E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analizë/ Amerikan Reserve Life Insurance ofroi 41 milion euro për privatizimin e "INSIG" –ut.

61 % e aksioneve shtetërore të kësaj kompanie u vlerësuan 25 milion euro

Komiteti i privatizimit të kompanisë së vetme shtetërore të sigurimeve "INSIG", pranë ministrisë së Financave, përfundoi procesin e garës për privatizimin e "INSIG" –ut, ku 61% të aksioneve i ka shteti shqiptar. Procesi filloi në janar të vitit 2007 dhe kaloi në disa faza ku paraqitën interes dhe morën pjesë 10 kompani të huaja si investitorë strategjikë për privatizimin e "INSIG" –ut. Në dakordësi me BERZH –in dhe IFC, procesi u konsultua nga BNP Paribas, ndërsa me tender të hapur ndërkombëtar u përzgjodh kompania ndërkombëtare KPMG për vlerësimin e çmimit që ofrohej për shitjen e kompanisë "INSIG". Në fund të procesit, ofertën fituese e siguroi kompania amerikane American Reserve Life Insurance, e cila ofroi një çmim për INSIG prej 41 milion euro në total, ku 25 milion euro janë për pjesën e aksioneve që ka në pronësi qeveria shqiptare. Kjo vlerë është 2 milion euro mbi çmimin maksimal të vlerësuar nga KPMG ose 3.5 milion euro nga çmimi që kishte përcaktuar qeveria. Privatizimi i INSIG konsiderohet shumë i suksesshëm. Ekspertët theksuan se privatizimi përbën një konfirmim të ri të besimit për ekonominë shqiptare në kushtet kur në tregun financiar ndërkombëtar ekziston një krizë ekonomike. Përfundimi i procesit "INSIG" –ut është në negociatat e fundit teknike me kompaninë fituese American Reserve Life Insurance. Qeveria shqiptare kishte rreth 61% të aksioneve të INSIG-ut, ndërsa dy institucionet ndërkombëtare, IFC dhe BERZH, përkatësisht nga 19.5% secila. Instituti i Sigurimeve INSIG u krijua në 31 Korrik 1991 me miratimin e ligjit nga Parlamenti Shqiptar për krijimin e Institutit të Sigurimeve, duke e ndarë atë nga Instituti i Arkave të Kursimit dhe Sigurimeve. INSIG numëron tashmë mbi 150 000 klientë në të gjithë vendin dhe është një ndër shoqëritë më të fuqishme në tregun e sigurimeve në kushtet e një konkurrence të plotë dhe me një shtrirje rajonale në territorin e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Që nga krijimi i tij dhe deri në vitin 2000 Instituti i Sigurimeve ka qenë Institucion shtetëror. Viti 2000 do të shënonte fillimin e hapave për privatizimin e kompanisë duke e kthyer atë në një shoqëri anonime, mbështetur në vendimin e Këshillit të Ministrave. Ndërkohë viti 2007 ishte viti që përgatiti kompaninë në rrugën drejt privatizimit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›