20 vjetori i PD-së, Berisha: Kombi rrëzoi tradhtinë dhe robërinë e sistemit eksperimental komunist

Në 20 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, lideri i saj Sali Berisha, vlerësoi lart veprën e çmuar të të rinjve të Lëvizjes së Dhjetorit, të cilët realizuan ëndrrën e Shqipërisë dhe shqiptarëve për liri, edhe pse vendi ndodhej nën protektoratin e pushtetit komunist eksperimental. Festa e organizuar sot pasdite në Pallatin e Kongreseve përkujtoi lëvizjet e para të studentëve dhe të rinjve, në përpjekjet e tyre heroike për liri dhe pluralizëm. Duke përkujtuar organizatorin e lëvizjeve demonstrative, ku pjesë e së cilës u bënë jo vetëm studentët dhe të rinjtë, por edhe pedagogë nga i gjithë vendi, Azem Hajdari, kryetari i PD-së, Berisha premtoi realizimin e idealit të tij, idealit evropian të Shqipërisë dhe shqiptarëve. “Azem ti je gjallë! Festojmë sot themelimin e të parës parti opozitare në historinë e vendit, PD-në. Ngjarjen më të madhe të Shqiptarëve, pas shpalljes së Pavarësisë. Të dëshiruar për të realizuar ëndrrën europiane, studentët në dhjetor të vitit 90-ës nxitën demonstrata, për të fituar lirinë e shumë pritur për të gjithë shqiptarët, ngjizjen e pluralizmit dhe ngritjen e të parës forcë politike. Të rinjtë shqiptarë në dhjetor të vitit ‘90-të treguan trimëri të pashembullt, shembën murin e Berlinit duke mbushur ambasadat, e gjunjëzuar pushtetin, por jo të ndalonte marshin e qytetarëve ku në datën 8 dhjetor, me në krye Azem Hajdarin, do të nisnin Lëvizjen e Dhjetorit, duke mbushur sheshet e qytetit dhe në datën 11 dhjetor do të themelonin partinë e parë pas pluralizmit”- u shpreh kryeministri Berisha. Shefi i ekzekutivit kritikoi sistemin komunist, duke e cilësuar atë si eksperimentin më të shëmtuar. Kryeministri uroi çdo qytetar shqiptarë për ditën e lirisë dhe pluralizmit. “PD u themelua si parti e interesit kombëtar të tradhtuar. Si parti e popullit të lirë”- tha Berisha. Ndryshimet rrënjësore të fill viteve ‘90-të, kryeministri tha se ndodhën falë rolit të 3 personaliteteve më të mëdha botërore, presidentit Roland Regan, Papa Gjon Pali II dhe presidenti i ish- BS, Mikhail Gorbaçov.
“3 personalitete botërore luajnë rolin më të veçantë, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Roland Regan, më 12 qershor të vitit 1990-të, do të shprehej se “çështja e lirisë gjermane, është çështje e lirisë së njerëzimit”. Papa Gjon Pali i Dytë do të kthente kishën Katolike në strehë të njerëzve të vuajtur dhe të shtypur për dekada me radhë. Këta ndikuan në shembjen e murit të regjimit. Kërkuan ngritjen e popullit të shembte murin e Berlinit dhe rënien e perdes të hekurt duke shembur regjimet totalitare. Më pas, presidenti Bush dhe kancelari Kôhl, qëndruan në themel të simbolit të lirisë. Shqipëria hoxhiste vinte nën varfërinë, shtypjen dhe represionin më të egër në kontinent”- tha Berisha. Kreu i qeverisë, në fund të fjalës se tij deklaroi se Shqipëria do të vijojë rrugëtimin drejt konsolidimit të aspiratës së saj evropiane. Në përfundim, kryeministri solli në vëmendje se 20 vjet më parë populli shqiptar ishte kombi më i copëtuar dhe i nëpërkëmbur ndër dekada me radhë. Por, tha Berisha, 20 vjet më pas, shqiptarët kanë marrë solidaritetin dhe mbështetjen më të madhe ndërkombëtare. “Ne, 20 vjet më parë ishim kombi më i copëtuar, i zhytur në horrin e historisë. Njohëm në këto 20 vjet mbështetjen, solidaritetin dhe mbështetjen më të madhe të homologëve tanë ndërkombëtarë”- deklaroi kreu i qeverisë. Kryeministri cilësoi se qytetarët e Tiranës do të mbushnin sheshet dhe rrugët e Tiranës, për kapitullimin e regjimit të egër, për të themeluar pluralizmin politik, themelimin e Partisë Demokratike, të parës forcë politike opozitare në Shqipëri.
Festa
Partia Demokratike organizoi sot pasdite një aktivitet me rastin e 20-vjetorit të krijimit të saj. Festa, e cila u shty për shkak të përmbytjeve në Shkodër, u organizua në Pallatin e Kongreseve në orën 18:00. Ndërkaq, nesër do të organizohet një koncert festiv në sheshin “Nënë Tereza”, për udhëtimin pa viza të qytetarëve shqiptarë. Në festë pritet të jenë të pranishëm kreu i qeverisë Berisha, ministra të kabinetit qeveritar dhe deputetët e mazhorancës.
...