E Diel, 1 Nëntor 2026

Analiza/Klinton nis me Sirinë, kursin e diplomacisë agresive

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton nisi dje "diplomacinë e saj agresive" në Lindjen e Mesme duke njoftuar dërgimin e dy emisarëve në Damask dhe duke këmbëngulur për një zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez. "Ne do të dërgojmë një përfaqësues në Departamentin e Shtetit dhe një tjetër në Shtëpinë e Bardhë për të shqyrtuar me Sirinë çështje dypalëshe", tha Klinton gjatë vizitës së saj të parë në Izrael dhe në Territoret Palestineze. "Një numër çështjesh shtrohen mes SHBA-së dhe Sirisë", nënvizoi Klinton, duke vlerësuar se regjimi sirian ngjallte "në mënyrë të dukshme shqetësime rajonale më të gjera" dhe duke iu referuar mbështetjes së tij ndaj milicisë shiite libaneze Hezbollah dhe ndaj lëvizjes islamike palestineze Hamas. "Ne nuk kemi asnjë mundësi për të parashikuar të ardhmen e marrëdhënieve tona me Sirinë, vërejti ajo gjatë një konference shtypi në Jerusalem me homologen e saj Tzipi Livni. ''Por, mendoj se kjo ia vlen përpjekjes për të shkuar dhe filluar këto bisedime paraprake", shtoi ajo.
     Sipas një zyrtari amerikan, Jeffrey Feltman, ndihmëssekretar i përkohshëm në Lindjen e Mesme dhe Daniel Shapiro, këshilltar për sigurinë kombëtare i ngarkuar me Lindjen e Mesme në Shtëpinë e Bardhë, që udhëtojnë që të dy me Klinton, do të shkojnë në Damask pas përfundimit të vizitës të mërkurën të sekretares së Shtetit. Hillary Clinton do të takohet të mërkurën në Ramallah (Cisjordani) me presidentin palestinez Mahmoud Abbas dhe me kryeministrin Salam Fayyad.
Siria dhe Shtetet e Bashkuara kanë marrëdhënie diplomatike, por këto të fundit janë të ndera që pas vrasjes në 2005-n të drejtuesit libanez Rafic Hariri, për të cilin regjimi sirian është treguar me gisht.
Klinton mbërriti dje në mbrëmje në Izrael pas një konference që premtoi t'i kushtonte 4,5 miliardë dollarë rindërtimit të Gazës dhe rimëkëmbjes ekonomike në këtë territor të asfiksuar nga bllokada izraelite. Ajo këmbënguli  për krijimin e një shteti palestinez, që kryeministri i caktur Benjamin Netanyahu, e hedh poshtë. "Në fund, puna për një zgjidhje me dy shtete është e pashmangshme", tha sekretarja e Shtetit. Por, shtoi ajo, "hapi i parë duke nisur që tani, pa pritur një qeveri të re (izraelite)  dhe një armëpushim afatgjatë", në Gaza është t'i bëjmë thirrje Hamasit, që kontrollon territorin, të ndalojë "të shtënat me raketa" mbi Izraelin.
     Këto të shtëna po vazhdojnë megjithë armëpushimin që ka hyrë në fuqi që prej 18 janarit pas një ofensive ushatarake izraelite në Gaza, që ka shkaktuar më shumë se 1 300 të vdekur palestinezë brenda tri muajsh. Zëdhënësi i "Hamas"-it, Taher al-Nounou, e akuzoi Klintonin për "njëanshmëri" në favor të Izraelit. Hillary Clinton u takua gjithashtu me Benjamin Netanyahun. "Ne sapo kemi përfunuar bisedimet e thelluara dhe të rëndësishme për Iranin, çështjen palestineze dhe tema të tjera", tha Netanyahu. "Ne ramë dakord të takoheshim sërish kur të krijohet qeveria dhe të punojmë në bashkëpunim për të sjellë paqen, sigurinë dhe begatinë në rajon", shtoi ai.
     Klinton, që nuk ka reshtur të kujtuari lidhjet e ngushta mes Izraelit dhe SHBA-së, dhe tentoi gjithashtu të siguronte shtetin hebre për çështjen iranine, preokupimi kryesor i izraelitëve. "Ne do të bëjmë gjithçka për ta penguar Iranin të arrijë të prodhojë armën bërthamore", siguroi ajo.
Vizita e saj regjistrohet në frymën e bashkëpunimit të manifestuar nga adminstrata e re Obama, e shqetësuar për të përparuar drejt një zgjidhjeje paqësore në rajon dhe për të filluar një dialog me Iranin.
Me Iranin vjen koha e diplomacisë direkte/Pesë fuqi të mëdha perëndimore  dhe Kina deklaruan dje se ishin të vendosura për bisedime direkte me Iranin për çtensionimin lidhur me programin bërthamor të Teheranit duke vlerësuar këtu edhe vendimin amerikan për ndryshimin e politikës së konfrontimit me Republikën Islamike. Duke folur në një takim të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), pesë fuqitë perëndimore dhe Kina u shprehën ''seriozisht të shqetësuara'' për përparimin e Iranit në fushën e energjisë bërthamore, por pa nënkuptuar shtimin e sanksioneve si një mënyrë për të frenuar Teheranin. ''Ne jemi shumë të vendosur për një zgjidhje diplomatike gjithëpërfshirëse, përfshirë dialogun direkt'', thuhet në një deklaratë të përbashkët të SHBA-së, Britanisë, Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Kinës për bordin e drejtuesve të IAEA-së. ''Ne i kërkojmë Iranit të shfrytëzojë këtë mundësi për t'u bashkuar me ne, çka do të thotë rritje e mundësive për negociata të mëtejshme'', deklaroi përfaqësuesi francez, Olivier Caron në emër të gjashtë fuqive

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›