E Diel, 1 Nëntor 2026

Analiza/Berisha po fiton mbi opozitën, edhe përsa i përket traditës, edhe për risitë e politikës

21-10-2012 / Nga Ermal Kozici

Kohët e fundit, një diskutim që pritet të bëhet gjerësisht në rrethet shoqërore dhe politike të vendit, po shtrohet për analizë. Diskutimi lidhet me të ardhmen politike të vendit dhe qeverisjen e ardhshme dhe nëse ajo do të jetë nga ana e Berishës apo e Ramës. Shumë sipërfaqësore del të jetë analiza se rrotacioni duhet të ndodhë për shkak të ndryshimit të pushtetit sipas radhës së aktorëve në skenën politike. Askund në asnjë formulë demokratike nuk sanksionohet aksioma për të qeverisur një shtet me mandate të kufizuara katërvjeçare që nuk mund të përsëriten në shumë se dy herë radhazi. Sepse po të ishte kështu palët e interesuara nuk kishin përse të garonin me njëra-tjetrën, pasi do u duhej vetëm të prisnin kalimin e kohës që të ndërronin karriget e pushtetit. Kjo formulë mund të aplikohet me liderët në krye të forumeve partiake, por nuk është e njëjta gjë me drejtimin e popujve dhe shteteve. Aq më tepër të popujve të dalë nga periudha të errëta historike me të kaluar diktatoriale si populli ynë. Le të marrim në një analizë udhëheqësit politikë të forcave kryesore në Shqipëri, Sali Berisha dhe Edi Rama. Berisha në shumicën e kohës së tij si udhëheqës shteti dhe i politikës përpiqet të ngulitë në mendjen e qytetarëve dhe mbështetësve të tij se janë vlerat vitale dhe individuale të njerëzve të lirë dhe sipërmarrjeve private që përcaktojnë suksesin e një modeli qeverisjeje dhe suksesin e një personaliteti, i cili lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me suksesin e kombit të vet. Dinamizmi i tij, vizitat e panumërta nëpër botë, takimet me personalitete të ndryshme botërore dhe këmbëngulja e vazhdueshme për ta bërë të njohur Shqipërinë në të gjithë globin kanë lidhje me besimin e tij të brendshëm se në një sistem demokratik, pavarësisht kufizimeve që venë shumicat, individualitetet mund dhe duhet të spikasin për të qenë mbi mesataren e njeriut të zakonshëm. Nga ana tjetër Edi Rama përpiqet të nxisë te mbështetësit e tij dhe qytetarët shqiptarë një lloj botëkuptimi më ndërkombëtar. Shprehje e qartë se ai kërkon të shihet nga ndërkombëtaret si një njeri që përfaqëson ndjenjat e tyre, kulturën, botëkuptimin etj janë marrëdhëniet e ngushta me elementë të rinj jashtë Partisë Socialiste si Erion Veliaj dhe organizatën “Mjaft”, të cilët nuk kanë lidhje organike me shumicën e bazës së Partisë Socialiste. Diku Rama në këto përpjekje ka humbur ndjenjën dhe qëllimin vetjak duke u ngatërruar në koncepte dhe kultura futuriste, pa qenë aspak realist në një terren si ai shqiptar. Deri diku me këtë sjellje ai kishte arritur të bindte edhe disa ish-diplomatë, se miqtë e tij të “Mjaftit” do të kishin përfaqësim në Parlamentin shqiptar të vitit 2009. Kuptohet që kjo nuk doli e mjaftueshme për të bindur shumicën e shqiptarëve.
Sali Berisha kërkon që nëpërmjet daljeve të tij të shumta publike t’u kujtojë shqiptarëve se duhet të kenë respekt për vlerën e tyre si popull, u kujton në mënyrë të përsëritur këtë vlerë duke bërë shumë kujdes që të përçojë mesazhin se shqiptarët duhet të ndërtojnë të gjitha shpresat e tyre mbi vlerën kombëtare. Në këtë kontekst janë investimet e mëdha publike për Rrugën e Kombit, akset e jugut, kilometrat nëpër katunde dhe fshatra që nuk e kishin imagjinuar asnjëherë veten të lidhura me asfalt me pjesët kryesore të vendit. Të gjitha mund të thuhet se janë iniciativa të guximshme (jo gjithmonë të rekomanduara dhe të mbështetura arsyeshëm) individuale të Sali Berishës. Kjo për të ngjallur besimin tek shqiptarët që ata janë njësoj si popujt e tjerë të rajonit madje edhe më gjerë. Pas gjithë kësaj, mund të arrijmë në përfundimin se gjëja më e çmuar për një popull është vlera e tij dhe që të dalë e dobishme kjo vlerë për të gjithë kombin duhet të përfaqësohet nga dikush, nga një njeri që mbart në vetvete energjitë dhe aftësitë kombëtare për të drejtuar me sukses vendin e tij. Nga ana tjetër Edi Rama nuk arrin të bindë me argument se zgjatja e qeverisjes së demokratëve nuk është si pasojë e vlerave individuale dhe personalitetit të Berishës, por ama përpiqet të hedhë hije dyshimi mbi atë se sa mund të respektojë demokracinë një vlerë e tillë individuale që kërkon të spikasë në çdo rrethanë. Pyetja që Edi Rama kërkon të përçojë tek ndërkombëtarët ku ai ka varur shpresa më shumë se tek votuesit tradicionalë të PS-së është se a mundet që një njeri me karakter individual dhe thellësisht pragmatist me doza të forta pavarësie në vendimmarrje të bindet ndaj një sistemi të pranuar demokratik ku duhet të funksionojnë ndarja e pushteteve, qetësia, pacifizmi, dialogu dhe kompromisi? A mundet që një sistem demokratik të mos dëmtohet nga një njeri si Sali Berisha? Për të përçuar këtë sinjal tek ndërkombëtaret Rama ka inskenuar dhe përdorur një sërë ngjarjesh që lidhen që me 21 janarin, me grevat e shumta të përfaqësuesve të caktuar të kategorive në nevojë, me letra gjoja nga populli që shkojnë çdo javë në Bruksel e Strasburg, me debate në Parlament për shumë çështje, me vënien në dyshim të pushtetit gjyqësor etj. Sidoqoftë mund të thuhet se në pjesën dërrmuese sukseset e njerëzimit ndër shekuj kanë ardhur si pasojë e veprimtarive të individit. Ajo që vihet re brenda Partisë Socialiste në një moment që synon të vijë në pushtet është se Edi Rama duke përdorur formulën formale të demokracisë ka bllokuar daljen në pah të individëve me vlera brenda së majtës. Ai përjashtoi Islamin dhe të tjerë, i bëri presion Blushit, eliminoi politikisht Nanon dhe e mban Gramoz Ruçin në hije me kërcënimin e së kaluarës së tij. Rama e ka lënë Partinë Socialiste në një mishmash idesh mjaftiste e internacionaliste me ftesa që pak kush i beson që nga ish të përndjekurit e deri tek kapitalistët e preferuar të ndërtimit që krijoi si kastë klienteliste me dhënien e lejeve përkatëse kur ishte në krye të bashkisë së Tiranës. Taktika e tij për të nxjerrë pengesa formaliste gjoja demokratike ku botëkuptimi i demokracisë nuk përputhet me daljen në skenë të personaliteteve të spikatura që marrin përgjegjësi individuale mbi gjërat që ndodhin apo do të ndodhin tek Partia Socialiste ka funksionuar. Për sa kohë do të mund të zgjasë kjo? Këtë askush nuk e di me siguri. Ajo që mund të thuhet përtej kësaj është se pengesat që ka sjellë Rama në zhvillimin e individualiteteve të forta brenda radhëve të socialistëve do ta çojnë në vdekje elektorale të majtën tradicionale shqiptare dhe për këtë Berishës i duhet vetëm të presë e të shohë. Duke u kthyer në një demokrat formalist, Rama ka vendosur te PS një sistem vlerash inferiore duke zhvlerësuar bashkarisht të gjithë udhëheqësit socialistë. Mund të quhet papërgjegjshmëri, mund të quhet defekt i mënyrës së drejtimit nga Rama, mund të quhet gjithfarësoj, por e vërteta duket të jetë sa thamë më lart. Berisha me të gjithë defektet e pashmangshme të natyrës njerëzore është treguar në gjithë ecurinë e tij një prodhues gati i përditshëm i ideve krijuese, i lajmeve, i informacionit skup, i impresioneve pozitive apo negative qofshin(nuk ka shumë rëndësi) një furnizues i pashtershëm i tregut mediatik e politik, i palodhur në ndjekjen e aktualitetit dhe pritjes e përcjelljes së delegacioneve të huaja e vendase me problematika nga më të ndryshmet. Kjo energji në anën tjetër - që është Edi Rama - ka gjetur reagimin e vazhdueshëm por të shkëputur nga botëkuptimi i njerëzve të thjeshtë. Gjetja e rrugëve interesante të komunikimit me anë të Twitter apo facebook nuk përkthehet dot në gjetje efektive për shumë arsye që lidhen me realitetin shqiptar. Qytetarët që presin në çdo cep të vendit alternativën tjetër nuk mund ta kuptojnë mesazhin e shkurtër dhe jo praktik  që i vihet në dispozicion nga kryetari i opozitës. E ndërsa Berisha komunikon me shumë mënyra me qytetarët dhe elektoratin e tij, qoftë edhe me mesazhe telefonike (pavarësisht morisë së shumtë të problemeve që nuk mund të zgjidhen me mesazhe), Edi Rama nuk shquhet për shkëmbime të tilla sms-je me votuesit e tij, madje akoma edhe më keq, njerëzit e tij të ngushtë flasin për një lloj fobie nga takimet e drejtpërdrejta me qytetarët. Berisha nuk i është shmangur asnjëherë përgjegjësisë personale dhe këtu kujtojmë edhe kohën e piramidave famëkeqe. Ai ka kërkuar ndjesë publikisht për përgjegjësitë e tij si udhëheqës. Pikërisht marrja përsipër e përgjegjësisë së qartë për veprime të ndërmarra nga ai vetë i jep Berishës shtysë për veprime energjike. Nga ana tjetër Edi Rama asnjëherë nuk ka pranuar përgjegjësi individuale si në kohën e përmbytjes së Tiranës nga diga e liqenit ashtu edhe në humbjen e zgjedhjeve dy herë deri më tani. Shmangia e përgjegjësisë pas votimeve kolektive apo vendimmarrjeve të përbashkëta që justifikohen me sistemin demokratik janë të pakuptimta për njerëzit e thjeshtë dhe japin shpresë të pakët se Rama do të mund të ngjallë besimin e drejtuesit politik dhe ekonomik të vendit. Për më tepër Edi Rama përpiqet të shfrytëzojë këtë periudhë krize për të nxitur idenë se ai mund të rregullojë punët në Shqipëri duke përmirësuar vetëm parametrat ekonomike duke lënë më në hije përgjegjësinë politike të udhëheqjes.
Për ta përfunduar këndvështrimin mbi fitoren ose jo të secilës palë në zgjedhjet e ardhshme duhet thënë se Berisha përfaqëson interesin e një shumice më të madhe në vend që shtrihet nga qytetarët që marrin pagesën e ndihmës ekonomike, të papunët, bujqit e fermerët, minatorët, zejtarët, të rinjtë, gratë e dhunuara dhe familjare, biznesmenët dhe politikanët, sepse dallohet qartë vendosmëria e tij për të mbrojtur këto interesa me çdo kusht e me çdo mjet. Nga ana tjetër Edi Rama përdor teknika politike me efekt të vogël e të kufizuar duke u marrë me gjithfarë gjërash të vogla deri në situate “lojëra luftash” me mazhorancën. Pra kemi një mosinteresim për betejat e vazhdueshme shpirtërore dhe të sistemit të vlerave që bën kundërshtari i tij politik. Ndaj edhe në këtë betejë të ardhshme, Edi Rama dhe grupet e interesit që e mbështesin atë do të humbin, pasi burrat e shtetit përpiqen nga pak çdo ditë të ndryshojnë faqen e vendit dhe shoqërisë që i zgjedh për të tilla detyra. Ata të tjerët që duan t’i arrijnë por nuk munden, merren me gjëra të vogla e të parëndësishme…

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›