Analiza/Zoti Rama, thuaju socialistëve dhe partisë çfarë të tha zonja Klinton!

Edvin Rama doli dje para socialistëve dhe u deklaroi se i tha sekretares Klinton se opozita dëshironte të vinte në pushtet, se kishte një projekt që e kishte pagëzuar “Rilindja” dhe se bashkë me të, në takim ishte edhe Olta Xhaçka. Kjo ligjëratë ishte shumë fyese për publikun dhe së pari ishte rrënuese për standardet që paraardhësit e Edi Ramës patën instaluar në PS, atë të transparencës edhe kur ishte puna për të treguar rrobat e palara të partisë. Normalisht, Edi Rama do të mund të thoshte edhe se ç’i kishte thënë zonja Klinton, edhe se sa i përputhshëm ishte “programi” i tij qeverisës me normat e aleancës strategjike mes Shqipërisë dhe SHBA-së. Protestat ditën para marrjes së ftesës për anëtarësimin e vendit në NATO, përpjekja për të shkatërruar stabilitetin e shtetit më 21 janar apo të tjera shfaqje barrikadash kundër integrimit të vendit në BE janë një enumeracion që kanë nevojë për një rrëfim në vetë të parë të Edi Ramës. Ai duhet t’u thotë socialistëve se ç’mesazhe i dha sekretarja Klinton lidhur me bashkëpunimin ndërparlamentar për miratimin e 3 ligjeve të mbetura që kushtëzojnë marrjen e statusit të kandidatit, se sa shumë e kanë merak amerikanët hierarkinë e interesave kombëtare mbi ato partiake (imagjinoni parakushtin socialist të Qarkut të Fierit!!!), se sa shumë dëshirojnë ata që një opozitë në një vend aleat të sillet si një opozitë luajale, që bashkëpunon në parlament dhe që s’merr peng reformat për interesa partiake, apo më keq akoma, për interesa personale.
Për këto çështje, që në fakt kanë qenë axhenda e takimit të sekretares Klinton me shefin e opozitës, Edi Rama s’dha dot asnjë përgjigje. Ai ishte “i mbushur me shpresë”, por s’e përcolli dot këtë shpresë tek socialistët, sepse ai s’mundi t’u përcjellë atyre verdiktin e ndërkombëtarëve. Atij do t’i duhet të sillet si një opozitë luajale në parlament dhe më vonë do t’i duhet edhe t’i nënshtrohet një verdikti elektoral, duke mos mundur të mos pranojë një humbje në zgjedhje. Këto gjëra ai s’ua thotë dot socialistëve, prandaj edhe dje Edi Rama doli para publikut (dhe anëtarësisë socialiste) dhe deklamoi se ç’i tha sekretares Klinton, por jo edhe se çfarë i rekomandoi atij shefja e aleatit strategjik të shqiptarëve.