E Diel, 1 Nëntor 2026

Dënimi historik i gjenocidit serb në Hagë dhe interpretimi juridik i lirimit të Milutinoviçit

Ajo që është me rëndësi lidhur me dënimin e serbëve të akuzuar për pastrim etnik në Kosovë, ka të bëjë me faktin se Gjykata e Hagës konstatoi se forcat e ushtrisë dhe policisë serbe kanë kryer deportimin, vrasjen dhe shpërnguljen masive të shqiptarëve të Kosovës në fund të marsit të v. 1999. Gjykata e Hagës vërtetoi se këto forca në mbi 13-të komuna kosovare, pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, kanë kryer krime ndaj civilëve kosovarë. Sipas fjalëve të gjykatësit Bonomi, gjykatësit e Hagës konstatuan se, shpërngulja masive e shqiptarëve të Kosovës nuk ka qenë pasojë e bombardimeve të NATO-s dhe as pasojë e luftimeve midis ushtrisë dhe policisë serbe dhe UÇK-së (ashtu siç pohonin avokatët e serbëve të akuzuar), por ka qenë pasojë e një veprimi të përbashkët kriminal (plani shtetëror të paramenduar) të forcave ushtarake dhe policore serbe që ka pasur për qëllim shpërnguljen me dhunë dhe vrasjen e shqiptarëve të Kosovës, duke shkatërruar shtëpitë dhe pronën e tyre si dhe duke krijuar një atmosferë terrori ndaj shqiptarëve. Kështu, ish-kryeministri serb Shainoviq, ish-komandanti i armatës së ish-RFJ-së, Pavkoviq dhe ish-gjenerali i policisë serbe Llukiç u dënuan me burgim prej 22 vjetësh. Ish-shefi i shtatmadhorisë së armatës jugosllave Ojdaniç dhe ish-gjenerali i asaj armate Llazareviç u dënuan me burgim prej 15 vjetësh. Ndërkaq, ish-kryetari i Serbisë Milutinoviq si i akuzuari i parë sipas rangut, u lirua nga akuzat.
Aspekti historik i këtij vendimi gjyqësor konsiston në faktin se me të përfundimisht bien në ujë të gjitha propagandat serbe se, shqiptarët janë shpërngulur masovikisht nga Kosova si pasojë e bombardimeve të NATO-s dhe se përfundimisht në aspektin juridik ndërkombëtar u konstatua pastrimi etnik i shqiptarëve përkatësisht ekzistimi i planit për të ndryshuar strukturën etnike të Kosovës nga regjimi ushtarako-policor serb në v. 1999. Lirimi i ish-kryetarit serb Milutinoviç në qarqet juridike serbe u komentua si një argument se në Hagë nuk gjykohet politika, por krimet që kryhen në emër të politikës dhe, vendimi në fjalë u komentua si një "marrëveshje politike", kurse në qarqet nacionaliste serbe, si një tradhti e Milutinoviqit ndaj të dënuarve të tjerë. Brenda opinionit serb lidhur me këtë gjykim, dominojnë komentet ndaj Gjykatës së Hagës si: "gjykatë antiserbe", "gjykatë politike", "gjykatë me standarde të dyfishta", "gjykatë komplotiste", "gjykatë drakonike" dhe, aspak (ose, fort pak) u komentuan vetë krimet e kryera në emër të qytetarëve të Serbisë nga ushtria dhe policia e tyre. Kështu, fare pak, mund të vërehen ca qëndrime serbe që shprehin simpatitë dhe ngushëllimet e tyre ndaj viktimave shqiptare. Mohimi dhe mosdistancimi i tillë nacional serb nga krimet e kryera kundër shqiptarëve në Kosovë, dita-ditës do e fusë Serbinë në një "sokak" pa dalje, sepse ky vendim gjyqësor me siguri se, do të ndikojë edhe ndaj procesit tjetër gjyqësor që Serbia ka ngritur në Gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë lidhur me çështjen e ligjshmërisë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Mirëpo, lirimi i ish-shefit të shtetit serb Milutinoviq, shkaktoi habi në opinion, duke shtruar dilemën se, si mund të lirohet i akuzuari i parë (më i madhi) për nga rangu. Shtrohet pyetja, pse Milutinoviqi nuk ka përgjegjësi komanduese kur në hierarkinë shtetërore ka qenë në pozicion të eprorit kurse, të dënuarit e tjerë (në raport me të) kanë qenë në pozicion të vartësit. Përgjigja konsiston në faktin se, krimet ndërkombëtare dallohen esencialisht nga ato vendore për nga kompleksiviteti dhe karakteri sistematik i shpërndarjes së fajit. Gjykata e Hagës e ka shpjeguar në një mënyrë mjaft interesante përgjegjësinë komanduese. Përgjegjësia komanduese nuk nënkupton secilën përgjegjësi të komandantit për krimet e vartësve të tij. Ai do përgjigjet për këto krime vetëm nëse ka ditur ose ka pasur arsye për të ditur se vartësit e tij kryejnë krime dhe, nuk ka bërë asgjë për t'i penguar apo dënuar ato. Gjykata ka konstatuar se, Milutinoviqi ka pasur arsye që të dijë për krimet në Kosovë por, prapseprapë e ka liruar atë, sepse, për të ekzistuar përgjegjësia komanduese, krahas ekzistimit të raportit epror-vartës duhet të ekzistojë edhe kontrolli efektiv dhe faktik i eprorit ndaj vartësit. Gjykata ka konstatuar se këtë kontroll efektiv dhe faktik nuk e ka pasur Milutinoviqi, por Millosheviqi, i cili efektivisht dhe faktikisht ka komanduar me ushtrinë dhe policinë serbe në Kosovë. Dhe, për këtë arsye, ai është liruar nga akuzat. Pra, ai është liruar nga akuzat falë asaj se në raport me Millosheviqin ka qenë vartës i tij kurse, në aspekt të ushtrimit të funksionit ka qenë "kukull" e tij, pra, bartës i depushtetëzuar i funksionit. Mirëpo, edhe pse në aspektin juridik ish-shefi i shtetit serb do të jetë një person i lirë, kjo gjë nuk d.m.th. se ai do të jetë i lirë edhe në aspektin moral sepse, faji i tij moral meqë ka pasur arsye që të dijë për krimet anti-njerëzore kundër shqiptarëve të Kosovës, do t'ia brejë ndërgjegjen njerëzore deri sa të jetë gjallë.
Autori është ligjërues i së drejtës kushtetuese Fakulteti juridik-UEJL. Publikuar më parë në të përditshmen e Shkupit “Koha”

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›