E Diel, 1 Nëntor 2026

(Vet)izolimi i Maqedonisë ka filluar...

Takimi i fundit i Këshillit Veri-Atlantik në nivel të ministrave të jashtëm në Bruksel u mbajt pa përfaqësues nga Republika e Maqedonisë, bile as në margjina të kësaj mbledhjeje. Çka do të thotë kjo? Fatkeqësisht, unë dhe shumë të tjerë e kuptojmë se izolimi i vendit tonë ka filluar. Në agjendën e kësaj mbledhjeje të Këshillit Veri-Atlantik trajtohen shumë çështje të rëndësishme, por këtë herë fare nuk u diskutua për Maqedoninë. Këtë më së miri e deklaroi ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner, në pyetjen e gazetarit se a ishte diskutuar për Maqedoninë. Përgjigjja ishte decide - jo, Maqedonia duhet të zgjidh problemin e emrit me Greqinë! Tanimë dihet se në agjendën e Këshillit Veri-Atlantik është biseduar për çështje të rëndësishme siç janë: -Përshpejtimi i anëtarësimit në NATO i Ukrainës dhe Gjeorgjisë; -Sforcimi i prezencës së NATO-s në Afganistan; -Vazhdimi i dialogut me shtetet e Mesdheut; -Rivendosja e dialogut në Këshillin NATO-Rusi; -Kyçja e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO si anëtare fuqiplote; -Aktivitete rreth vitit të 60-të jubilar të NATO-s në vitin 2009, etj.


Ne nuk ishim temë bisede! (Vet)izolimi ka filluar!


Fjalën izolim e urrej që nga vitet e tetëdhjeta kur pushteti i egër serbo-jugosllav, me autobus i kishte dërguar intelektualët më të mirë dhe më të guximshëm shqiptarë nga Kosova në kazamatet e Serbisë për t'i maltretuar psiqikisht dhe fizikisht, vetëm se kishin thënë dhe shkruar fjalën e vet për një Kosovë të lirë dhe të pavarur. Ky ishte vetëm një digresion sa për të konstatuar se sot izolimi po ndodh në mënyrë më perfide, sot po mbytet mendimi intelektual që sugjeron ndonjë kompromis për zgjidhje të kontestit për emrin me Greqinë, sa për të çelur kuvertën e mbyllur të ftesës për në NATO, të rezervuar kohë më parë në Samitin e Bukureshtit. Përcaktimi dhe vizioni drejt strukturave Euro-Atlantike, i deklaruar me qindra e qindra herë në tryeza, tubime, institucione, mediume, këtu dhe jashtë vendit, përnjëherë pa fije përgjegjësie nga Qeveria e pavarur prej partnerit shqiptar, izolohet në kabinetet me pengesa në komunikim. Shih për këtë, arsyetimi gjithnjë na qenka se fqiu i keq në jug po e cenon identitetin "maqedonas të Aleksandrit të Madh". Prandaj edhe me inat plot nacionalromantizëm mbroheshka identiteti nga i treti, e kjo në mënyrë implicite do të thotë se unë vetë nuk vendos për identitetin tim. Sa inat i pakuptimtë kur pranon që dikush të përcakton se kush je, edhe atëherë kur ke shtet, gjuhë, kulturë, akademi dhe universitet. Sa është nënçmuese që kaq ulët të manipulohen qytetarët maqedonas dhe "an pasan" shqiptarët proqeveritar se nuk paska kompromis dhe rrugëdalje nga kjo situatë, me kusht edhe të mbetemi jashtë strukturave Euro-Atlantike. Kësaj punë i thonë, si të bëhesh ves-vese, s'të ndihmojnë edhe "hajmalitë" më të forta.


Pse të gjithë duhet ta paguajmë këtë faturë të shtrenjtë, pa perspektivë, vetëm e vetëm se dikush nuk din ose nuk do të bëjë një kompromis me Greqinë edhe kur ndërmjetëson OKB-ja, edhe kur të mbështet SHBA-ja dhe shumë shtete tjera të fuqishme mike. Një kompromis në kohë të duhur është më pak i dhimbshëm se dhimbjet që do të na kaplojnë si shtet i izoluar, jashtë NATO-s dhe BE-së.


Në fakt, para dhe pas Samitit të Bukureshtit, nocionit "Maqedoni" duhej t'i shtohet një para-prapashtesë që përcakton territor gjeografik dhe të arrihej zgjidhje për emrin. Kjo pastaj me lehtësi do na shpinte në gjeografinë e madhe të NATO-s dhe BE-së. Fatkeqësisht, kabineti i Gruevskit me partinë shqiptare pa ndikim, në vend të kompromisit fitues, zgjodhi variantin qindpërqind humbës - izolimin, si plan B, jashtë strukturave Euro-Atlantike. Tani me një propagandë mediale të kontrolluar, duke luajtur me ndjenjat e qytetarëve, me pyetje ku si alternativa jepen emri dhe NATO, disponimin 90% pro-NATO e fshehin me pëlhurë të "makedonshtinës". Ndërsa disponimi i shqiptarëve pro-NATO mbahet i veçuar, sikur nuk është me rëndësi, edhe ashtu mjaft e kemi që përfaqësohemi në Qeveri. Përkrahja blanko e partive politike shqiptare relevante për zgjidhjen e kontestit me Greqinë si problem i maqedonasve po na kushton me izolim dhe vënie në rrezik të perspektivës Euro-Atlantike. Shtrohet tani pyetja me vend, a duhej të jemi indiferent në këtë çështje të rëndësishme për shqiptarët. Cili është plani B i shqiptarëve? A ia vlen të jesh solidar me ata që nuk kanë sens dhe kuptim për të zgjidhë problem që se kuptojnë gjuhën diplomatike të miqve tanë dhe nuk e përfillin vullnetin tonë të mirë? Edhe një digresion: një qytetar kishte shkuar të kryejë një punë në një komunë rurale, kishte pritur një kohë dhe iu kishte drejtuar një administratorit: "Po pse këtu s'po hyn e s'po del askush? Mos keni rënë në bela?". Qeveria e Maqedonisë si duket ka rënë në bela. (Vet)izolimi ka filluar! Sa keq!


Autori është ish-deputet dhe nënkryetar i Këshillit Euro-Atlantik të Maqedonisë

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›