Lista e emërimeve të Partisë Demokratike në qeveri dhe Parlament
Eljona Ballhysa
Pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit me LSI-në, aleaten kryesore në qeveri, kryeministri Berisha tani e ka kthyer vëmendjen në pozicionet që do të mbajnë deputetët demokratë në qeverinë e re. Sipas burimeve nga PD-ja mësohet se disa prej ministrave aktualë do të vazhdojnë të qëndrojnë në qeveri, ndërsa të tjerë do t’i përkushtohen karrierës politike në Kuvend dhe në PD. Sipas burimeve, deputetët që nuk do të marrin poste ministrore do të shpërblehen me poste në Kuvend dhe në PD. Deputetët demokratë janë në pritje të konstituimit zyrtar të qeverisë së re për të parë mundësitë për të marrë ndonjë post kryetari në komisionet e përhershme parlamentare. Por nënshkrimi i marrëveshjes me LSI-në duket se vërtetoi qëndrimin e Topallit në postin e kryetares së Kuvendit edhe për katër vitet e ardhshme. Ndërkaq kanë filluar të qarkullojnë emrat e deputetëve demokratë që janë favoritë për postin e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, por edhe për postet kryetarëve të komisioneve.
Qeveria
Një ditë më parë u përcaktuan zyrtarisht tre ministrat e rinj të kabinetit të ardhshëm qeveritar. Kështu, Ilir Meta do të mbajë postin e ministrit të Jashtëm dhe të zëvendëskryeministrit, Dritan Prifti postin e ministrit të Ekonomisë dhe Petrit Vasili atë të ministrit të Shëndetësisë. Burimet nga PD-ja kanë bërë të ditur se në qeverinë e re do të vazhdojnë të mbajnë postet aktuale ministri i Financave, Ridvan Bode, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, dhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Nga ana tjetër mësohet se pritet të largohet Bujar Nishani dhe në vend të tij, në Ministrinë e Brendshme mund të emërohet ose Astrit Patozi, ose Lulzim Basha.
Për të drejtuar një nga ministritë më të rëndësishme të kabinetit qeveritar, siç është dikasteri i Mbrojtjes, burimet bëjnë të ditur se kryeministri Berisha pritet të emërojë ministrin aktual të Ekonomisë, Genc Ruli. Për shkak se Ministria e Ekonomia i kaloi LSI-së, Ruli mbetet në qeverinë e re, por largohet nga Ekonomia dhe shkon te Ministria e Mbrojtjes. Ndërsa largohet përfundimisht nga qeveria ministri aktual i Mbrojtjes, Gazmend Oketa. Një tjetër ministër nga qeveria aktuale që pritet të largohet është ai i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Burimet nga PD-ja bëjnë të ditur se në vend të Alibeajt në Ministrinë e Drejtësisë ka shumë mundësi të emërohet një prej zëvendësministrave aktualë të këtij dikasteri, megjithatë, ky post vazhdon të mbetet në pikëpyetje. Po kështu, në pikëpyetje mbetet drejtimi i Ministrisë së Kulturës dhe i Ministrisë së Bujqësisë. Burimet nga PD-ja bëjnë të ditur se këto dy dikastere pritet të drejtohen nga përfaqësues të PD-së dhe nuk do t’u lihen aleatëve.
Kuvendi
Përsa i përket drejtimit të Kuvendit, tani kjo është një çështje e qartë. Postin e kryetares së Kuvendit do të vazhdojë ta mbajë sërish Jozefina Topalli edhe për katër vitet e ardhshme. Kjo e fundit, sipas burimeve, kërkoi me ngulm postin e ministres së Punëve të Jashtme. Por ky post iu dha LSI-së, ndaj dhe Topallit do t’i duhet të kënaqet me postin e kryetares së Kuvendit. Ndërkaq, pritet një vendim i kreut të qeverisë përsa i përket postit të kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së. Kjo për faktin se janë dy emra në garë për këtë post. Basha dhe Patozi përfliten që të dy se mund të marrin këtë post në rast se nuk emërohen si ministra në qeverinë e re. Përsa u përket posteve të nënkryetarëve të Kuvendit, PD-ja nuk ka të drejtë të ketë përfaqësim në këto poste. Pasi një nga postet e nënkryetarëve do të drejtohet nga Nasip Naço, deputet i LSI-së, ndërsa posti tjetër i takon opozitës.
Qeveria e re
Postet e LSI-së
Ilir Meta - ministër i Jashtëm, zëvendëskryeministër
Petrit Vasili – ministër i Shëndetësisë
Dritan Prifti – ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës
Postet e PD-së
Sali Berisha – kryeministër
Ridvan Bode – ministër i Financave
Sokol Olldashi – ministër i Transporteve
Majlinda Bregu – ministre e Integrimit
Genc Ruli – ministër i Mbrojtjes
Astrit Patozi – ministër i Brendshëm
Në pikëpyetje Ministria e Drejtësisë
Në pikëpyetje Ministria e Kulturës
Aleatët
Ministria e Bujqësisë
Ministria e Mjedisit
Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale
Komisionet parlamentare dhe emrat e deputetëve demokratë kandidatët për kryetarë
Një ndër komisionet më të rëndësishme parlamentare është ai për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Postin e kryetarit të këtij komisioni e ka mbajtur së fundi Ilir Rusmali. Burimet nga PD-ja bëjnë të ditur se Rusmali është një ndër kandidaturat më të favorizuara për të rimarrë këtë post në rast se nuk rikthehet në postin e ministrit të Drejtësisë. Një tjetër kandidaturë favorite është Arben Imami, por dhe ky me kushtin nëse mbetet pa portofol ministror. Të tjerë kandidatë për këtë post janë deputetët e spikatur të PD-së për përgatitjen në fushën e jurisprudencës, siç janë Enkelejd Alibeaj, Fatos Beja e Aldo Bumçi. Një tjetër komision i rëndësishëm parlamentar është ai për Integrimin Europian, i cili gjatë legjislaturës së kaluar është drejtuar nga kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Kryesimi i këtij komisioni mund të vazhdojë t’i mbetet LSI-së, por mund t’i jepet edhe opozitës. Gjithsesi, burimet nga PD-ja citojnë emrat e kandidatëve të mundshëm për postin e kryetarit të këtij komisioni në rast se vendoset t’u mbetet demokratëve. Sipas tyre, favoritë janë Arben Imami, Fatmir Mediu dhe Dashamir Tahiri, deputeti që përfaqëson partinë e komunitetit çam. Përsa i përket kryesimit të Komisionit për Politikën e Jashtme burimet nga PD-ja shikojnë si kandidat favorit për këtë post ministrin aktual të Punëve të Jashtme, Lulzim Basha në rast se ky i fundit nuk do të jetë në qeverinë e re. Pas tij citohet emri i ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, Viktor Gumi, apo emri i Gerti Bogdanit dhe ai i Genc Pollos. Ajo që vihet re është numri i madh i kandidatëve në garë për të marrë kryesimin e Komisionit për Ekonominë dhe Financat. Që të gjithë kandidatët e cituar njihen për aftësitë profesionale në fushën e ekonomisë dhe që gëzojnë mbështetjen e kreut të qeverisë, pasi shumica e tyre kanë qenë këshilltarë të Berishës. Burimet shikojnë si favoritë për këtë post ish-drejtuesin e këtij komisioni gjatë legjislaturës së kaluar, Edmond Spaho, këshilltarët e Berishës
Fatbardh Kadilli, Albana Vokshi, Florjon Mima, Fatbardh Kadilli, Sherefedin Shehu e
Selami Xhepa. Ndërsa drejtimin e Komisionit Parlamentar të Sigurisë pritet ta marrë
Bujar Nishani. Pas tij kandidatë potencialë janë Leonard Demi, ish-kryetar i këtij komisioni, Gent Strazimiri, zëvendësministër i Brendshëm, Fatos Hoxha, ish-anëtar i këtij komisioni, si dhe Gazmend Oketa, ministër Mbrojtjeje. Pritet që Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin ta drejtojë ministri aktual i Bujqësisë, Jemin Gjana. Gjithsesi, burimet bëjnë të ditur se ky post ka shumë mundësi t’i lihet opozitës. Gjatë legjislaturës së kaluar, Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë e ka drejtuar deputeti Tritan Shehu dhe pritet që të jetë po Shehu në krye të këtij komisioni edhe gjatë kësaj legjislature. Por favoritë janë Lajla Përnaska, Mesila Doda e Myqerem Tafaj. Edhe për të marrë drejtimin e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik ka një numër të madh kandidatësh në garë. Në krye qëndron ish-nënkryetari i këtij komisioni, Astrit Patozi, në rast se ky i fundit nuk shpërblehet me post ministri. Pas tij vijnë Rajmonda Bulku, Lajla Përnaska, Ardian Turku, Mark Marku, Genc Pollo e Mesila Doda.
Komisionet dhe kandidatët për kryetarë:
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut
Ilir Rusmali
Arben Imami
Enkelejd Alibeaj
Fatos Beja
Aldo Bumçi
Komisioni për Integrimin Europian
Arben Imami
Fatmir Mediu
Dashamir Tahiri
Por posti i kryetarit mund t’i lihet opozitës
Komisioni për Politikën e Jashtme
Lulzim Basha
Viktor Gumi
Gerti Bogdani
Genc Pollo
Komisioni për Ekonominë dhe Financat
Edmond Spaho
Fatbardh Kadilli
Albana Vokshi
Florjon Mima
Fatbardh Kadilli
Sherefedin Shehu
Selami Xhepa
Komisioni për Sigurinë Kombëtare
Bujar Nishani
Leonard Demi
Gent Strazimiri
Fatos Hoxha
Gazmend Oketa
Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin
Jemin Gjana
Flamur Noka
Por posti i kryetarit mund t’i lihet opozitës
Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë
Tritan Shehu
Lajla Përnaska
Mesila Doda
Myqerem Tafaj
Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik
Rajmonda Bulku
Lajla Përnaska
Ardian Turku
Mark Marku
Genc Pollo
Mesila Doda
4 Shtator 2009