Që tek shqiptarët e Maqedonisë të mos përsëriten më vonesa
Në një nga takimet e shumta me delegacionet e huaja, në cilësinë e koordinatorit të Grupit Parlamentar të Partisë për Prosperitet Demokratik, më kujtohet një bisedë me një delegacion respektabil, i ardhur për të inspektuar gjendjen politike dhe atë të sigurisë, si dhe reformat në vendin tonë. Kryesuesi i delegacionit në pjesën kurtoaze të bisedës mu drejtua me këto fjalë: ,,Ju paskeni vend të mrekullueshëm, paskeni popull të mrekullueshëm, por ju...!? E kuptova menjëherë çka dëshiroi të më thotë, e ndërpreva për një moment, kuptohet duke i kërkuar falje, për t'i thënë se e kam të qartë - nuk kemi politikanë sa duhet të përgjegjshëm të përballen me sfidat që e presin Republikën e Maqedonisë. Ai më dha shenjë me kokë për të më vërtetuar atë që kishte dashur të ma thotë.
Sot, kur e analizoj qasjen e disa politikanëve në pozita të larta shtetërore ndaj çështjeve të rëndësishme për shtetin tonë, në të njëjtin moment, me një inerci, kthehem në retrospektivë të disa ngjarjeve dhe zhvillimeve politike nga vitet e nëntëdhjeta e deri më sot. Atëherë liderët politikë më me përgjegjësi, të merituar për shpërbërjen paqësore te Republikës së Maqedonisë nga RSFJ, nuk e shfrytëzuan këtë përparësi të vendosin mekanizma cilësorë për zhvillim normal demokratik, politik, juridik dhe ekonomik të një shteti që tanimë ishte i pavarur dhe sovran. Me qëllim ose nga mungesa e guximit dhe vizionit, shkohej në zgjidhje të dozuara dhe gjysmake që krijonin probleme në rregullimin e brendshëm të shtetit, posaçërisht në marrëdhëniet ndëretnike. Ndërsa në politikën e jashtme bihej në provokime të caktuara nga disa shtete fqinj, për të cilat shpeshherë përgjigjja ishte e përshpejtuar dhe pa nivel të duhur në fjalorin politik dhe diplomatik.
Në vitin 1991, në fazën e projektimit të Kushtetutës së parë të Republikës së Maqedonisë së pavarur, Grupi parlamentar i PPD-së dorëzoi Deklaratën për status të barabartë të shqiptarëve në Maqedoni. Në tekstin e Deklaratës trajtoheshin çështje nga statusi politiko-juridik i shqiptarëve, arsimi, gjuha, kultura, simbolet kombëtare, decentralizimi i pushtetit dhe përfaqësimi adekuat i shqiptarëve në të gjitha segmentet e shtetit. Fatkeqësisht, nga pala maqedonase nuk pati guxim të mjaftueshëm politik që këto çështje të inkorporohen në nivel të duhur në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë. Si pasojë e kësaj mospërfilljeje të skajshme, deputetët shqiptarë nuk e votuan Kushtetutën, e kjo situatë e krijuar i ndau qytetarët në të kënaqur e të pakënaqur në baza etnike, që fare nuk ishte e favorshme për rrjedhat e mëtutjeshme në shtet. Kushtetuta e miratuar me mbivotim etnik, u bë gjenerator i problemeve në marrëdhëniet ndëretnike, të multiplikuara edhe në segmentet tjera të përditshmërisë. Për fat të keq, në vend të rrjedhës normale të zgjidhjes së problemeve me një dinamikë step by step, ndodhi konflikti ndëretnik në vitin 2001, varianti më i keq për ndryshimin e Kushtetutës dhe inkorporimin e pothuajse të njëjtave çështje të Deklaratës, por pas dhjetë viteve, me një Marrëveshje Kornizë të vonuar dhe të imponuar. Kush është fajtor që gjithnjë vonohemi?
Të përkujtojmë vetëm sa biseda dhe energji ishin harxhuar që të funksionojë një paralele në shkollën e mesme të mjekësisë ose një Fakultet Pedagogjik me mësim në gjuhën shqipe. Atëherë, numër i konsiderueshëm i studentëve maqedonas etnik, të manipuluar nga grupe të caktuara ekstreme politike maqedonase, pa kurrfarë turpi brohoritnin parulla skajshmërisht të pahijshme antishqiptare kundër kolegëve studentë të tyre shqiptarë. Koha dëshmoi se hapja e universiteteve dhe institucioneve te arsimimit të lartë, shtetërore dhe private, kishte qenë çështje rutine dhe e pashmangshme në një shoqëri demokratike multietnike. Sa ka qenë larg lidershipi politik maqedonas nga realiteti i sotëm vetëm para disa viteve! Ku ishte guximi politik dhe vizioni për zgjidhjen e problemeve në mënyrë të drejtë dhe në kohë të duhur!? Për shkak të këtyre problemeve dhe të ngjashmet si këto, krijohej ambient neveritës politik që ndikonte në zhvillimin e gjithëmbarshëm të shtetit si dhe në vonimin e përmbushjes së kritereve dhe standardeve për anëtarësimin në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare. Partitë shqiptare, të pakënaqura nga statusi i shqiptarëve dhe në pamundësi t'i zgjidhin problemet me politikanët dhe lidershipin maqedonas me dialog të drejtpërdrejtë dhe pa ndërmjetësim, ishin të detyruar rregullisht ta informojnë Bashkësinë ndërkombëtare për të gjitha çështjet e pazgjidhura. Kuptohet, në situatë kur mungon sensi për dialog të përbashkët pozitiv dhe produktiv, në kontinuitet ishim dhe jemi të ndjekur me monitoring të faktorit ndërkombëtar. Gjithë këto vite të shkuara, asnjë çështje ndëretnike nuk është zgjidhur pa ndërmjetësues të huaj (Gert Arens, Van der Shtul, Leotar, Perdju, Bruns, Le Rua, ambasadorë të OSBE-së, SHBA-së, BE-së dhe të tjerë). A janë tani të vetëdijshëm po ata politikanë maqedonas se sa të papërgjegjshëm dhe jopragmatikë ishin në zgjidhjen dhe tejkalimin e problemeve ndëretnike?
Jo rrallë ndodhte që për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet nesh, të vonojmë edhe në aplikimin për anëtarësim në strukturat ndërkombëtare. Atëherë, me të drejtë të tjerët, që vazhdimisht i përcjellin kapricet tona në politikë, na deklaronin se gjithnjë vonojmë në marrjen e vendimeve shumë të rëndësishme politike për perspektivën europiane të vendit. Kur menduam që politika jonë u ngop me grindje ndëretnike, në derë të madhe, kur më se paku është e nevojshme, grindja gjithnjë e më shumë po merr intensitet me ndarje të rrezikshme dhe mosdurim të brendshëm për dallimet konceptuale te origjinës historike të identitetit maqedonas. Ky sindrom i përçarjes dobëson pozitat në bisedimet për emrin me Greqinë, në të njëjtën kohë i humbur në histori e mite, mjegullon të ardhmen e Maqedonisë në integrimet Euro-Atlantike. Me qëllim të sinqertë për gjetjen e kompromisit në zgjidhjen e çështjes së emrit, kuptohet jo të identitetit, nuk ka dobi nga inatet dhe shërimit të frustracioneve me telefonata nga diaspora e largët. E respektojmë nostalgjinë dhe dashurinë e tyre për atdheun, por emocionet kurrë nuk garantojnë rezonim të shëndoshë për vendim politik të drejtë dhe të mençur. Të jeni të bindur se një ditë do të ndodhë kompromisi me Greqinë, por nuk besoj që koha punon për ne për një pozicionim me të përshtatshëm. Përkundrazi, tani më ka indikacione të qarta që nuk përkojnë me interesin tonë. Si duket është koha që edhe në kampusin politik maqedonas të paraqitet një opsion i ngjashëm si Demokracia e Re. Miqtë tanë të cilët kohën e fundit i kemi gjithnjë e më pak, ende përsërisin vërejtjen - pse gjithnjë vonohemi? Sidoqoftë, të nderuar, le të vlejë popullorja për pak optimizëm, më mirë vonë se kurrë.