Kupa e Botës, vdes një punëtor emigrant: e konfirmon edhe FIFA

FIFA konfirmoi lajmin e “The Athletic”: një punëtor emigrant në Katar vdiq teksa punonte pranë resortit që priste delegacionin e Arabisë Saudite, autoritetet lokale kanë hapur një hetim. Aksidenti ka ndodhur në fazën e grupeve, punëtori ka qenë duke punuar. Një zyrtar i Katarit tha se, “nëse hetimet tregojnë se nuk janë respektuar protokollet e sigurisë, kompania e ngarkuar me punën do t’i nënshtrohet veprimeve ligjore dhe ndëshkimeve të rënda”. Është krijuar një fond për kompensimin e aksidenteve në punë, sqarojnë autoritetet, vitin e fundit ka ndërhyrë duke paguar mbi 350 milionë euro.
Ndërkohë, dje në qytetin zviceran të Brig, ku lindi Gianni Infantino, qarkulluan tre billborde gjigante, për t’i kërkuar presidentit të FIFA-s dëmshpërblimin e “mijëra punëtorëve emigrantë që vdiqën apo u shfrytëzuan për Kupën e Botës në Katar”. Kështu thuhet në një deklaratë të Avaaz, një lëvizje e angazhuar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe sfidave të tjera globale. Në tre tabelat shkruhet: “Infantino: anëtarët e familjes tuaj kanë qenë emigrantë. Mijëra njerëz si ata kanë qenë viktima të këtij Botërori. Kompensimi i menjëhershëm”.