Analiza e rezultatit, aleatët “fantazmë” të Berishës i siguruan PD-së 5 mandate shtesë
Shaban Sulçe
Rezultati zgjedhor i 28 qershorit qartësoi gjithnjë e më tepër se një nga faktorët e fitores së Partisë Demokratike kishte të bënte me krijimin e një koalicioni të madh partish. 17 parti, shumica e të cilave ishin joparlamentare, të cilave u shkonte për shtat termi “fantazmë”, konkurruan nën siglën e koalicionit “Aleanca e ndryshimit”. Megjithatë, votat e marra prej tyre bënë diferencën. Strategjia e kryeministrit Berisha rezultoi shumë e suksesshme, pasi vetëm nga votat që fituan 11 partitë parlamentare, Partia Demokratike arriti të fitonte 5 mandate shtesë në Kuvend. Thënë më qartësisht, PD-ja dhe koalicioni i saj do të kishin 5 vende më pak në Kuvend në rast se nuk do të afronin 11 partitë e vogla joparlamentare nga 17 që ishte numri total i partive në koalicion.
Mandatet
Numri total i votave të fituara nga partitë e vogla joparlamentare, aleate të PD-së në zgjedhjet e 28 qershorit, ishte rreth 50 mijë. Votat e tyre kishin një peshë mjaft të madhe në fitimin e 5 mandateve shtesë për PD-në, konkretisht në qarqet Tiranë, Vlorë, Fier, Elbasan dhe Korçë. Kështu, në qarkun e Tiranës, aleatët “fantazmë” fituan 7200 vota, duke i garantuar PD-së mandatin e 15-të. E njëjta situatë ndodhi edhe në qarkun e Vlorës. Partitë e vogla parlamentare grumbulluan 7000 vota, duke penguar PS-në që të fitonte mandatin e tetë dhe duke ndikuar në rezultatin 7 me 5 midis dy koalicioneve. Në qarkun e Fierit, votat e fituara nga partitë joparlamentare, si Partia për Drejtësi dhe Integrim, si nga Partia e Legalitetit, i mohuan mandatin e 10-të Partisë Socialiste dhe i dhanë mandatin e 6-të Partisë Demokratike. Votat e partive të vogla ishin mjaft përcaktuese edhe në ndarjen e barabartë të mandateve midis PD-së në qarqet Elbasan dhe Korçë.
Aleatët
Aleatët parlamentarë dhe joparlamentarë të Partisë Demokratike rezultuan shumë më eficientë në krahasim me 4 partitë aleate që bënin pjesë në koalicionin e drejtuar nga Partia Socialiste.
Votat e grumbulluara në total nga të gjitha partitë aleate të PD-së në zgjedhjet e 28 qershorit ishin 102 mijë, 34 mijë vota më shumë se sa votat që grumbulluan partitë aleate të Partisë Socialiste. Në 9 qarqe aleatët e PD-së fituan vota më shumë në krahasim me votat e grumbulluara nga partitë aleate të Partisë Socialiste. Kështu, në qarkun e Fierit, aleatët e PD-së kanë fituar 8900 vota më shumë se sa aleatët e PS-së; në qarkun e Elbasanit 6500 vota më shumë; në qarkun e Tiranës 5800 vota më shumë; në qarkun e Durrësit 4100 vota më shumë; në qarkun e Dibrës 4500 vota më shumë; në qarkun e Shkodrës 4700 vota dhe në qarkun e Lezhës 5100 vota më shumë. Edhe në qarkun e Beratit, partitë aleate të PD-së fituan 79 vota më shumë se sa partitë aleate të PS-së, ndërkohë që vetëm në tri qarqe aleatët e PS-së arritën të grumbullonin më shumë vota se sa aleatët e PD-së.
Interesant është fakti se votat e marra nga aleatët kanë rezultuar përcaktuese për koalicionin e majtë vetëm për qarkun e Vlorës. Në këtë qark, aleatët e PS-së fituan 1500 vota më shumë se sa aleatët e PD-së dhe kjo falë PBDNJ-së, e cila siguroi mandatin e saj të deputetit. Në qarkun e Kukësit, aleatët e PS-së fituan 4900 vota, 2000 më shumë se aleatët e PD-së, megjithatë kjo nuk e ndihmoi koalicionin “Bashkimi për ndryshim”, i cili fitoi vetëm një mandat, kundrejt 3 mandateve të fituara nga koalicioni “Aleanca e ndryshimit”. Ndërkohë, edhe në qarkun e Gjirokastrës, po falë Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, aleatët e majtë arritën të fitonin 2700 vota më shumë se aleatët e djathtë.
Zgjedhjet, vetëm gjashtë nga 34 parti do të jenë në Kuvend
Nga numri i madh i partive politike që morën pjesë në zgjedhjet e 28 qershorit, vetëm 6 prej tyre siguruan përfaqësimin në Kuvendin e ri. Sistemi proporcional rajonal dhe formula “D’hondt” rezultoi fatale për partitë e tjera, ndërkohë që favorizoi ndjeshëm dy partitë e mëdha, Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike. PS-ja do të ketë në Kuvendin e ardhshëm 66 deputetë, ndërsa Partia Demokratike 68. Ndërkaq, partitë e tjera parlamentare do të jenë LSI-ja, me katër deputetë, Partia Republikane me 1 deputet, Partia për Drejtësi dhe Integrim 1 deputet dhe Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut po me 1 deputet.
PDI-ja, e vetmja parti që nuk arriti 1% të votave, por siguroi vendin në Parlament
Është 28 numri i partive politike që nuk arritën të fitonin as 1% të votave që hodhën shqiptarët në kutitë e votimit në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Interesant është fakti se të gjitha këto parti cilësoheshin si pretendente për të pasur të paktën një mandat në Kuvendin e ri. Por po aq interesant është fakti se midis tyre gjendet edhe Partia për Drejtësi dhe Integrim, e cila, ndonëse nuk ka arritur 1% të numrit të përgjithshëm të votave, do të jetë e përfaqësuar në Kuvend. Kjo për shkak të favorizimit që kjo parti përfiton nga sistemi proporcional rajonal, nga formula “Sant Laguë” dhe nga rezultati i mirë që ajo arriti në qarkun e Vlorës.
Shifra
102 mijë ka qenë numri i votave që morën partitë aleate të PD-së në 28 qershor
34 mijë është diferenca midis votave të marra nga aleatët e PD-së ndaj votave të marra nga aleatët e PS-së
50 mijë është numri i votave të marra nga partitë e vogla joparlamentare, aleate të PD-së
5 numri i mandateve që ka siguruar PD-ja vetëm nga partitë e vogla parlamentare
9 numri i qarqeve ku aleatët e PD-së fituan më shumë vota se aleatët e Partisë Socialiste
Tabela
Votat e fituara nga partitë e koalicionit “Aleanca e ndryshimit”
Koalicioni Aleanca e Ndryshimit
Aleanca Demokratike 4.682 vota 0,31%
Bashkimi Liberal Demokrat .008 vota 0,33%
Lidhja Demokristiane 6.095 vota 0,40%
Partia Agrare Ambientaliste 13.296 vota 0,88%
Partia Aleanca e Maqedonasve 1.043 vota 0,07%
Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet 1.067 vota 0,07%
Partia Balli Kombëtar 5.112 vota 0,34%
P. Balli Kombëtar Demokrat .177 vota 0,27%
Partia Demo. e Re Europiane 2.111 vota 0,14%
Partia Demokratike 610.463 vota 40,18%
Partia e të Drejtave të Mohuara 1.408 vota 0,09%
Partia Forca Albania 319 vota 0,02%
Partia Lëvizja e Legalitetit 10.711 vota 0,71%
Partia Ora e Shqipërisë 786 vota 0,05%
Partia për Drejtësi dhe Integrim 14.477 vota 0,95%
Partia Republikane 31.990 vota 2,11%
Totali 712.745 vota 46,92%
Votat e fituara nga koalicioni “Bashkimi për Ndryshim”
PBDNJ 18.078 vota 1,19%
Partia Demokracia Sociale 10.395 vota 0,68%
Partia G 99 12.989 vota 0,86%
Partia Socialdemokrate 26.700 vota 1,76%
Partia Socialiste 620.586 vota 40,85%
Totali 688.748 vota 45,34%
4 Shtator 2009