Megociatat, PR e PDI presin telefonatën e Berishës
Dita e djeshme shënoi ditën e dytë të negociatave për krijimin e qeverisë së re, por nuk u zhvillua asnjë takim mes kryeministrit Berisha dhe kryetarëve të dy partive aleate. Madje, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, dhe ai i Partisë për Drejtësi dhe Integrim, Tahir Muhedini, janë shprehur dje për mediat se nuk kanë pasur asnjë komunikim me kryeministrin Berisha dhe se mbeten në pritje të njoftimit të tij. Nga ana tjetër, Kryeministria nuk bën të ditur asnjë datë se kur do të zhvillohen takimet mes palëve për t’u dhënë fund negociatave të PD-së me partitë aleate të koalicionit. Pas marrëveshjes me LSI-në duket se kanë mbetur katër ministri për të cilat ende nuk përfliten titullarët. Burimet bëjnë të mundur se këto dikastere janë në dispozicion të marrëveshjes që kreu i qeverisë do të nënshkruajë me aleatët.
Marrëveshjet
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, pak kohë më parë u shpreh se PR-ja kërkon të drejtojë Ministrinë e Bujqësisë. Ky është një dikaster i rëndësishëm që gjatë katër viteve të kaluara u drejtua nga deputeti i PD-së, Jemin Gjana. Mësohet se demokratët do të vazhdojnë ta mbajnë për vete këtë dikaster, pavarësisht kërkesës së PR-së për të realizuar reformën e pronësisë, që është një ndër prioritetet e programit politik të republikanëve. Sipas burimeve nga PD-ja pritet që Fatmir Mediu të marrë postin e ministrit të Mjedisit dhe dy poste zëvendësministrash.
Ndërkaq, Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Punës, Çështjeve Sociale kanë qenë dy kërkesat e Partisë së komunitetit çam për Drejtësi e Integrim. Kryetari i kësaj partie, Tahir Muhedini, bëri të ditur se do t’i parashtrojë kreut të PD-së kërkesën për të marrë postin ose të ministrit të Mjedisit, ose të ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale. Po kështu, PDI-ja synon dy poste zëvendësministrash dhe dy poste ambasadorësh në vendet e BE-së dhe në SHBA. Vazhdon të mbetet në pikëpyetje pozicioni i PBDNJ-së në qeverinë e re. Kjo për faktin se kryetari i kësaj partie, Vangjel Dule, ka mohuar dje për mediat se ka marrë ftesë nga Berisha për të qenë pjesë e koalicionit qeverisës. Dule është shprehur se nuk ka marrë asnjë ftesë të tillë dhe se nuk mund të flitet për një koalicion hipotetik.
Sipas burimeve nga PD-ja, janë ende katër dikastere në qeveri për të cilat do ta vazhdojnë negociatat me aleatët. Por PD-ja, sipas tyre, mund të lëshojë Ministrinë e Mjedisit dhe atë të Punës, ndërsa dy ministritë e tjera, siç është Ministria e Bujqësisë dhe Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit pritet të drejtohen nga përfaqësues të PD-së.
Aleatët
Partia Republikane
Partia për Drejtësi dhe Integrim
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut - në pritje të përgjigjes
Dikasteret
Ministria e Mjedisit
Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale
Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit
Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve
Topi takon ambasadorin e ri të Turqisë: “Vlerësojmë ndihmën e dhënë nga Turqia”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje Ambasadorin e Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë të Turqisë në vendin tonë, Hasan Sevilir Asan, me rastin e paraqitjes së letrave-kredenciale. Presidenti i Republikës shprehu mbështetjen e plotë për Hasan Sevilir Asan për realizimin e detyrës së tij diplomatike në vendin tonë me besimin që kjo do t’i kontribuojë zhvillimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të mëtejshëm mes dy vendeve dhe popujve tanë. Në vijim të bisedës presidenti vlerësoi përkrahjen dhe ndihmën e madhe që Turqia i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë procesit drejt anëtarësimit të plotë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, duke nënvizuar se Turqia ka qenë një mike e ngushtë e Shqipërisë dhe e shqiptarëve e tashmë është partnere strategjike e saj në rajon e më gjerë. Në këtë kuadër, presidenti Topi theksoi rëndësinë e thellimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve tona, po ashtu dhe në fusha të tjera me rëndësi prioritare për zhvillimin e vendit si atë të energjetikës, infrastrukturës, turizmit, telekomunikacionit etj.
Nga ana e tij, ambasadori turk, z. Hasan Sevilir Asan, shprehu kënaqësinë e veçantë për këtë prezantim dhe takim me presidentin Topi. Ai vuri në dukje se përgjegjësinë dhe kënaqësinë për marrjen e kësaj detyre të lartë në Shqipëri, një vend me kulturë dhe traditë të hershme, me një popull vital me vlera dhe histori të lashtë, duke thënë se do të japë maksimumin e tij që marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shqipërisë gjatë mandatit të tij diplomatik në vendin tonë të njohin vetëm ecuri progresive.
Topalli takon përfaqësuesen e Parlamentit gjerman, Marion Kaspers-Merk
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, priti dje në një takim Sekretaren Parlamentare të Shtetit në Ministrinë e Shëndetësisë së Gjermanisë, Marion Caspers-Merk. Gjatë bisedës kryetarja e Kuvendit vlerësoi mbështetjen që qeveria, Parlamenti dhe populli i Gjermanisë i kanë dhënë Shqipërisë. Sipas Topallit, mbështetja e Gjermanisë mbetet shumë e rëndësishme, jo vetëm në zhvillimin ekonomik, por, mbi të gjitha, në proceset e integrimit në NATO dhe në rrugën drejt BE-së. Në vijim të këtij vlerësimi, kryetarja e Kuvendit shprehu besimin në mbështetjen e Gjermanisë edhe në procesin e liberalizimit të vizave, duke e cilësuar këtë si një nga çështjet më të rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët, që vuajtën gjysmë shekulli izolim dhe që pas rrëzimit të Murit të Berlinit dhe të sistemit diktatorial shpresuan në lëvizjen e lirë në Europë. Zonja Caspers-Merk e konsideroi shumë të rëndësishme përfshirjen dhe kontributin e kryetares së Kuvendit në fushata ndërgjegjësuese mbi shëndetin e gruas, pasi, siç u shpreh ajo, ndërgjegjësimi për këto sëmundje është një sfidë e vështirë edhe në Gjermani. Kryetarja e Kuvendit, duke theksuar se shëndetësia do të jetë një prioritet në katër vitet e ardhshme, vlerësoi se mbështetja e Gjermanisë në këtë sektor, por edhe aplikimi i përvojës gjermane do të ndikojë ndjeshëm në reformimin e këtij sektori sensitiv për jetën e qytetarëve.
4 Shtator 2009