Analiza/Pro apo kundër Kolegjit?! Rama, kundërshti mes deklaratash
Pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që shpalli fitues Lulzim Bashën në garën për kryebashkiak të Tiranës, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka deklaruar herë pas here se do t’i drejtohen Kolegjit Zgjedhor për të vënë drejtësinë në vend.
Por pas vendimit të Kolegjit, i cili rrëzoi poshtë kërkesat e Partisë Socialiste, Rama nisi të sulmojë edhe vetë institucionin që deri dje e konsideronte si institucionin vendimtar për këto zgjedhje.
“Kolegji duhet të vendosë drejtësi në Shqipëri”. Është ky apeli i përsëritur i kryetarit të socialistëve Edi Rama, pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që shpalli fitues Lulzim Bashën në zgjedhjet për kryetar bashkie të Tiranës. “Ne presim që drejtësia të bëjë drejtësi, që gjykatësit dhe Kolegji Zgjedhor të ngrihen mbi çdo presion dhe mbi çdo interes tjetër, që në këtë moment nuk mundet në asnjë mënyrë të prevalojë mbi interesin kombëtar për t’i dhënë fund kësaj historie kaq të shëmtuar duke u bazuar te Kushtetuta, te Kodi Zgjedhor, tek ligjet e këtij vendi dhe tek morali i demokracisë. Ne jemi të detyruar nga vizioni ynë për mënyrën sesi do të shkojnë gjërat në këtë vend, por edhe nga bindja jonë se në të gjitha rastet, rruga ligjore është një rrugë që duhet ndjekur medoemos që t’i referohemi Kolegjit Zgjedhor si trupa gjykuese që mund të zgjidhë më nder këtë nyje”, kështu është shprehur kreu i opozitës Edi Rama përmes një komunikimi me mediat në datë 26. 05. 2011.
Dhe institucioni që ve drejtësinë e kërkuar nga shefi i opozitës e dha verdiktin e tij për kryebashkiakun e ri të kryeqytetit. “Në zbatim të nenit 158 të Kodit Zgjedhor pika 2 dhe 3 vendosi: Rrëzimin e kërkesë padisë së palës paditëse nga Partia Socialiste e Shqipërisë për sa i përket kërkesës për konstatimin absolutisht të pavlefshëm të vendimit nr. 709 datë 22. 05. 2011 të palës paditëse në Komisionin e Zgjedhjeve në Tiranë. Pushimin e gjykimit të çështjes lidhur me kërkimin për anulimin e vendimit të ndërmjetme të nxjerrë nga pala paditëse e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ky vendim është i formës së prerë dhe u shpall sot më datë 3.06.2011”, u shpreh relatori i Kolegjit zgjedhor për këtë çështje Tom Ndreca.
Por kandidati i “Aleancës për të Ardhmen”, Edi Rama nuk pranon as vendimin e drejtësisë për zgjedhjet e 8 majit ndonëse në deklaratat e tij e kërkon zgjidhjen pikërisht te ky institucion.
Kërkesat e kreut të selisë rozë vazhdojnë më tej. “Ky vendim për ne është absolutisht i papranueshëm. Kolegji Zgjedhor ka bërë të bardhën të zezë dhe të zezën të bardhë. Gjykatësit zgjodhën dje të bëjnë padrejtësinë e radhës në dëm të popullit. Kolegji zgjedhor i mbylli përsëri derën drejtësisë”, kështu është shprehur kreu i PS në një konferencë për mediat më datë 04. 06. 2011. Ndërsa dy ditë më pas, më 06. 06. 2011 kryetari i Partisë Socialistë është shprehur…
“Askush nuk e di arsyen pse Kolegji ka legjitimuar veprimet e paligjshme të ‘Komisionit Qendror të Vjedhjeve’ dhe trupi gjykues nuk ka marrë vendimin të shpjegojë vendimin e dhënë paçka se ligji e detyron të shprehet brenda 3 ditësh e pa e çarë kokën hiç fare për faktet, se kjo është një çështje që i intereson mbarë opinionit publik ashtu si dhe miqve dhe mbarë opinionit kombëtar të Shqipërisë”.
Me këtë odiseja e zgjedhjeve vazhdon. Qytetarët e Tiranës kërkojnë të dinë edhe sa vendime duhen, që të marrë dilema e humbësit të kësaj gare.