E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analiza/Kapitalizmi - Si e humbi e majta davanë

22-10-2012 / Nga Slavoj Zhizhek

A u shfaq kriza që të tregojë se e vetmja zgjidhje për dështimin e kapitalizmit është më shumë kapitalizëm! Dikush mund të mendojë që një krizë e sjellë nga kapitalizmi i çrregulluar dhe i babëzitur do t’ia ndërronte mendjet disa të tjerëve rreth natyrës së themeleve të ekonomisë globale.
Por ky dikush do ishte i gabuar. Është e vërtetë, ndjenja antikapitaliste në botën e sotme ekziston pa barriera, sidomos kur ekonomia globale vazhdon të shkatërrohet dhunshëm nga kriza e sjellë prej tejkalimeve më të rënda të sistemit. Më e pakta, ne po dëshmojmë një mbingarkesë kritikash ndaj tmerreve të kapitalizmit: Libra, gazeta investiguese dhe reportazhe televizive të cilat na paraqesin kompani që pamëshirshëm ndyjnë ambientin, bankierë që vazhdojnë të marrin bonuse te majme ndërkohë që bankat e tyre shpëtohen nga paratë e taksapaguesve, si dhe rrobaqepësi me kushte të këqija pune, ku fëmijët punojnë edhe jashtë orarit.
Ndërkohë, pavarësisht sa i rëndë shpërdorimit ose pavarësisht dëftimit të një shkalle të gjerë të dështimeve të njëpasnjëshme, kritikat mbeten të kufizuara. Qëllimi vazhdon të jetë demokratizimi i kapitalizmit në emër të luftës ndaj tepricave si dhe përzgjatja e kontrollit demokratik të ekonomisë nëpërmjet presionit mbikëqyrës së mediave, ligjeve më të ashpra, hetimeve parlamentare dhe investigimeve policore të ndershme. Megjithatë, ajo çka nuk vihet ndonjëherë në diskutim është natyra borgjeze e ligjeve nga të cilat varet kapitalizmi. Kjo vazhdon të jetë ‘lopa e shenjtë’ të cilën as kritikët me radikalë, si për shembull ata të lëvizjes ‘Occupy Wall Street’ si dhe ‘World Social Forum’, nuk guxojnë ta prekin. Si rrjedhim, nuk është për t’u çuditur që shpresat e optimistit të majtë se krizat e vazhdueshme do të ishin një moment qartësie — zgjim nga një ëndërr — rezultuan rrezikshmërisht dritëshkurtra. Viti 2011 ishte me të vërtetë ai i ëndrrave të rrezikshme, i përtëritjes së politikave rrënjësisht emancipuese në të gjithë botën. Mirëpo një vit më vonë, çdo ditë sjell prova të reja se sa delikat dhe kontradiktor ishte në të vërtetë ky rizgjim. Entuziazmi i Pranverës Arabe është njollosur nga kompromiset dhe fundamentalizmat fetarë; Occupy po humbet vrullin, aq sa spastrimi i bërë nga policia në parkun Zukoti të Nju Jorkut i ngjau një bekimi të maskuar. E njëjta histori është edhe në vende të tjera të botës: Maoistët e Nepalit duken të dobët përpara forcave reaksionare mbretërore. Eksperimenti “Bolivarian” i Venezuelës po prapësohet shumë e me shumë drejt populizmit militarist, ndërkohë që edhe lëvizja kundër shtrëngesave ekonomike në Greqi, e cila ishte edhe më shpresëdhënësja, ka humbur energjinë pas humbjes elektorale të partisë së majtë Syriza.
Tani duket se efekti politik parësor i krizës ekonomike nuk ishte lindja e të majtës radikale, por ajo e populizmit racist, më shumë luftëra, më shumë varfëri në vendet më të varfra të Botës së Tretë, si dhe zgjerimi i mëtejshëm i ndarjes midis të varfërve dhe të pasurve. Kur të gjitha këto kriza shkatërrojnë vetëkënaqësinë e njerëzve, reagimi i parë nuk është revolucioni, por paniku, i cili çon drejt rikthimit në zanfillë; streha dhe ushqimi. Premisat themeltare të ideologjisë sunduese nuk vihen në dyshim. Ato praktikohen ende më dhunshëm. Mos vallë po shohim përshtatjen e kushteve për një radikalizim të mëtejshëm të kapitalizmit? Filozofi gjerman Peter Sloterdijk më pat thënë se në qoftë se dikujt që është gjallë sot do t’ia ngrenë një monument pas 100 vitesh, ai do jetë Lee Kuan Yen, udhëheqësi i Singaporit, i cili ka bërë më shumë se kushdo tjetër për të nxitur dhe zbatuar martesën e kapitalizmit me autoritarizmin — një martesë të cilës ai iu referua me eufemizëm si “Vlerat Aziatike”. Virusi i këtij kapitalizmi autoritar po shpërndahet ngadalë, mirëpo pa u zmbrapsur në të gjithë botën, por më shumë se kudo në Kinë. Të përballur me shpërthimin e tashëm të kapitalizmit në Kinë, analistët pyesin shpesh se kur do të vendoset demokracia politike si shoqëruesja e mirëfilltë e kapitalizmit. Po sikur demokratizimi i premtuar të mos vij kurrë?! Çfarë ndodh nëse kapitalizmi autoritar i Kinës nuk është vetëm një ndalesë në rrugën e demokratizimit të mëtejshëm, por stacioni i fundit drejt të cilit po shkon e gjithë bota?! Leon Trotsky njëherë e përshkroi Rusinë cariste si ” ndërthurje e ligë midis kamxhikut aziatik dhe bursës evropiane”, përshkrim i cili i përshtatet edhe më mirë Kinës së sotme. Ky kombinim i përsëritur në Kinë mund të rezultojë më i qëndrueshëm se modeli kapitalist demokratik, të cilin e kemi parë si të natyrshëm. Kështu që viktima kryesore nuk është kapitalizmi, që duket se po merr forma edhe më depërtueshëm të dëmshme, por demokracia, pa përmendur të majtën, paaftësia e së cilës për të ofruar zgjidhje praktike globale ka dalë sërish sheshit. Ishte e majta ajo që u kap e papërgatitur. A thua se kriza u shfaq që të tregojë se e vetmja zgjidhje për dështimin e kapitalizmit është më shumë kapitalizëm!
Marrë nga "Koha Ditore"

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›