Fokus/Takimit II i delegatëve të Konferencave ipeshkvnore të Evropës “Për inkulturimin e Islamit”
Gjatë takimit me temë “Për inkulturimin e Islamit”, mbajtur në Torino të Italisë, më 31 maj deri më 2 qershor, delegatët e Konferencave ipeshkvnore të Evropës patën në qendër të vëmendjes procesin aktual të marrëdhënieve me myslimanët, kryesisht në Evropë, proces që mund të favorizojë lindjen e një Islami më shumë fetar, sesa politik. Kujtuan me simpati edhe dëshirën për demokraci e liri në vendet arabe e, së fundi, duke e shikuar me vështrim kritik termin “islamofobi”, apo “urrejtje kundër islamit e islamikëve”, i nxitën myslimanët të krijojnë marrëdhënie të mira e transparente në rrethanat e ndryshme të jetës së tyre në Evropë.
Në Komunikatën, botuar në përfundim të takimit të dytë të delegatëve të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, vihet theksi mbi interesimin me të cilin Kisha katolike ndjek përfshirjen e shtetasve me besim mysliman në kontekstin evropian, si në nivel individual, ashtu edhe në atë komunitar. Proces i ndërlikuar, ky, jo pa kontradikta të thella, ndërmjet të cilave bie në sy sfida e inkulturimit progresiv të Islamit në Evropë, që duhet të ketë si pasojë theksimin më të madh të përmasës fetare, sesa të asaj politike. Të gjitha nismat kulturore e teologjike, shprehje e asaj, që njihet si “teologji e inkulturimit”, ndiqen me interesim të veçantë, sepse i hapin rrugën dhe fuqizojnë procesin e pjesëmarrjes pozitive të besimtarëve myslimanë në jetën shoqërore e kulturore evropiane, në një mjedis pluralist, të gatshëm për dialog ndërfetar e ndërkulturor.
Në këtë kuadër, Kisha ndjek me interes nismat e lindura në gjirin e bashkësive myslimane, për t’u dhënë liderëve të tyre fetarë – hoxhëve e mësuesve të Kuranit, - formimin teologjik e kulturor të përshtatshëm, që u krijon kushtet ta zhvillojnë me sukses rolin e tyre fetar, në rrethanat e jetës evropiane. Urohet që nisma të tilla, duke përfshirë edhe themelimin e katedrave të teologjisë islame pranë universiteteve të vendeve, ku teologjia është disiplinë e pranishme në sistemin universitar, të mund të organizohen, me adoptimet e nevojshme, sipas skemës juridike të marrëdhënieve ekzistuese ndërmjet Shtetit e Kishës. Në këtë perspektivë, Kisha e shikon me sy shumë pozitiv mundësinë, që mësimi i besimit në shkollat publike, të përfshijë edhe tradita të tjera fetare, si islami.
Duke i hedhur një vështrim aktualitetit të zonës mesdhetare, ipeshkvijtë e Evropës u shprehën me simpati për lëvizjet aktuale, në krye të të cilave janë veçanërisht të rinjtë e vendeve të ndryshme arabe, në të cilat, në këto muaj ndryshimesh të forta politike, ndjehet fort dëshira për demokraci, për liri, për respektimin e dinjitetit të njeriut. Ipeshkvijtë uruan që një proces i tillë të sjellë fitimin e së drejtës për liri fetare në këto vende, në mënyrë që edhe arabët e krishterë të mund ta gëzojnë plotësisht një liri të tillë, në kuadrin e barazisë reale ndërmjet nënshtetasve të feve të ndryshme.
Delegatët, pastaj, e vlerësuan me sy kritik termin “islamofobi”, që përdoret për të interpretuar marrëdhëniet armiqësore me islamikët e pranishëm në shoqëritë evropiane, duke menduar se do të ishte më mirë të përdoreshin fjalët ‘frikë’ e ‘kundërshtim’. U ripohua me forcë impenjimi i Kishës katolike për t’i kapërcyer të gjitha shfaqjet e frikës e të armiqësisë dhe për të thelluar marrëdhënie të mira e transparente në fusha të ndryshme, duke arritur, kështu, edhe në zhdukjen e çdo interpretimi, që dëmton miqësinë dhe bashkëjetesën paqësore.
Së fundi, delegatët shprehën bindjen e Kishës katolike se në Evropë duhet vijuar me impenjim të ri dialogu me myslimanët, në shkollën e Koncilit II të Vatikanit e duke u mbështetur fort mbi mësimet e Papës Benedikti XVI. Është fjala për thellimin e një dialogu, për suksesin e të cilit, të krishterët e myslimanët duhet të përballojnë tri sfida: sfidën e identitetit, që me fjalë të tjera, do të thotë ta dimë e ta pranojmë kush jemi; sfidën e ndryshimeve ndërmjet myslimanëve e të krishterëve, që larmitë e dallimet të mos çojnë kurrë në lindjen e urrejtjes, por të shikohen si burim i pasurimit të anasjelltë; e, së fundi, sfidën e sinqeritetit, që kërkon ta praktikosh fenë, pa e imponuar, në kontekstin pluralist e në perspektivën e dialogut të frytshëm. Në punimet, kryesuar nga kryeipeshkvi i Bordosë dhe zëvendës-kryetar i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCee), kardinali Zhan Pierre Rishar, mori pjesë edhe kryetari i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, kardinali Zha-Lui Toran. Në përfundim të takimit, delegatët e Konferencave ipeshkvnore falënderuan kryeipeshkvin e Torinos, imzot Çesare Nosilia, për mikpritjen, veprimtarinë organizative e përzemërsinë e tij e të të gjithë përfaqësuesve të dioqezës. Punimet, që u zhvilluan në një atmosferë të përzemërt e miqësore, u pasuruan me çaste lutjesh e sidomos, me kremtimin e përditshëm të Eukaristisë Shenjte.
DBR-së në Madrid, figura e së Lumes Nënë Terezë u prin të rinjve/Vazhdojnë pa reshtur përgatitjet për Ditën Botërore të Rinisë (DBR-së), që do të zhvillohet në Madrid nga data 16 deri më 21 gushtin e ardhshëm. E figura dhe jeta e së Lumes Nënë Terezë, Gonxhe Bojaxhiu do të jetë udhërrëfyesi i rinjve në thellimin e temës së kësaj dite. Nisma e fundit e organizatorëve, është dërgimi i mesazheve telefonike sms nga ana e përgjegjësve të grupeve rinore pjesëmarrëse, drejtuar të gjithë të rinjve të regjistruar për Ditën Botërore të Rinisë, në mënyrë që çdo i ri të kenë mundësinë të marrë një sms të Papës për çdo ditë që do të jetë i pranishëm në DBR-së. Në rrjetin e internetit, përmes Facebook, Twitter e Tuenti janë mbi 250 mijë të rinj që përcjellin përgatitjet e kësaj ngjarje e të cilët këshillohen që për një organizim, sistem dhe strehim sa më të përshtatshëm gjatë tërë javës së ditës rinore, të regjistrohen sa më parë e brenda datës 30 qershor. Ndërsa më 15 qershor përfundon afati i regjistrimit të të rinjve me handikap.
Delegacioni dioqezan i Madridit ka vënë në internet (on line) në adresën një faqe të re webi me materiale didaktike e ligjërata mbi fenë, që kanë të bëjnë me tematikat që i ka përzemër Dita Botërore e Rinisë, e cila sivjet ka për temë “ Të rrënjosur e të bazuar në Krishtin, të fortë në fe “ (khs Kol 2,7). Materiali përkatës për pjesëmarrësit e kësaj ngjarje ndahet në tri pjesë: historia dhe natyra e DBR-së, mesazhi i Benediktit XVI për të rinjtë e pranishëm në Madrid, thellimi i temës së zgjedhur përmes figurës të së Lumes Nënë Terezë dhe realiteti i gjallë në gjirin e Kishës, si Manos Unidas e Karitasi.
Kohë më parë, kardinali i kryeqytetit spanjoll Antonio Maria Rouco Varela e informoi Papën mbi ecurinë e parapërgatitjeve që po bëhen për takimin botëror të gushtit me të rinjtë e mbarë botës, duke i paraqitur çantën e shpinës të DBR-së “Madrid 2011” me ngjyrë të kuqe e të verdhë të kombit mikpritës e që përmban: një rruzare të shenjtë, librin e shtegtarit, një doracak udhërrëfyes, një kopje të Youcat - katekizmit për të rinjtë parathënien e të cilin e ka shkruar Benedikti XVI dhe një biletë për transportin publikë.
Kit-i kompletohet me një kapuç e freskore. Të regjistruarit, pra pjesëmarrësit përveç pjesëmarrjes në programin e caktuar do të marrin pjesë edhe në ngjarjet kulturore që lidhen me ditët e Madridit e do të ketë një sigurim gjatë qëndrimit të tyre në kryeqytetin e Spanjës.
Papa na fton t’i lutemi Shpirtit Shenjtë për thirrje të reja misionare/“Të lutemi gjatë qershorit, që Shpirti i Shenjtë të dikojë në bashkësitë tona thirrje të shumta misionare, të gatshme t’ia kushtojnë plotësisht jetën përhapjes së Mbretërisë së Zotit”: ky është ndjeti misionar i lutjes së Benediktit XVI për muajin qershor. Lutje, që na e çon natyrshëm mendjen në Solemnitetin e Rrëshajve, i cili do të kremtohet të dielën e ardhshme. Ja disa reflektime të Papës mbi natyrën misionare të Kishës. “Misioni e përtërin Kishën, e gjallëron fenë dhe identitetin e krishterë”: në Mesazhin për Ditën Misionare të këtij viti, Benedikti XVI përmend fjalë nga enciklika “Redemptoris Missio” e të Lumit Gjon Pali II për të nënvizuar se Kisha është misionare për natyrën e vet. Prandaj, shkruan Papa, Kisha “nuk mund të mbyllet kurrë në vetvete”. Të krishterët, ashtu si dishepujt e Çenakullit, janë të thirrur të kumtojnë Lajmin e Mirë të Ungjillit, të mbështetur në Shpirtin Shenjt: “Kisha duhet të bëhet sërish ajo që është: duhet t’i hapë kufijtë ndërmjet popujve e t’i shembë muret ndërmjet klasave dhe racave. Në të, nuk mund të ketë as të harruar, as të përçmuar… Fryma e flaka e Shpirtit të Shenjtë duhet të kapërcejnë pa pushim ato kufij, që ne njerëzit vazhdojmë t’i ngremë ndërmjet nesh; gjithnjë, duhet të kalojmë sërish nga Kulla e Babelit, nga mbyllja në vetvete, në Rrëshajët”. (Mesha e Rrëshajve, 15 maj 2005)
Detyrë e Kishës, vëren Papa në 40-vjetorin e Dekretit konciliar “Ad Gentes”, është të komunikojë vazhdimisht dashurinë hyjnore, falë veprës jetësore përtëritëse të Shpirtit të Shenjtë. E ripohon se çdo i krishterë duhet të bëhet misionar, çdo i pagëzuar është i thirrur t’ua shpallë Ungjillin të gjithë njerëzve. Kjo, paralajmëron Ati i Shenjtë, nuk është diçka fakultative, pra, nuk varet vetëm prej nesh, por është thirrja, së cilës duhet t’i përgjigjet Populli i Zotit: “Kumtimi dhe dëshmimi i Ungjillit janë shërbimi i parë që të krishterët mund të bëjnë për çdo person e për krejt njerëzimin, të thirrur siç janë, për t’u komunikuar të gjithëve dashurinë e Zotit, që u shfaq plotësisht në të vetmin Shëlbues të botës, në Jezu Krishtin” (Audienca me pjesëmarrësit në kuvendin për 40-vjetorin e dekretit “Ad Gentes”, 11 mars 2006). Nga ana tjetër, Papa nënvizon se, sidomos sot, impenjimi misionar duhet harmonizuar me dialogun: “Kisha sot, është e thirrur të përballohet me sfida të reja dhe është e gatshme të dialogojë me kultura e me fe të ndryshme, duke u përpjekur të punojë me çdo person vullnetmirë për bashkëjetesën paqësore ndërmjet popujve” (Audienca me pjesëmarrësit në kuvendin për 40-vjetorin e dekretit “Ad Gentes”, 11 mars 2006). Me ndihmën e Shpirtit të Shenjtë, këshillon Papa, duhet të impenjohemi në mision. Kjo kërkon durim e largpamësi, guxim e përvujtëri, kërkon ta dëgjosh Zotin e të dish t’i kuptosh shenjat e kohëve: “Shpirti misionar i Kishës nuk është tjetër, veçse nxitja për të komunikuar gëzimin, që na është dhuruar. Qoftë ai gjithnjë i gjallë brenda nesh e u rrezatoftë mbi botën e travajet e saj” (Fjalimi para Kuries Romake, 22 dhjetor 2008)
Marrë nga Radio Vatikani