E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaj: “Bojkoti e dëmton rëndë Partinë Socialiste”



Edhe kandidati tjetër i tërhequr nga gara për kreun e Partisë Socialiste, deputeti Arben Malaj, ka kundërshtuar idenë e bojkotimit të Parlamentit nga ana e Partisë Socialiste. Me anë të një deklarate për shtyp, Malaj ka shprehur kundërshtimin ndaj këtij vendimi të pritshëm, duke e cilësuar atë me pasoja të rënda për Partinë Socialiste. “Duke pasur parasysh deklarimet e fundit nga selia e Partisë Socialiste, duke konstatuar përpjekje dhe aleanca të sforcuara për të justifikuar bojkotimin e pritshëm të Kuvendit, duke mbajtur parasysh qëndrimet më të fundit zyrtare të BE-së në lidhje me zgjedhjet, shprehem publikisht kundër veprimeve bojkotuese të Partisë Socialiste.
“Bojkotimi i Parlamentit nga Grupi Parlamentar i PS-së ka efekte negative në të sotmen dhe në të ardhmen politike të Partisë Socialiste. Ne nuk mund të jemi deputetë pa bërë betimin kushtetues. Pa qenë deputetë në Parlament ne nuk mund ta përdorim autoritetin e Parlamentit për të vërtetuar shkeljet e zgjedhjeve dhe për t’u përballur me keqqeverisjen dhe dështimet e qeverisë në krijim. Çdo qëndrim emocional dhe i imponuar që mund ta shndërrojë PS-në nga një forcë moderne dhe brenda institucioneve të vendit, në një parti radikale, dëmton rëndë investimin e përhershëm të socialistëve për të modernizuar vendin e tyre. Qëndrimet bojkotuese mund të cenojnë vlerësimin dhe mbështetjen publike, dëmtojnë kohezionin dhe bashkëpunimin në forumet e Partisë Socialiste, kufizojnë efikasitetin e Grupit Parlamentar, dobësojnë mbështetjen dhe partneritetin ndërkombëtar, duke vështirësuar fitoret tona në ballafaqimet e ardhshme vendore dhe parlamentare”, - deklaroi Malaj.

4 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›