E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olta Xhaçka, ish-nusja e Shemsie Kadrisë kryetarja e Forumit të Gruas të PS-së

21-10-2012 / Gazeta 55

Fokus/ Pas zgjedhjes në krye të forumit të gruas, Edi Rama - Olta Xhaçkës: Rilindni!

Kongresi i forumit të gruas socialiste u mblodh në pallatin e Kongreseve dhe në krye të saj zgjodh pa shumë bujë deputetja Olta Xhaçka. Rama në sikterisjen e tij përpara grave socialiste u kërkoi ta ndihmonin në sjelljen e  Rilindjes. Rama u premtoi grave se në strategjinë e qeverisjes së PS do të ketë pushim pas lindjes dhe sigurim shëndetësor të garantuar për të gjitha gratë e të rejat e Shqipërisë që janë dhe nuk janë në punë. Më herët në fjalën e saj, Olta Xhacka deklaroi se do të mbështesë Rilindjen.
Sigurisht duhet thënë se mbesa e Servet Pëllumbit, Olta Xhaçka është investim i drejtpërdrejtë i kreut të Partisë Socialiste Edi Rama, që e thithi nga ish-fondacioni “Mjaft” për në PS, në  2009. Dhe mos të harrojmë se në listën preferencave për deputet-e Olta Xhaçka parakaloi figura historike të PS si Fatos Nano, Artan Lame, Musa Ulqini, Makbule Çeço, etj.
Zgjedhja e saj si deputete e Partisë Socialiste dhe kryetare e forumit të grave mund të duket e çuditshme, por jo edhe aq. Edhe pse nuk ka asnjë meritë publike, qoftë kjo sociale apo shoqërore, të gjithë e dinë se është investim personal i Ramës për të lidhur fijet e nomenklaturës së vjetër me byronë e re politike të PS. Emra dhe mbiemra si Dash Peza, Ditmir Bushati, Ledi Shamku, Fidel Ylli, Alfred Dalipi, Qemal Minxhozi, Ilir Beqja, Ilir Gjoni, janë veçse produkte të zëvendësimit të baballarëve nga bijtë në PS. 
Megjithatë deputetja Xhaçka e di shumë mirë se nuk është ndonjë meritë e madhe fitimi i lotarisë gjenetike, duke qenë se është mbesa e Sërvet Pëllumbit, njërit prej patriarkëve soc-komunistë. Përtej kësaj rikthimi i Olta Xhaçkës përpara kamerave qetësoi gjithë ata që ndjekin karrierën e saj që prej momentit kur hyri në “star-system”-in shqiptar, si nusja e Shemsije Kadrisë, “boses” së firmës piramidale “Gjallica” dhe më tej, pas arratisjes në Amerikë, ku me lekët e piramidës së ish-vjehrrës filloi studimet bashkë me Erjon Veliaj, për t’u rikthyer më pas në gjirin e parisë mëmë socialiste nëpërmjet provës së zjarrin në fondacionit “Mjaft”.
Përpara Ramës, Olta ishte veçse një aktiviste e thjeshtë e organizatës majtiste “Mjaft”. Ajo i shpëtoi destinit dështues, duke mos u angazhuar në ish-G99 e Velisë, pasi intuita e saj gjahtare e kuptoi herët se adhurimi i saj do të ishte më i frytshëm nëse do të afrohej me PS-në.
Për të thënë të vërtetën, na mungonte prezenca e saj fotozhenike, na mungonin ricat zift, të përdredhura me aq kompleksitet, na mungonin të pavërtetat e mëdha. Kureshtare të karaktereve njerëzore, figura e politikanes së re Olta Xhaçka tërheq më shumë seç thith magneti një copë llamarine kombinati.
Sidoqoftë me zgjedhjen e Olta Xhaçkës në krye ët forumit të gruas socialiste nga një ish-anëtare e organizatës “Mjaft”, pas  uzurpimit të FRESH nga një ish antare e “Mjaft”, Elisa Spiropali dhe sekretarinë për Rininë dhe Diasporën nga ana e ish-kreu të Mjaft Erjon Veliaj realizohet kështu kapja për fyti e kësaj organizate të krijuar nga Edi Rama jashtë partisë Socialiste.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›