E Diel, 1 Nëntor 2026

Brukseli kërkon çlirimin energjetik nga Rusia përmes unazës mesdhetare të centraleve të erës

Komisioni Evropian ka zbuluar një plan të ri me rang të gjerë të energjisë që përshkruan gjashtë projekte përparësore si thelbësorë për sigurimin e energjisë të BE dhe për reduktimin e varësisë së saj nga importet e energjisë nga Rusia. Vendet e Mesdheut, jetike për projektin e Brukselit


Komisioni Evropian (KE) ka paraqitur një plan ambicioz që parashikon masat që kanë për qëllim rritjen e sigurimit të energjisë dhe efektshmërinë e reduktimit të pavarësisë së bllokut 27-vendesh nga importet e naftës dhe gazit prej Rusisë. Aktualisht, BE mbështetet në burime të huaja për të siguruar pothuajse 54% të nevojave të saj për energji. Ajo importon 61% të gazit të dhe 42% të naftës, nga Rusia. Me prodhimin vendas të gazit që pritet të vazhdojë të bjerë, KE vlerëson se importet e gazit do të rriten në 73% deri në 2020. Me çmimet e këtij viti, importet e energjisë përbëjnë rreth 350 miliard euro, tha komisioni në Shqyrtimin e Dytë Strategjik të Energjisë lëshuar në 13 nëntor. Kjo sasi përkthehet në 700 euro në vit për çdo shtetas të BE, vinte në dukje ai. Duke paraqitur paketën, presidenti i KE Hoze Manuel Barroso theksoi se vetëm vitin e fundit, çmimet e energjisë u rritën me një mesatare prej 15% brenda bllokut 27-vendesh. "Ne duhet ta thyejmë rrethin vicioz të energjisë të rritjes së konsumit të energjisë dhe rritjes së importeve," tha ai. Fakti që tetë shtete të BE janë krejtësisht në vartësi të Rusisë për gazin e tyre është një problem që Bashkimi duhet ta trajtojë, sipas Barroso. "Ne duhet të mbrojmë shtetasit evropianë nga rreziqet që furnizuesit e jashtëm të mos mund të respektojnë angazhimet e tyre", tha presidenti i KE. Një mosmarrëveshje çmimi e gazit midis Rusisë dhe Ukrainës shkaktoi një ndërprerje të shkurtër të furnizimeve të gazit të disa vendeve të BE në dimrin e vitit 2006, duke shkaktuar kërkesat për bllokun që të lëvizë drejt një diversifikimi të burimeve të energjisë dhe rrugëve të furnizimit. Konflikti në Kaukaz në gusht prishi besimin e mëtejshëm evropian në besueshmërinë e furnizimeve ruse. BE duhet të marrë masa urgjente për të rritur efektshmërinë e vet energjitike dhe për të reduktuar vartësinë ndaj importeve, tha Barroso, duke u bërë thirrje vendeve anëtare të bien dakord me propozimet e reja të KE. "Ne na duhet të investojmë dhe diversifikojmë," tha ai. Në plan, KE theksoi nevojën për një përqëndrim më të mirë në nevojat e infrastrukturës së bllokut dhe diversifikimin e furnizimeve me energji, një rritje të rezervave të naftës e gazit, ngritjen e mekanizmave të reagimit ndaj krizave për t'ju përgjigjur ndërprerjeve të mundshme të gazit, përdorimit më të mirë të burimeve energjitike vendase dhe përpjekje më të mëdha për të përmirësuar efektshmërinë e energjisë. Përparësia e parë e paketës së Shqyrtimit të Strategjisë së Energjisë është të zbatojë masat që do të ndihmojnë bllokun të përmbushë të ashtuquajturit objektiva të ndryshimit të klimës 20-20-20, sipas një deklarimi të KE. Objektivi i BE është të arrihet një reduktim 20% në emetimet e gazit të efektit të serës, një 20% pjesë të burimeve të erës, solare dhe të tjera burime të përtëritshme në konsumimin përfundimtar të energjisë dhe një 20% rritje në efekshmërinë energjitike, të gjitha deri në 2020. "Me qëllim që të përmbushen objektivat e 20-20-20 të BE në një mënyrë që të garantojë furnizimin me elektricitet dhe gaz të të gjithë shtetasve të BE, do të jenë të nevojshme ndryshime të mëdha në infrastrukturën e brendshme të energjisë gjatë viteve dhe dekadave të ardhshme", thoshte deklarata e KE. Shqyrtimi përshkruante gjashtë projekte strategjike si thelbësore për sigurinë e energjisë së BE: një plan të ndërlidhjes balltike, një koridor jugor të gazit, një unazë energjitike mesdhetare, ndërlidhje të mjaftueshme veri-jug të gazit e elektricitetit me Evropën Qendrore, Evropën Juglindore, një rrjet pranë brigjeve të detit të Veriut dhe furnizime efektive të gazit natyror për Evropën. Në qoftë se qeveritë e vendeve anëtare dhe Parlamentit Evropian bien dakord me paketën, zhvillimi i planit ndërlidhës balltik do të fillojë vitin tjetër. Duke mbuluar gazin, elektricitetin dhe ruajtjen, projekti do të lidhë rrjetet e Estonisë, Letonisë e Lituanisë me pjesën tjetër të BE. Tre vendet balltike janë ndërkaq të lidhura me rrjetet energjitike të Rusisë dhe janë midis tetë anëtarëve të bllokut që kanë 100% të gazit të tyre nga Rusia. Duke e përshkruar korridorin jugor të gazit si "një nga përparësitë më të larta të energjisë së BE", KE tha se projekti do të përfshinte ndërtimin e tubacioneve për të transportuar furnizimet nga burimet e Kaspikut dhe Lindjes së Mesme, duke anashkaluar Rusinë. Unaza mesdhetare e energjisë e parashikuar për të lidhur Evropën me Mesdheun e Jugut nëpërmjet ndërlidhjeve "që tani duhet të kompletohen", thoshte KE, duke vënë në dukje rëndësinë e projektit për zhvillimin e "potencialit të gjerë të eneregjisë solare e të erës" të rajonit. Krahu ekzekutiv i BE kërkoi zhvillimin e një projekti për një rrjet pranë brigjeve të detit të Veriut për të ndërlidhur rrjetet kombëtare të elektricitetit në Evropën Veriperëndimore dhe të vërë në veprim projektet e shumta të erës pranë bregdetit. Së bashku me projektin e ndërlidhjes së Balltikut dhe unazës së Mesdheut, ai duhet të bëhet "një nga blloqet ndërtuese të një super-rrjeti të ardhshëm evropian", thoshte KE. Duke u zotuar të përdorë instrumentat e veta për të bërë përparim të shpejtë në të gjashtë projektet, ai vuri në dukje gjithashtu se të gjitha palëve të përfshira do t'u duhet të bëjnë përpjekje të konsiderueshme për të mobilizuar fondet e nevojshme për zbatimin e tyre, duke përfshirë ato nga njësitë e vendeve të treta. "Kjo punë del si një element kyç i reagimit të BE ndaj krizës globale financiare dhe kështu që duhet përshpejtuar...mes të tjerash për të mbështetur punësimin dhe për të kontribuar në kompensimin e rënies në kërkesën," thoshte Komisioni. Ai shtroi gjithashtu një sërë propozimesh të efektshmërisë së energjisë të godinave dhe prodhimeve të përdorimit energjitik. KE do që standardet e reja të efektshmërisë të futen për të gjitha godinat e reja dhe ato ekzistuese të pësojnë një rinovim të madh, duke argumentuar se kjo do të kontribuonte në kursimin në 5% deri 6% të energjisë deri në 2020. Ai kërkoi përfshirjen e një rangu të gjerë prodhimesh të përdorimit të energjisë, jo vetëm pajisjet shtëpiake, në rregullat e bllokut mbi klasifikimin e energjisë. Në kuadrin e një instrumenti ligjor më vete, një klasifikim i ri i energjisë do të futet për gomat e makinave, duke i renditur ato nga efektshmëria e karburantit. Duke zgjedhur goma më të mira, konsumatorët mund të shohin faturat e tyre të benzinës të bien me 10%, beson komisioni. Ai po planifikon gjithashtu të miratojë kërkesat minimale për poçet e llampave, pajisjet e ndriçimit të rrugëve dhe zyrave dhe pajisjeve të tjera si dhe të shtrojë një propozim për të sjellë Direktivën e Taksës së Energjisë plotësisht në përputhje me objektivat e tij të energjisë dhe ndryshimit të klimës.


“Southeast European Times”

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›