Analizat, Presidenti Turgut Ozal është helmuar
Katër elementë toksikë u gjetën në mbetjet e trupit të ish-presidentit të tetë turk, Turgut Ozal, sipas mediave turke. Ekzaminimet e forensikës kanë gjetur në kampionet e trupit të ish- presidentit, DDT (helm), kadmium (metal i rëndë), americium dhe polonium (substanca radioaktive). Sipas ekspertëve, kur trupi merr kaq shumë DDT, dhjetë herë më shumë se sasia e lejueshme, shkaktohet gjendje shoku dhe vdekje e papritur. Helmi dyshohet se i është dhënë ish-presidentit Ozal bashkë me lëngjet apo ushqimet. Ky helm shkakton të vjella, diarre, djersitje, vështirësi frymëmarrjeje, rritje pulsi dhe rënie të aktivitetit të muskujve. Ish-presidenti turk, Turgut Ozal, vdiq në vitin 1993, në moshën 65-vjeçare. Në atë kohë u raportua se ai pësoi një atak në zemër.