Analiza e Policisë së Shtetit, arritje domethënëse në luftën kundër krimit- garanci për menaxhimin e rreptë të kufijve dhe respektimin e standardeve “Schengen”

Policia e Shtetit analizoi sot punën 1 vjetore të këtij organi të rëndësishëm të funksionimit të shtetit ligjor, mes sfidave dhe vështirësish të zakonta dhe pazakonta, në një betejë të egër me luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit të lëndëve narkotike si dhe detyra e re që bëhet e imponueshme, respektimi dhe zbatimi i direktivave të ligjeve dhe rregullave të zonës “Schengen”. Në takimin e realizuar sot, kryeministri i vendit Sali Berisha vlerësoi punën e Policisë, ndërsa kërkoi angazhim maksimal në kontrollin e kufijve. Po ashtu, edhe ministri Basha informoi se Policia e Shtetit do ushtrojë një plan të ri masash për liberalizimin e vizave. Nga ana e tij, drejtori Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, konstatoi se viti 2010 ka qënë një vit plot me suksese për punën e policisë në luftën kundër krimit të organizuar, bandave të trafikut, korrupsionit., etj.
Berisha: Detyra e Policisë, kontrolle të rrepta në kufijtë detar, ajror dhe tokësor
Një ditë para hyrjes në fuqi të vendimit të BE- së për liberalizimin e vizave, kryeministri Berisha i kërkon policisë marrjen e masave për të mos dëmtuar qytetarët e vendeve të tjera nga krimi i ardhur nga kriminelët shqiptarë. Në analizën vjetore të policisë së shtetit, kryeministri duke iu drejtuar drejtorit të policisë së shtetit Hysni Burgaj dhe ministrit të Brendshëm Basha kërkoi hartimin e një plani të ri masash për t’iu përgjigjur me seriozitet bashkëpunimit me vendet e tjera. “Shtoni kontrollin në kufijtë detar, ajror e tokësor. Ju takon ju të jepni garanci për një bashkëpunim në mënyrë që qytetarët e vendeve europiane të mos kenë shqetësime. Në çdo vend ka kriminalitet dhe asnjë qeveri tjetër nuk ka pse të marrë përsipër dhe kriminalitetin e një vendi tjetër. Do të bëjmë çdo gjë që krimi të mos mund të përdoret në dëm të interesave të qytetarëve të vendeve të tjera”- u shpreh kryeministri Berisha. Shefi i ekzekutivit vlerësoi përparimet e policisë në luftën kundër drogës, por kujtoi se i takon atyre që kur “të ndalojnë kamionin me drogë, të ndalojnë dhe drejtuesin e automjetit”, për të cilin shpesh raportohet se është larguar në drejtim të paditur. “Doganierit mund t’i shpëtojë drejtuesi, pasi gjatë kontrollit të automjetit për drogë ai mund të jetë larguar, por jo juve”- theksoi kryeministri. Ndërsa duke u ndalur te aksidentet rrugore, kreu i qeverisë kërkoi angazhim maksimal të forcave të rendit, në minimizimin e aksidenteve. “Policia e Shtetit të vendosë mesataren e vendeve të BE si objektiv përsa i takon aksidenteve rrugore”- kërkoi kryeministri Berisha.
Basha: Viti 2010-të, me dinamiku dhe me reforma rrënjësore në Policinë e Shtetit
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha vlerësoi si të suksesshme punën e Policisë së Shtetit, gjatë vitit 2010-të. Gjatë analizës vjetore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ministri Basha përshëndeti zotimin dhe përkushtimin e policisë në realizimin e objektivave të përcaktuara. Basha tha se viti 2010-ë ka qënë dinamik me projkete të mëdha dhe me reforma rrënjësore. “Gjatë këtyre 12 muajve, Policia arriti të analizojë me sukses gjithë detyrat”- theksoi ministri i Brendshëm Lulzim Basha.
Drejtori i Policisë, Burgaj: Arritjet e një viti në luftë pa kompromis me krimin e organizuar
Drejtori i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj u shpreh sot se viti 2010 ka qënë një vit plot me suksese për punën e policisë në luftën kundër krimit të organizuar, bandave të trafikut, korrupsionit. Vlerësimin Burgaj e bëri gjatë bërjes publike të Analizës së Punës vjetore të Policisë së Shtetit. Burgaj theksoi se gjatë këtij viti krimi i organizuar ka shënuar rënie, krahasuar me vitin 2009. Kreu i policisë së shtetit tha se gjatë këtij viti janë kryer 4 operacione ndërkombëtare, janë shkatërruar 21 grupe kriminale që operonin në vend. Gjatë vitit 2009, Policia e Shtetit ka ekstraduar 46 persona. Në pranga gjatë këtij viti për vepra të ndryshme penale kanë rënë 1 920 persona të shpallur në kërkim ndërsa janë shënuar 453 vepra penale. Burgaj theksoi se gjatë këtij viti është shënuar dhe një rënie e numrit të vrasjeve të personit në vend, krahasuar me një vit më parë. Në lidhje me luftën kundër drogës, Burgaj tha se është pësuar një rënie e transportit të drogërave përmes Shqipërisë. Gjatë këtij viti tha ai, janë goditur 47 grupe të narkotikut ndërsa është shënuar dhe një rënie e kultivitimit të narkotikëve në vend. Kreu i Policisë së Shtetit gjithashtu u ndal dhe në luftën kundër dhunës në familje. Burgaj tha se ky fenomen është ende evident në vend, ku gjatë këtij viti janë shënuar plot 1974 raste të kësaj lloj dhune. Burgaj tha se lufta kundër korrupsionit nuk ka kursyer as zyrtarë në detyrë, ku disa janë prangosur dhe po gjykohen për veprat penale. Kjo nuk ka kursyer as efektive policie, ku jane kryer 37 perjashtime nga radhet e policise. Ndërkohë duke iu referuar aksidenteve të ndodhura gjatë këtij viti Burgaj theksoi se numri i aksidenteve është rritur me 9 përqind në krahasim me vitin e kaluar. Kështu sipas tij janë shënuar 1468 aksidente ku kanë humbur jetën 365 persona. Sipas tij shkak për aksidentet është bërë rritja e intesitetit të lëvizjes dhe konkretisht në periudhën e verës.
Standardet “Schengen”, menaxhim i rreptë i kufijve
Sipas tij gjatë këtij vitit është bërë edhe një menaxhim i kufijve sipas standarteve të vendeve “Schengen” si dhe përmirësim i legjislaturës së policisë të shtetit për përqasjen e standarteve të Bashkimit Europian. Burgaj theksoi se Policia e Shtetit do jetë në gatishmëri të plotë, për të respektuar normat dhe ligjet e komunitetit Evropian, kryesisht ato të lëvizjes pa viza në hapësirën “Schengen”.
...