamin
Gjykata e Krimeve të Rënda ka vlerësuar dje masën e sigurisë “arrest me burg” për Lufti Shabanin, të njohur ndryshe si Ben Çami. Përpara gjyqtarit të gatshëm, Gurali Brahimllari, Shabani ka mohuar të jetë pronari i sasisë prej 15 kg lënde narkotike e llojit heroinë, të sekuestruar katër ditë më parë pas arrestimit të tij. Sipas burimeve nga gjykata, ky i fundit ka bërë me dije se nuk ishte në dijeni të sasisë së drogës që ndodhej në makinën e tij. Ndërsa mbrojtja e tij ka kërkuar nga gjykata caktimin e një mase sigurie më të butë sesa masa e caktuar më parë nga prokuroria. Nga ana tjetër, prokurori i çështjes i ka kërkuar gjykatës caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, masë kjo e cila ishte vendosur në mungesë disa ditë më parë po nga kjo gjykatë. Gjyqtari i gatshëm ka lënë në fuqi masën e sigurisë së “arrestit me burg”. Sipas prokurorisë Lufti Shabani, i dënuar vetëm një vit më parë si pjesëtar i grupit “Identikit”, u arrestua mbrëmjen e katër ditë më parë në autostradën mes Kavajës dhe Durrësit me 15 kilogramë heroinë në bagazhin e makinës së tij. Sipas hetimeve ka rezultuar se ai ishte duke udhëtuar me një automjet tip BMW me targa DR 35 45 E, kur është ndaluar nga policia, në afërsi të Golemit. Gjatë një kontrolli të ushtruar në makinën e tij janë gjetur plot 30 pako me heroinë, të mbështjella me letër natribani, të cilat ishin fshehur në bagazh. Sipas hetimeve, droga kishte si destinacion Durrësin, prej nga mendohet se do të trafikohej në drejtim të brigjeve italiane, ndërsa vendi i origjinës ende nuk është zbuluar. Prokurori i ka bërë me dije gjykatës se i pandehuri Ben Çami ka mundur të rifutet në linjën e trafikut të drogës, menjëherë pasi ka dalë nga burgu, ndërkohë që bashkëpunëtorët e tij ndodhen ende në qeli.