Drama e autorit irlandez TomMërfi do të shfaqet për publikun deri në datën 21 Dhjetor

“Fishkëllimë në errësirë” mbyll sezonin artistik në Teatrin Kombëtar
“Fërshëllimë në errësirë” është shfaqja, të cilën publiku shqiptar ka mundësi të ndjekë deri në datën 21 Dhjetor në skenën e Teatrit Kombëtar, në kryeqytet. Është një premierë e cila është shfaqur me sukses përgjatë kësaj vjeshte, qysh nga mbrëmja e 28 nëntorit, e cila ka rikthyer në skenën shqiptare edhe aktorin e njohur Reshat Arbana. Është një vepër e shkrimtarit irlandez Tom Mërfi, dhe përveç të madhit të skenës Reshat Arbana në të janë zgjedhur të interpretojnë emra të njohur të skenës si, Bujar Asqeriu, Naum Shundi, Anila Bisha, Dritan Boroci, Sokol Angjeli si dhe aktorët e rinj Saimir Sina dhe Roland Saro. Vepra skenike sjell me ritëm të lartë, dramacitet dhe elegancë skenike gjithë idetë e këtij autori të madh. Do të nënvizohet gjithashtu, mënyra sesi një familje funksionon në opinionin shoqëror dhe si funksionon brenda mureve të shtëpisë. Pra, vepra përçon mesazhin, kundër dhunës në familje dhe shoqëri. Vepra u shkrua në vitin 1959 dhe në vitin 19661 pa dritën e skenës. Por përveç djemve kemi dhe Betin ( Anila Bisha) e cila plotëson gruan angleze në familjen irlandeze, që është si një tufë kafshësh”- është shprehur regjisori i saj Spiro Duni. Por një pjesë e rëndësishme e veprës është edhe skenografia, në sajë të të cilës shtëpia ku zhvillohet ngjarja të jep imazhin e një skene boksi. Pra kemi një familje e cila e ka kthyer shtëpinë në një arenë boksi, ku brenda saj lëvizin në mënyrë të dhunshme personazhet e saj. Kjo është edhe skena e dramës “Fishkëllimë në errësirë”, e cila do të vazhdojë që të shfaqet deri në datën 21 dhjetor në Teatrin Kombëtar. “Shqipëria është një ndër ato vende që duhet ta ngjiste në skenën e saj, pasi tematika e kësaj pjese i përshtatet më së miri situatave që edhe vendi ynë po kalon.”- vijon Duni. Vepra skenike do të synojë të sjellë me ritëm të lartë, dramacitet dhe elegancë skenike gjithë idetë e këtij autori të madh. Do të nënvizohet gjithashtu, mënyra sesi një familje funksionon në opinionin shoqëror dhe si funksionon brenda mureve të shtëpisë. Pamje jashtë është ajo e familjes me unitet (babai dhe pesë djemtë), pamje e familjes që do të dominojë mbi të gjithë komunitetin e emigrantëve bashkëkombës. Pamja brenda shtëpisë është krejt tjetër. Uniteti i shfaqur jashtë kthehet në konflikt të egër brenda (mes burrave të shtëpisë). Arkitekt i çdo gjëje agresive, patologjike, pra thellësisht negative është vetë babai i djemve. Vepra do të trajtohet realisht. E tillë vepër është gati-gati natyraliste. Dialogu dhe konflikti i veprës është i hapur, jo dialog i nënteksteve të thella, por gjithsesi shumë efektiv. Zhvillimi i konfliktit është një simetri e përkryer dhe siguron natyrshëm katarsisin e parashikuar dhe tragjedinë. Por, diku-diku nuk i shpëton një lloj narracioni që do të redaktohet më shumë kujdes, duke u parë si mënyrë për të mos dëmtuar diagramën temporitmike të shfaqjes. Vepra duke qenë e drejtpërdrejtë në ecurinë e konfliktit ka edhe rreziqet e saj. Do të bëhet kujdes që mishërimi i figurave të jetë i thellë, i besueshëm dhe jashtë çdo maniere demonstrative. Mizanskena, me prezencë shumë personazhesh në skenë, do të jetë e zhdërvjellët dhe e figurshme deri na maksimum: duke shfrytëzuar të gjithë mjetet shprehëse që regjia disponon. Skenografia dhe kostumet të lehta për të ndihmuar veprimin fizik, që do të jetë shumë prezent. Ndriçimi kontrastues për t’i shërbyer edhe ai dramacitetet dhe emocionit skenik. Muzika është zgjedhur nga Pink Flloid, të cilët, dihet nga të gjithë, sa të afërt janë me teatrin. Në aspektin figurativ, veprimi i personazheve në fillim do të jetë si një grup kafshësh në kafaz, por pak nga pak do të ndjehet se është vetëm çështje kohe që gjaku të fillojë të derdhet. Shpreh bindjen që me gjithë dhunën, brutalitetin dhe egërsinë, vepra do të mbetet në mendjen e spektatorit edhe për ditë të tjera pasi e ka parë. Autori Tom Merfi ka lindur në Galëay të Irlandës në vitin 1935. Ka shkruar 25 drama dhe romane deri sot. Puna e tij e madhe si dramaturg ka fituar admirimin e shumë audiencave teatrale në sallat më prestigjioze të botës. Në përgjithësi veprat e tij janë larg sentimentalizmave dramatike, por me konflikte të ashpër dhe me fund tragjik. Një nga ato është edhe vepra që u ngjit në skenën e Teatrit Kombëtar “Fërshëllimë në errësirë”. Motivi që i ka udhëhequr për të punuar regjisorët me këtë vepër, është problemi i madh i dhunës brenda familjes dhe plagët e emigracionit. Regjisori i madh Conalld Morrison thotë se kjo vepër hedh dritë mbi faktin e trishtueshëm, që Irlanda shumë rrallë ka qenë e zonja të sigurojë stabilitet dhe prosperitet për shtetasit e saj.
Qendra Kulturore “Tirana”, larmi aktivitetesh për festat e fundvitit
Qendra Kulturore “Tirana”, në kuadër të festave të fundvitit, ka përcaktuar një kalendar me aktivitete të shumta kulturore dhe artistike. Drejtori i Qendrës Kulturore “Tirana”, Kiço Londo, tha se në kuadër të fesatve të fundvitit do të do organizohen aktivitete të shumta kulturore, mes të cilave, shfaqjet e cirkut, të ansamblit Folklorik "Tirana", Orkestrës frymore, etj. Parashikohet që për fëmijët të dyfishohet numri i shfaqjeve deri në 5 herë të cirkut për çdo javë, do të rishfaqet premiera “Lëre shpirtin tënd të fluturojë në cirk” dhe gjatë ditëve të javës për nxënësit e shkollave në mënyrë që ata ta kalojnë sa më të gëzuar këtë fundvit. Cirku i Tiranës është kthyer në ambiente festa për të gjithë fëmijët që duan të festojnë sa më mirë festat e fundvitit, tha Londo. Sipas tij, edhe Ansambli Folklorik “Tirana” do të ofrojë program pak më të ngjeshur, me koncerte nëpër qendra të banuara të kryeqytetit. Gjithashtu në prag të Krishtlindjeve ai do të japë një koncert tre ditor për shqiptarët në Itali. Ndërsa Orkestra Frymore e Metropolit do të jetë në mbrëmjen "Gala", tashmë e kthyer në traditë, që do të shfaqet në datën 29 dhjetor në sallën e Akademisë së Arteve, me koncert të zgjedhur me pjesë frymore, si dhe me këngëtarët e mëdhenj të skenës shqiptare si Gaqo Cako, Edit Mihali, Hysni Zela, etj, përfundon Londo./n.m/
Filma romancë për festat e fundvitit ne kinema “Millenium”
Gjatë festave të fundvitit në Kinema "Millenium" do të shfaqet filmi “Nights in Rodanthe” (Netët në Rodanth), një film romancë me regji të George Ëolfe, me aktorët Richard Gere dhe Dion Lane, të dy si protagonistë përballë njëri-tjetrit. Filmi është është një përshtatje kinematografike i romanit me të njëjtin të titull i shkrimtarit të njohur Nicholas Sparks, gjithashtu autor i romanit të njohur “Mesazh në shishe", bëri të ditur zëdhënësja e Kinema Millennium. Menjëherë pas këtij filmi, enkas për festat e fundvitit, rreth datës 21 dhjetor do shfaqet filmi “Four Christmas”me regji të Sef Gordon, ku interpretojnë aktorët Reese Witherpoon, Robert Dwall, Vonce Vanghn dhe John Voight. Premiera e filmit është shfaqur në datën 26 nëntor në Amerikë, ndërsa aktualisht po shfaqet në disa vende të botës, si në Belgjikë, Brazil, Francë,etj.
...