Helmatisja e rinisë

Sot do i marr pak më shumë kohë lexuesit, nga ajo e çmuara, se me të vërtetë kemi të bëjmë me një problem aq dramatik, po aq sa edhe të heshtur të shoqërisë sonë. Siç mund të jetë marrë vesh nëpërmjët medium-eve të ndryshme dje, një 17-vjeçar i ka dhënë fund jetës në zonën e Kamzës në Laknas, periferi e Tiranës, duke konsumuar lëndën helmuese fostoksinë. Nga policia e kryeqytetit, thanë se shërbimet spitalore “me gjithë ndërhyrjen e mjekëve për rreth një orë viktima nuk ka mundur të jetojë”. Sipas saj, hetuesit kanë kryer veprimet hetimore dhe procedurale, nga të cilat rezultoi se 17-vjeçari në kushtet e depresionit psikologjik, ka vendosur t’i japë fund jetës, duke përdorur lëndë fostosksinë të cilën e ka konsumuar në sasi të konsiderueshme, çka i ka shkaktuar helmimin vdekjeprurës. Ky lajm në pamje të parë mund të jetë i denjë vetëm për faqet e kronikës së zezë, por ja që nuk është krejt kështu. Hetimit duhet t’i shkojmë deri ne fund. Sepse pardje ishte dita monumentale e të rinjve, ku valëviteshin shpresat e tyre për një ditë. Ditën tjetër valëviteshin qefinat e mbeshtjelljes se trupit rinosh. Sot jemi këtu me fol për të në kushte të një depresioni mediatik. Çfarë po ndodh me rininë shqiptare?
Drama e fundit na ve në pah një gjë të rëndësishme po aq sa lemeritëse, njëkohësisht si simptomë e dhunshme të një lëmshi ekzistencial, i prodhuar nga varfëria e shpresës. Ku për varfëri të shpresës kuptoj një sërë kushtesh dramatike, që një shqiptar përpallet çdo ditë. Mos më thoni t’u rendis se cilat janë, sepse janë shumë dhe ju e dini mirë për çka po flas. Shoqëria jonë po kalon një cikël dramash që përfytyrohen si aksidente individuale që vjen nga një sëmundje psikologjike d.m.th semundje e mendjes, një çmenduri që sjell një veprim ekstrem. Nuk është aspak kështu. Vdekja e këtij 17-vjeçari është për fat të keq seria e 2500 e sa vetëvrasje me fostoksinë në Shqipëri në 18 vjet. Vdekje aspak aksidentale. Por kemi të bëjmë me vdekje-jetime, ku djaloshi në këtë rast ishte i sëmurë në shpirt e jo në trup, sepse asnjë i semurë në trup a në mëndje nuk e ka forcën heroike të vetëflijimit. Metafora e medaljes i përshtatet mirë problemit të cilit po i japin një emër, një identitet, me këto radhë.
Njëra anë e medaljes është humbja e ekuilibrit emocional të një adoleshenti që bota nuk i rrëfehet butësisht, por i bërtitet, i ulëritet ta eksplorojë vetë, me gjithë risqet që kjo përkon, kurthet që natyra njerzore i parashtron. Pusia i ngrihet nga shoqëria, tashmë e helmatisur nga etja e lekut, si e vetmja vlerë. Sot idealet, qëllimet e mira janë kanalizuar mbi “pasjen e diçkaje materiale”, mbi maninë për t’u dukur kudo në shoqëri, në sy-magjistarin media, nëpër rrugë etj. Sepse në shoqëri, statusi që të jep paraja ka mbetur e vetmja vlerë. Shumë herë kam dëgjuar prindër t’iu përgjigjen fëmijve të tyre adoleshentë, kur këta i pyesin “si duhet të jenë?”, iu përgjigjen «kështu si ky X apo Y-ni» duke përdorur më shumë ndikim emocional të imitimit sesa argumentimin arsye-hetues pse duhet të sillet në një mënyrë dhe jo në një tjetër. Meqenëse referimi është
ideal del se na qenka i parealizueshëm, pastaj të rinjtë përballen me sentimente të papërshtatëshme që i reagojnë me sjellje ndonjëherë euforike (trimnia kote) ose heqin dorë krejt nga aspiratat, në çdo rast të paaftë për t’i dhënë një sens apo vlerë jetës. Në rastin më të keq i japin fund jetës, me fostoksinë.
Ana tjetër e medaljes është mosveprimi i shtetit në parandalimit e kësaj babëzie vetëvrasjesh. Shteti të cilit i kemi deleguar sigurinë tonë duhet të paktën të na sigurojë aktivisht mbrojtjen e jetës së fëmijvë tanë, së miqve tanë, së vëllezërve tanë. Them aktivisht sepse është mënyra ma e shpejtë për t’i vënë fre fenomenit. Përpara së të studiohet mundësia e një veprimi kapilar kundër vetëvrasjeve. Tani për tani e vetmja gjë që mund të behet aktivisht është një ligj apo një qarkore ku të ndalohet në territorin e shqipërisë pesticidi për mijtë, me emrin fostoksinë. Është e çuditshme se pjesa më e madhe e vetëvrasjeve që ndodh vjen prej helmit fostoksinë. Alarmante. Të kuptohemi: me parandalimin e qarkullimit të helmit nuk është se parandalojmë të gjithë vetëvrasjet, por ama tregojmë se nuk jemi bashkëpunëtorë me mos-veprimet tona. Kush ka ndërgjegje e kupton.
Një gjë është e qartë, se ne ndodhemi në epokën që Spinoza e cilësontë si “koha e pasioneve të trishtueshme”, ku shenjues janë kur e nesërmja të duket si kërcënim dhe jo si një premtim. Premtimet kanë marrë emertimin “premtime boshe”. Ndërgjëgjësimi i shoqërisë, se premtimet duhen mbajtur realisht, duhet të jetë prioritet i shtetit (këtu brënda fus politikën si profesion të virtytshëm dhe median si qeni i kufirit të demokracisë) në injektimit e një fryme optimiste, largëpamëse, morale, qytetare. Nuk kemi kohë, të nxitojmë.
...